Luan Rama: Lamtumirë Robert Progri – fytyra e inteligjencës dhe e mirësisë
Në Paris, Robert Progri ishte një nga miqtë e rrallë: dukej që Perëndimi, studimet në Francë i kishin dhënë një tjetër frymë, një tjetër ndërgjegje, status. Doktor Shteti, titull i rrallë për një shqiptar i dhënë nga Franca, ai ishte një nga inxhinjerët e mrekullueshëm që kontribuoi në industrinë franceze e njëkohësisht ai ishte një njeri që pëlqente artet, letërsinë, historinë, librat dhe korentet ndryshme të kulturës që ka përjetuar Parisi këto tri dekadat e fundit. I veçantë ishte në mirësinë që shfaqte për këdo, në vështrimin e tij të paqtë, të sinqertë që unë e përmbledh vetëm me dy fjalë – fytyra e mirësisë. Njeri që nuk përtoi të ndihmonte inxhinjerët e rinj shqiptarë që erdhën pas viteve ’90 dhe hynë në industrinë franceze ; gjithnjë i gatshëm për të ndihmuar, çka e kam konstatuar në disa raste. Berti siç e thërrisnim një grup i afërt, ishte gjithnjë i pranishëm në veprimtaritë e shumta zyrtare në Paris, në aktivitetet që zhvillonim në shoqatën « Albania » e më pas në « Maison d’Albanie ». Vinte gjithnjë bashkë me Remzi Pernaskën, mikun e tij të ngushtë, njeriun e ëmbël gjithashtu, po ashtu Doktor Shteti. Madje njëherë me tren kemi udhëtuar të tre sëbashku meqë në Bruksel do të merrnim pjesë në një konferencë ndërkombëtare bashkë me Remziun. Ishte i papërtuar miku ynë i dashur, që të priste aq bukur në shtëpinë e tij, ku ishte fqinj me mikun e tij Pernaska. Dyert ballë për ballë – thuajse një familje. Takimet në kafenene Le Plomb du Cantal në kryqëzimin Strasbourg Saint Denis, pranë portës Saint Antoine, vitet e fundit u kthyen në një rit të vazhdueshëm me një grup miqsh ku bisedohej për letërsinë dhe artin por dhe për ngjarjet shqiptare, evolucionin e vështirë dhe analizat e tij ishin gjithnjë të sakta, pa emocione, me llogjikën e ftohtë të fizikantit dhe njeriut erudit. Shpesh i kërkonte librat e mi, i lexonte, me shprehte mendime, entusiazmohej nganjëherë. I pëlqenin artikujt historikë dhe atëherë mes nesh biseda zgjaste. Para një viti e kisha lënë të pinim një whisky në Paris, ndërkohë që Pernaska i mungonte. Por ne nuk u takuam më. E ndjeva që kishte probleme shendetësore por që janë të moshës. Nuk e mendoja se do të ikte kaq shpejt. Padyshim një aksident, çka i habiti të gjithë, dhe miqtë që vazhdonte të takonte në Tiranë. Tirana i pëlqente. Jetonte me Shqipërinë. Madje kur Robertin do ta shoqëronin për në Shqipëri, në banesën e fundit e kuptova edhe më shumë lidhjen e tij me tokën, etërit, gjithçka shqiptare. Një lajm padyshim shumë i hidhur, një mungesë për shkencën shqiptare. Një shëmbull njerëzor që i ndeshim gjithnjë e më rrallë…
Please follow and like us: