Albspirit

Media/News/Publishing

Anisa Markarian: SHTËPIA TE SELVIA

Shfletimin e albumeve të familjes e kam pasion të hershëm. Fotografitë nuk i kundroj, i përjetoj. Janë si paftat e një mozaiku. Për sa kohë mbeten jashtë kompozimit, duken të rëndomta. Vlerat e vërteta i shpalosin kur bëhen pjesë e së tërës. Por jo dosido. Secila ka vendin e vet, të patjetërsueshëm, mbi kanavacën e historisë familjare (e kolektive). Nevojitet pak ngulm e durim për t’ia gjetur me përpikëri. Në këtë mision, na udhëheqin kujtimet. Formimi i tyre është një proces fiziologjik. Na nguliten në mendje pa e vënë re. Kur vendosim t’i rrëfejmë, kuptojmë që është e pamundur t’i riprodhojmë besnikërisht. I ka përpunuar jeta, pavarësisht vullnetit e dëshirës sonë.
Nëse faqeve të këtij libri do të ndeshni edhe të kaluarën tuaj, ju lutem, merrni laps e letër dhe shkruani vazhdimin. Jo, më mirë, fill e gjilpërë. T’i vëmë kujtimet varg e, perlë pas perle, të thurim së bashku gjerdanin e vyer të së shkuarës sonë. Sepse kujtimet-dëshmi janë si tablotë e mjeshtrave. U rritet vlera përditë.
Autorja
Thellësisht mirënjohëse për dashamirësinë dhe përkushtimin ndaj librit botueses Brikena Çabej, redaktores Irena Dono dhe grafistit Elsi Kongo që konceptoi dhe realizoi kopertinën.
Një falenderim të veçantë ish-fqinjëve të rrugës dhe shoqeve të fëmijërisë që më ndihmuan të rifreskoj disa nga kujtimet që përmban ky libër.
Takohemi te Selvia!
Please follow and like us: