Albspirit

Media/News/Publishing

Mihal Gjergji: VETJA PËRFUND. PO SHOQËRIA?

 


Shoqëria njerëzore është e mbërthyer nga kriza të thella, zinxhiri i të cilave ka kushtëzuar shëndetin e miliona banorëve; shëndetin trupor, shëndetin mendor dhe atë shpirtëror. Mënyrën e jetesës mund ta ndryshojë vetëm mënyra e të menduarit. Çdo popull ka veçoritë e tij, çdo individ gjithashtu. Personalitetet tona janë pjesë e shoqërisë që na rrethon dhe misteri i tyre mbetet i panjohur. Deri në vitet ’90, shqiptarët përjetonin vetëm problemet e vendit të tyre, izoluar nga bota për gjysmë shekulli. E ndërkohë që filloi heqja e barierave penguese, pikërisht atëherë vërshuan tek ne dukuri e fenomene të panjohura apo të kufizuara në nivelet e larta; droga, prostitucioni, bixhozi, korrupsioni i përmasave të mëdha dhe papunësia masive. Ishte përjetimi i dytë, një barrë e re dhe e rëndë për shqiptarët e lodhur nga aq shumë drama. Organizata Botërore e Shëndetësisë ka pranuar konceptin
‘familje’ në klasifikimet e sëmundjeve. Po koncepti ‘komunitet’ apo ‘shoqëri’- në të cilën jetojmë? Ja pra, problemi është më i thellë nga ç’duket, më kompleks. E kam fjalën për shëndetin mendor dhe konkretisht për popullatën tonë në përgjithësi. Sëmundjet depresive janë bërë shqetësuese në Kosovë. Tmerret e përjetuara nga të gjitha shtresat shoqërore, humbja e familjarëve dhe njerëzve të dashur nga barbaria serbe, kryesisht gjatë vitit 1999, shkatërrimi i banesave, grabitja e pronës, sikurse mjerimi i skajshëm ekonomik, do mjaftonin për të besuar sinjalin e alarmit. Edhe Shqipëria nuk është mbrapa. Atë që në Kosovë e bënë pushtuesit e huaj, në Shqipëri e bënë pushtuesit vendas. Mjafton të kujtojmë burgjet e tmerrshme të Qafë-Barit, Spacit, Burrelit e Ballshit, kampet e interrnimit në Tiranë, Elbasan, Lushnjë, Berat, Fier e Tepelenë, përndjekjen sistematike 50 vjecare nga sigurimi i shtetit, për të kuptuar që shoqëria jonë e mbarsur me urrejtje, u formësua nga kultura e frikës dhe poshtërimit. Doemos që në këto rrethana, sëmundjet depressive do gjenin shtratin e tyre për të lulëzuar. Statistikat e OBSH- së janë të frikshme; mbi 35% e popullatës globale përjetojnë crregullime shqetësuese mendore, trishtimin e thellë dhe gjendjen e pashpresë. Këto ditë, Sadik H. Lala, njëri ndër psikiatrit tanë më të mirë, autor i disa librave (me analiza të thelluara e serioze), më dhuroi botimin e tij të fundit: “ Vetja përfund”. Natyrshëm e pyeta:-Po shoqëria? Sigurisht që përgjigjen e gjeta mes rreshtave të librit, sepse
autori është vëzhgues i mprehtë i fenomeneve, individit dhe shoqërisë, dhe mendimi i tij analitik, ushqyer nga eksperienca e gjatë në punën kërkimore, tashmë është ballafaquar edhe me prurjet interesante të Frojdit, Jungut, Norberto Keppe, Claudia Pacheko e shumë personaliteteve të tjera, sikurse arritjet më të spikatura të klinikave prestigjoze evropiane. E megjithatë, përtej krahasueshmërisë, Sadik Lala mbetet shqiptar në thelbin e tij, d.m.th qëmton me kujdes truallin tonë, të gjitha nivelet e kësaj shoqërie të coroditur, largohet nga qendra e metropolit për të mbritur në periferitë urbane dhe rikthehet sërish te burimi i krizave. Gjuha e tij prej magjistari dhe shëndeti kulturor që përcjell mes rreshtave, të shtyjnë në shtjellat e padukshme, atje ku vëzhgon syri i profesionistit elitar. Ja një pasazh vërtet tronditës: “I lodhur, i raskapitur, me një trishtim të thellë në fytyrë, me hap të ngadaltë, gati duke zvarritur këmbët, ai ulet si me përtesë. Që në pamje të parë kupton se ke përballë një person tejet të dërrmuar. Kam nevojë për një moment të gjej fjalën e duhur të mirëseardhjes. E kam mik të hershëm, një model mirësie e ndershmërie, i qetë, fjalëpak, njeri me arritje në jetë, me një familje solide… gati- gati më duket i tjetërsuar, nuk mund ta besoj që është ai! Shprehet se ndihet shumë keq…(kam javë që fle shumë pak, zgjohem shumë herët në mëngjes, jam i pamotivuar, e kam humbur shpresën se një ditë do të jem mirë. Ndihem krejt i pavlerë, jeta ime ka marrë fund, nuk mundem më…Më kupton doktor?) Duket
sikur tek ai gjithcka është gati të shpërthejë… dhe vërtet, dy sumbulla lotësh i shpërthejnë befas e i rrëshqasin faqeve ngadalë. “I rëndë loti i burrit”- nuk di si më erdhi kjo frazë ndërmend. Depresioni nuk është dobësi, i thashë, dhe nisa bisedën me të. I shkëputa këto rreshta nga libri “Vetja përfund”, për të mbritur te pyetjet e pashmangshme: Sa qytetarë të tillë përjetojnë gjendjen dramatike të depresionit, të paktën në Tiranë? Po në qytetet e tjera, po në fshatrat e largët, të harruar e të braktisur nga shteti, po në gjithë Shqipërinë? Teori të shumta qarkullojnë, gjithsesi larg gjykimeve që japin historianët e mjekësisë. Mos vallë duhet të besojmë se industria e parë vrasëse është industria ushqimore, e cila krijon klientelën e bollshme për industrinë farmaceutike? Mos harroni politikën, edhe ajo është vrasësja e padukshme e jetëve tona, cdo ditë dhe cdo orë. Gjersa liritë tona ia kemi dorëzuar shtetit, atëherë duhet të presim prej tij. Mirëpo sipas Jungut, “ajo për të cilën më së shumti ke nevojë, ke për ta gjetur atje ku më së pakti dëshiron të shohësh”. Në kushtet që populli shqiptar jeton një realitet virtyal inekzistent të ushqyer nga propaganda mediatike, vështirë të bëhet koshient, sepse gjendet në
udhëkryq, i coroditur, i pashpresë. Mendoni një cast individin. Në këto rrethana, s’mund të njohë anën e tij të errët, jo më errësirën e njerëzve të tjerë rreth vetes. E megjithatë, për reagimet depresive ndaj situatave stresante, autori Sadik Lala mëton të na bindë se ato janë pjesë normale e përditshmërisë njerëzore. Madje na kujton edhe ligjin aktual të shëndetit mendor, konkretisht nenin 20 të tij, pikën 2, që nënkupton trajtimin e pavullnetshëm, në rastin “kur personi rrezikon jetën, shëndetin ose sigurinë e vetes dhe të tjerëve. Me një fjalë, në një botë të çmendur, Shqipëria s’mund të jetë ndryshe, doemos edhe shqiptarët. Provoni të hidhni sytë përreth; në rrugë, trotuare, mjedise publike. Veç sjelljes së vrazhdë, mungesës së qytetarisë dhe urrejtjes që na afrojnë të tjerët, s’shikojmë asgjë të bukur, të na josh e ndihmojë të njohim veten tonë, si përballë një pasqyre. Libri “Vetja përfund”– nënkupton pushtetin e depresionit, ose gruan e veshur me të zeza, për të cilën, Sadik Lala, sikurse Jungu, na sygjeron: “Nëse shfaqet, mos e dëbo. Ftoje brenda, ofroi një karrike, trajtoje si mysafire dhe dëgjo atë që dëshiron të thotë”.

Korrik 2022.

Please follow and like us: