Albspirit

Media/News/Publishing

Sadik Bejko: Poezia e Niko Kacalidhës…

Nga e majta në të djathtë: Sadik Bejko, Natasha Lako, Niko Kacalidha dhe Ndoc Gjetja, katër poetë që vijnë nga treva të ndryshme, të pabujshëm, s’kanë ndonjë nderim presidencial, nuk bëjnë zhurmë për librat e tyre e megjithatë sipas mendimit tim janë katër krijues të veçantë, të pangjashëm dhe që të japin emocion sa herë që i rilexon… 

 

  1. Një lirik i buruar

Niko Kacalidha ka lindur në Leshnicën e Sipërme, fshat malor i minoritetit grek, bir i një mësuesi; ka mbaruar Universitetin e Tiranës dhe që për rreth tridhjet vjet ka dhënë letërsi dhe gjuhë shqipe në gjimnazin e Sarandës e gjetkë. Poezitë e para i ka botuar në shtypin e kryeqytetit, në gazetat ‘Zëri i rinisë’, ‘Drita’, etj. Në të ri, ashtu i imët dhe shtatpakët, me lehtësinë e një zogu në fluturim, të niste dy sy të qeshur dhe të çukiste me fjalë, fjalë po aq e qeshur. Po në çast, tërhiqej në të prapë, se ashtu si padashur, si me gjasme të çukiste gjer në bërthamë e gjer në kocka. Veç si njeri i shpejtë në mendim e në fjalë, për një gjë tjetër binte fare mirë në sy. Ai bënte vargje lirike me një fluiditet të butë e të thekshëm… një lirik i ngrohtë, i buruar. Dhe vetëm kaq. Bah, atëhere lirikës, poezisë lirike nuk ia varnin dhe aq shumë. Ia kanë varur ndonjëherë?

2.Prova e humnerës

Pastaj Niko Kacalidha do të pësonte atë hedhjen në humnerë. Të gjithë e dimë: në vitet e shkollimit ka djelmosha që shfaqin cilësi të shquara, premtuese, siç thonë profesorët, por… të shohim, pa të shohim, thonë skeptikët. Kacalidha do ta kalonte provën e humnerës… do të ikte larg syve të dashamirëve, të botuesve, të redaktorëve, të asaj gjerësisë që kanë kryeqytetet, që bëjnë vend për të gjithë, ku të vlerësojnë jo vetëm si Niko, por edhe për atë që bën. Nikua. Kacalidha ia doli mbanë provës së humnerës së largimit. Ai forcoi bulbet e rrënjta, të fshehura në thellësitë e tij. I ngrohu e i ushqeu në shkëmb, në një vapë të gjatë të durimit e të qëndresës së ballkanasve. Të ballkanasve që hanë bukë me shirat e me baltën, me gurin, me drurin, me diellin dhe ujin, që hanë bukë me gjithë të zezat e ullirit e të lëvezhgës së trarëve të nxirë të shtëpive, që i durojnë mbi cipën e gjakut të gjitha stinët. Pastaj dinë me grykë trarësh, gurësh, me grykë zogjsh dhe me grykë balte të këndojnë atë përsëritjen e jetës mbi shpinën e tyre. Karvanin me gjurma gurësh mbi damarë të hollë gjuhe, rrebeshet e rënda të këtij karvani të jetës dinë t’i çojnë tej në dasmën e gëzuar, të qetë e të ndriçuar urtësisht e ftohtë, aty rreth vatrës së qëndresës ekzistenciale.

Kjo do të thotë të rritesh nën hije, të jesh në anën tjetër të hënës, në më të pasmen e më të ashprën faqe të jetës. Kështu Niko Kacalidha dhe fati i një epoke shkojnë bashkë, por ai gjithmonë vjen duke u rritur. Përtej fatit. Këto vite, më pas, do të shndërrohen në një lëndë, në një prurje që përbën thelbin e poezisë së tij.

Kacalidha boton dy – tre libra, por këto janë që të mbetesh gjallë, vetëm kaq. Poeti përpunonte dhe bluante mitet e vërteta të poezisë së tij. Dhe, siç thotë pak a shumë Elitis, të tjerë poetë lavdëroheshin, kur Kavafis kalbej rrugëve të Aleksandrisë. Këto ndodhin rëndom në Ballkan. Kacalidha mbronte dhe ujiste rrënjët, i ngjishte me baltë, i rëndonte me fruta rrënjët e veta – gjithmonë atje nën dy gisht baltë, nën hije.

3. Mesdhetarja dhe ballkanikja

Dhe do të vinte libri ‘Profecitë e drurëve’, viti1998. Niko tashmë ka shkruar poemat e tij greqisht, ka botuar librat e tij në gjuhën e nënës. Dhe lavjerrësi i tij (po të marrim një idiomë të Brodskit për Kavafin) përplaset në muret e dy gjuhëve dhe i thyen të dyja. Në fund të fundit, ai ka ngrënë bukën, ka gëzuar dhe vuajtur, ka rritur fëmijtë, duke qenë mësues i letërsisë dhe i gjuhës shqipe. Një homo balcanicus. Poezia është gjuhë. Kacalidha është i lindur në gjuhën greke, por është dhe shqiptar si shkrimtar në gjuhën shqipe, është poet biling. Një ballkanas për nga përvoja. Dhe ta hedhësh në det, të del në mal. Dhe ta hedhësh në humnerë mali, të del në ferr prej uji të zi që në damarët e të dy gjuhëve, honet të nxjerrin në Akerontin e Butrintit, të Eskilit e të Virgjilit, pranë dafinave në gur e mur, te marinat me rrënjë në gërxh, te shegët që bëhen grusht gjaku në poezinë e Elitisit e në kopshtet e Leshnicës, të Kaninës, të Ulqinit, të Bukovarit, të Palermos… të Kretës, të Qipros… Është një erë e një frymë mesdhetare e përmbytur me diell që rrit bimët, viçat, nxin ullinjtë e Spanjës së Servantesit e të Lorkës, është një aventurë homerike, para homerike, fenikase, që përplaset e ngjizet me gjenezën dhe baltën adamike, me tempujt e ushtritë e helenëve, romakëve, bizantinëve, ushtri patriarkësh, filozofësh e poetësh që popullojnë rrënjët e shtresave të gjakut dhe i japin kësaj toke shumësinë kulturore me kupola kishash, me mjekra patriarkësh të fjalës, me mburoja e përkrenare ushtarësh të gjuhës… Mesdheu përmbi dymijë vjet ka qenë qendra e botës, qendra e qytetërimeve të mëdha, e kulmeve të kulturës së madhe botërore, e ushtrive të mëdha, e poezisë së madhe.

Kështu Niko Kacalidha i Leshnicës është në gjakun e nxehtë e të dallgëzuar të një poezie mesdhetare, të një poezie që merr frymë me frymën e zjarrtë të topave të diellit, të ushtave e të shpatave të tij që, duke u shprazur përmbi dherat, gufon një bimësi me ngjyrat dhe aromat më të bujshme e më të pashoqe. Kjo poezi merr frymë gjaku e mendimi bashkë me bulbat e rrënjët e thella, bulba e rrënjë të shtrënguara si grushte të qëndrueshmërive e të durimeve që kurrë nuk vdesin. Poezi si një aventurë dhe dalldi që fillon nga vdekësia e shkon gjer te lavdia e diturive të mëdha e të përjetshme: të jetosh, të përtërihesh, të lësh rrënjë e degë dhe fruta në dritë të agullimës e në dritë të dallgës që u turren me mëri shkëmbinjve, për t’u vënë mbi krye një kurorë drite. Edhe një kurorë drite më shumë për jetën, për vdekjen, për pambarimin.

Kacalidha tani është në kalin kryeneç të kësaj aventure, që nuk mban shumë vithe, që të ngre e të hedh plasur. Verbi i tij poetik tashmë mban dhe shijen e mvrejtjen e viteve ’90 (Profecitë e drurëve), që e risollën, që e çliruan, që e çkyçën grykëderdhjen e tij të rëndë e të dënuar gjatë që të përvidhet heshtur nën dhe. Ai është tani bir i lirisë në një poezi të lirisë më të thellë të njeriut.

Por do të vijë një Niko Kacalidha tjetër në Pagëzimin e zogjve. Tri mitet bazë të poezisë së tij druri, zogjtë dhe guri vijnë në një përpunim të thellë të vargut dhe të gjithë strukturave poetike. Dhe një dorë e sigurtë, dorë prej mjeshtri. Një stuhi njgyrash dhe imazhesh sureale që të pataksin. Një shkëlqim lëbyrës ngjyrash të jaseminit, ciklaminit, asparagusit, të dallgëve, të limonishteve me një mprehtësi që të presin si brisku e ta ujisin gjakun më thellë se vesa e butë dhe e duruar e së përditshmes mbi ty e mbi faqen e gjithë botës. Ngjyra të forta butësisht, të ndezura ngrohtësisht. Është një filozofi e hagjiografive bizantine të afreskeve të mëdha. Një dije që sipërfaqëson mbjelljen e jetës, të përjetësive të jetës me barin dhe me elementët themelorë të bimësisë, të bimësisë së shumëngjyrtë e të rëndomtë të jetës. Ndien dhe gdhëndien me fortësinë e çukitjes së zogjve, e shpimit të fortë në letër, në gjuhë, në gjak, në pëlhurë, në shkëmb e në mur. Jeton dhe me një art mjeshtëror të endjes së lëmuar e të ndezur butë e bujshëm të qilimave që natyra e Mesdheut i fik, i ndez që para Krishtit, para Adamit, para se të ishte e thëna e deri sot e në jetë të jetëve. Nga sa thamë (e që duhet thënë më troç) dhe nga mënyra si shkruam deri tani, vihet re prirja e fantastikes te kjo poezi. Poezia e Nikos ka një përmasë të lartë të fluturimit në fantazi.

E, pra, ky është një shpërthim i vërtetë i Niko Kacalidhës. Nikua erdhi. Kënga e durimit u shpall. Dëgjojeni. Po ai lavjerësi? Dhe kjo është për t’ia patur zili. Ai i çan të dy muret e gjuhëve, të dy kombeve. Një biling i shkëlqyer që provohet dhe nga që Odisea Eliti i besoi përkthimin shqip të kryeveprave të tij, dhe nga poemat, librat me poezi dhe me romanin, të botuara me shumë sukses në Greqi. Ai atje ka fituar çmimet më të mëdha kombëtare..

Nuk mund të mos ta vësh re një motiv, një mit të poezisë që të prek veçan, po të jep një vëllazëri intime poetike me Kacalidhën: … mali. Mirë deti, mesdhetarja e ngjyrave, mirë kjo dhe ajo që i thamë më lart, por mali? Kjo si metaforë është shqiptare, së paku kështu themi ne, është e jona. Por kjo metaforë te Kacalidha është aq e fortë dhe e pashlyer: hierore e gurit, e malit, e vendlindjes. Madje është qendra e qendrave të poezisë së tij, të botës së tij. Çiklamini, jasemini, deti, limonat janë aq të ngjyrtë, mali aq i ngrysët, më se ferret e Akeronit. Dhe këtu N. Kacalidha ka derdhur aq mvetësi, është një poet i malit i pangjashëm me të gjithë ata që në gjuhën tonë i janë avitur mjeshtërisht atij. Madje kontrasti i ngjyrave mesdhetare e thellojnë dramatiken e tragjiken e kësaj metafore të malit.

4. Lirikë e përthyer në manierën epike

Në artikulimin e një ankthi ekzistencial të përjetësive Kacalidha vjen me një varg poetik të afërt me psalmet biblike, afër me hekzametrin klasik dhe me atë që strukturën më të imtë, por më themelore të poezisë së tij ka imazhin, jo strofën; është një poezi që dhe meditimin e shfren në imazhe sureale, imazhe që përshkëndrisin flakë, ngjyrë, po edhe gurë e drurë; herë mbizotërojnë tonet meditative (Profecitë e drurëve), herë poezitë elegante me një ekonomizëm strikt të fjalës (Pagëzimi i zogjve); poemat e tij janë si një shkuarje në fill e gurëve të çmuar për gjergjefin e madh të poemave dhe kjo derdhshmëri e shkrifët dhe e ngjeshur lirike, e shkuar ashtu unaza- unaza në vargje, në gjymyrët deri në trupin e poemës merr hijen, modusin e epikes; një lirizëm i gufuar dallgshëm gjer në fantazmagori endet dhe merr formë në tezgjahun e epikes. Kjo të risjell atë magjinë e endjes së Penelopës, e cila, vetëm, në pritje, në të pashpresë, në frikën e humbjes së mbretërisë, të shtëpisë, të frymës së familjes, të vdekjes së bijve, në zhbirje e zhbërje të gjithë një jete të lashtë, jetë e latuar me mure kështjelle dhe e mbjellë në tokë me ullinj, por që prej fatit a vetiu të gjithçka ndjehet e kërcënuar ekzistencialisht, e shtypur nga një frikë shpuese e ngurtë, memece, arkaike- e gjallë dhe jo e gjallë- pra, edhe në kushte të tilla kjo Penelopë (ky Niko) do të endë qilimin e saj të thukët, të plotë, të ndërlidhë lashtësi e përkohësi bashkë, në epikën e padukshme të të jetuarit, të të krijuarit çdo ditë nga e para jetën e veten. Dhe kjo është balada, heroika e padukshme e vogël- e madhe e kujtdo që do t’i mbrojë e gjallojë ca vlera të shenjta të tij. Kështu ka ndodhur dikur, dje, ndodh sot, tani e në jetë të jetëve. Epika e përkohësive të shenjta, epika e gjërave gati të milingonta për nga madhësia, por pa to nuk do të ishte e madhja, nuk do të ishim as vetë ne. Kjo epikë e përditshmërive të pavërejtura, por domosdoshmërisht të thella, epika e lashtë, moderne dhe reale e secilit, e bën këngën e Kacalidhës të gjallë dhe të prekshme për këdo. Kështu Adam e Krisht, por edhe ne, secili nga ne, e lindim, e shënjtërojmë botën, e përhirojmë, e frymojmë, e pagëzojmë nga e para. Nga mëngjezi në mbrëmje. E në jetë të jetëve.

5. Drita dhe e mvrenjtura, dy motivet bazë

 Dy janë tiparet kryeore të kësaj poezie: së pari, është meditacioni i mvrejtur i një të foluri të rrëmbyer që i japin fjalës derdhjen e nxituar dhe ndërthurjen e dendur të një sintakse të kërleshur ankthshën si pyll nën erë. Kjo vihet re sidomos në poemat e Nikos ku hedhja në letër një mbas një e imazheve në frymëmarrjen e nxituar të ritmit dhe në fluturimet imagjinative përtej logjikës formale mbërrijnë te një tablo. Ato i nënshtrohen ankthit të brendshëm, një ngarkese emocionale që vërshon dhe nuk kontrollohet dot. Në të vërtetë, nuk do autori ta kontrollojë në rrjedhë e sipër. Ky është një procedim i tij krijues. Kjo vërehet dhe në një sërë poezish nga libri Profecitë e drurëve.

Tipari i dytë është pothuaj i kundërt me të parin: drita lëbyrëse, vërshimi i ngjyrave të forta. Në një tejdukshmëri të qashtër të bregdetares, në një klimë me bimësi egzotike, të kredhura këto në një ajër plot dritë, në stërkala deti e në shkrepëtima rrezesh të buta të agullimave, çelin plot aromë dhe ngjyrë jasemini, jargavani, shega, mandarinat, ciklamini, limonat, fiku i detit, asparagusi, amarandusi etj. Është “një uri për virgjëri’, siç thotë autori, që ndizet bashkë me bujën e ngjyrave e të feksëtimave të ajërit dritëplotë. Këtu materja është vetiu poetike. Freskia, dlirësia, e ndritshmja shpërthejnë në një stuhi të tallastë të bregdetares me forcën, bukurinë e magjepsjen bashkë, por të dhëna dhe nën ndjenjat e adhurimit e të përlëvdimit të kësaj drite, ngaqë fryma e poetit, e krijuesit e njëjtësuar dukshëm me këto dukuri, gjen ringjalljen, ripërtëritjen

 Peri i marsit në duart e mia lidhur mes gishtërinjve./ Pa lejen time a çelet thana? …Dhe mos harroni jargavanin./ Dhe mos harroni jaseminin./ Se do të ngrihem ng varri, po e latë të vyshket jasemini,/ po e latë të rrudhet jargavani.

Poeti njëherësh merr përsipër bariun e kësaj grigje ngjyrash e dritash, e ungjëllizon e pagëzon atë, pra e shënjtëron në përjetësi. Kemi jo një përshkrues dhe një poetizues të ngjyrave dhe dritave, por apoteozën, shënjtërimin e tyre, kthimin në gjuhë poetike të tyre, në afreske të së mahnitshmes, në një jetë të dytë, kthimin në jetën e përjetshme të fjalës. Duke marrë një rol të tillë domosdo që vjen dhe ankthi për ta mbrojtur krijimin. Zoti i biblik nuk u mjaftua vetëm me krijimin, ai do të dërgonte dhe patriarkët që ta mbanin të shënjtëruar këtë krijesë. Një nga këta për ditë duhet të jetë poeti. Pra ky Kacalidha që thotë se “metempsikozën e kanë shpikur poetët”. Rilindjen, rimishërimin e pandërprerë. Ndaj këtu Adam, Krisht dhe natyrë janë bërë poezi dhe gjuhë dhe janë në pazgjithshmëri bashkë. Kjo, larg e larg, të çon te koncepti i Naimi Frashërit që jo vetëm krijonte, por edhe bekonte, shënjtëronte. Kjo formalisht vërehet edhe në tituj të disa poezive: Ungjëllizimi i ZogjvePagëzimi i zogjve. Naimi e Lasgushi flisnin për një fjalë të shënjtëruar. Urinë për shënjtëri dhe virgjëri në natyrën e bukur.

Si në një vepër muzikore dy temat e tij, e mvrenjtura dhe e ndritshmnja, nuk janë të ndara, ato orkestrohen dhe zhvillohen nga libri në libër, mbizotëron diku njëra më shumë, diku tjetra. Në temën e së vrenjturës vërehet atmosfera malore e vjeshtës, e dimrit, e borës dhe e zogut të borës, borsit, e gurit, e shkëmbinjve në mjegulla, e drurëve të tillë si lisat, panja, thana, bliri, pjergulla dhe ulliri. Dhe sigurisht gjyshja, krizantema, borziloku, shtëpia, varret, nata, mbrëmja, vendlindja, lumi, era e fortë; një atmosferë e dhënë me tonet e baladeskes, të legjendares dhe të së ankthshmes, “në terratoren e tmerrit”, në një ankth ekzistencial me një tendosje gjer në ashpërsi, një energji pagane do të thoshim, të përthyer në terma e përbindsha të mitologjisë klasike greke, të mitologjisë bizantine, por dhe të miteve të tjera si ai i gjarpërit, vitores së shtëpisë:

Gjarpëri i shtëpisë, virtuoz e besës, duke vërshëllyer në çatinë e qiejve…

Janë pikërisht konceptime të tilla që i japin tonin madhor dy temave kryesore të tij, pra gjithë poezisë së Kacalidhës.

6. Mjeshtëri i imazhit

Teknika e shprehjes nëpërmjet imazheve sureale gjen një mjeshtër tek Niko Kacalidha. Kjo është një rrugë për ta mbushur atë urinë për virgjëri, për dlirësim, për t’u kredhur në atë lëndë me bukuri të pashoqe. Poeti i Karaibeve, Derek Ëallcot, thotë se poeti s’ mund të bëjë gjë tjetër më të mirë veç të poetizojë ato 40-50 kilometra katrore të vendlindjes së tij, ato që njeh më mirë. Poezia e Niko Kacalidhës edhe në klimën, në ngjyrë, në toponiminë e saj është e vulosur nga ajo që është vendlindja e tij. Leshnica, Saranda, bregdeti. Aty në Leshnicë lind dhe vdes Krishti, sipas ungjillit të babait, të gjyshit, aty ndodhin gjithë mrekullitë e gjithë hatatë e mëdha biblike të botës. Edhe gjeneza.

Pasi mbaroi gjithçka, tani duhej kërthiza./ Dhe lidhja duhej bërë në gjenezë, me një fije gjineshtre nga Leshnica

.Por ky ungjëllizues i së përditshmes, i lëndës së përjetshme të kësaj treve, natyre, nuk shpreh atë që sheh dhe atë që njeh, ai dhe e krijon atë. Është gatues i kësaj lënde. Ai ribën gjenezën, e mbrun edhe një herë në magjen e krijimit. Atë që bën dielli, toka, stina e bën edhe poeti. Një nga fjalët jo pak të përdorura të tij është kjo: gjeneza. Kush mund të mëtojë të hyjë në garë me një energji të tillë që vë në lëvizje të mrekullueshmen, kush mund të hyjë në garë me krijuesin? Poeti në këtë rast përjetëson, ngurtëson çastin, që vetë natyra në rendjen e saj e tejkalon. Poeti ndërhyn në vrapin e çastit, të natyrës, të ikjes së ditës, të orës, të minutit, të sekondës dhe i ndal, i ndërpret, përzgjedh nga dritat e ngjyrat që fiken në pakthim, mbledh përfytyrimet e çastit, i përzgjedh, i ngjiz bashkë këto fragmente jete dhe duke i kaluar në ajrin e gjuhës, ngritur në planin e së imagjinuarës, i çon më përtej se sa ato janë në të vërtetë dhe do të jenë ndonjëherë, i vë në atë hapësirë dhe kohë që dhe natyra nuk e arrin dot. Kohë dhe hapsirë reale të gjallë të qëndrueshme nuk ka. Ato ndizen, veniten e shuhen në çast, por poeti ka një kanal, një shteg nëpër të cilin rrjedh një kohë dhe hapësirë tjetër, koha e poezisë. Në këtë kohë të universales, kohë tjetër, tjetër nga ajo e bimëve, e ndërrimit të orëve, ditëve dhe e netëve brenda stinëve e tej stinëve, -në këtë kohë të pakohë- tjetër nga ajo kohë e elizeut, edenit, parajsës, ferrit a lumit të Lethës, në këtë kohë që është e ngërthyer në damarë, në mure mishi dhe gjaku te poeti. Poeti nuk e di, mbase dhe e di, që është vrundullia e një lumi kohe tjetër që merr hov brenda tij. Aty në atë kohë të poezisë, të letërsisë, po lulëzove, linde a vdiqe, nuk do të kesh kurrë fat tjetër, ashtu do të mbetesh përgjithmonë.

Kjo është ta bësh botën me ca fije imazhesh, ca guriçka imazhesh, me ca degëza imazhesh, me drurët e deri me pyjet e imazheve. Në këto shekuj të kinematografikes, të TV-së, ku gjithçka kthehet në imazh dhe poezia duhet të jetë vizuale. Sa më shumë detaje, fibra e fije imazhesh të enden, të thuren horizontalisht dhe vertikalisht në një afresk, aq i pasur është krijimi. Qilimat janë të thukët e të rëndë jo nga trashësia e gjalmit, por nga sasija e nyjeve, nga përpunimi i brendshëm i tyre. Në pikturë një njollë pak e shumë e dukshme, e madhe, e okrrës a e violetit qoftë, po t’i afrohesh, do të vëresh se ajo është e pikturuar në çdo milimetër, ndaj specialistët, për të parë mjeshtërinë e pikturimit, e shohin edhe me lupë atë. Kështu dhe teksti i poezisë së Niko Kacalidhës është i dëndur në ngjyra, imazhe, në ndërlidhje të befta e të papritura të përfytyrimeve, në dritë, kohë, lëndë. Surrealistët i besuan automatizimit të gjuhës, shpërthimit të përroit ekstazik të gjuhës, shkuan gati drejt një patologjie të së përfytyrueshmes, në deformimin e imazheve. Te Kacalidha, edhe se punohet me këtë teknikë, ah-u i mahnitjes nga krijimi spontan i imazhve në lojën e fantazisë ruan tejdukshmërinë, sidoqë edhe ky poet luan rëndshëm me derdhjen e bujshme të imagjinatives.

7. Gurët dhe zogjtë

Në poemën ‘Eliksiri i gurit’ rimerren temat e librit ‘Profecitë e drurëve’. Këtu përtej ankthit ekzistencial, duhet të ndalemi te kozmogonia e këtij poeti, kozmogoni në kuptimin ide, frymë mbi origjinën e krijimit dhe të zhvillimit të universit. Mali dhe guri janë në qendër të vlerave në një fantastikë të onirikes, në makthe natore, makthe të pandalshme që zhbëjnë kozmogoninë e Kacalidhës, e zhbëjnë çdo ditë, çdo çast. Cilët janë? Askund nuk duken, por janë. Poeti i dashuruar në virgjërinë e parë, në gjenezën, nuk mund të mos ketë frikë zhbërjen e saj. Ne vdesim dhe e përditshmja vdes, dhe ç’bleroi e u ngjiz në këtë stinë, në tjetrën vdes. Poeti ç’ duhet të bëjë, t’i vështrojë ftohtë këto përjetësi që fiken, të mos dojë që t’i ndalë, të mos u dalë përpara rrjedhave kaotike të kohëve që pamëshirshëm i zhdukin? Poeti është zheloz, konservativ, ngurtësues sa edhe krijues i një bote ku e ndien veten bashkëautor me natyrën, demiurgun. Ai madje e adhuron krijesën. Ai është oshënari, asketi, eremiti, profeti, pagëzuesi, ungjëllizuesi dhe aedi i kësaj bote që duhet mbrojtur çdo ditë. Ai është në kozmogoninë e përditësive, të çasteve të vogla e të pakapshme, të ngjyrave, mahnive që janë aq të brishta dhe s’ka zot tjetër veç tij që u del në mbrojtje. Ky ëngjëll mbrojtës mohon veten për çfarë dhe e krijon. Dhe kështu krijon kultin e dheut, dritës, detit, të mesdhetarës mpleksur këto me të mvrenjturën e bjeshkatares, fantazmagoria e dritave, e zogjve projektohet në mjegulla malesh. Në këtë fantazmagori frymon ajo që e quajtëm kozmogoni e tij, dallgët e brishta, të njoma, si rreshje të kristalta nga ngjyrësia dhe drita e bimëve e ajrit e detit, po dhe murrëtia e malit dhe e drurëve, dhënë përmes strukturave të holla poetike që në Eliksirin e gurit imitojnë teknikën e hajkut japonez-imitimi lirshëm, vetëm për nga fryma në rrokjen e përjetësisë dhe freskisë befasuese të çastit, të çaseve që të rregjstruar njëra pas tjetrës, brenda logjikës së fragmentares krijon afreskun e madh të poemës në një rrjedhë gati arkaike por të pashterrur për nga forca e krijimit dhe e gjallimit të jetës mbi tokë. Një frymëmarrje e vjetër, por e sigurtë e botës.

Jashtë kullotnin luleshqerrat, harruar mbrëmjeve gjer vonë./ Trembesha mos i hanin ujqit…një degë limoni në dritaren e perëndimit./ Në kyçjen e dyerve ishte ndezja e yjeve./ Qielli pa fund dhe pa anë përmbi detet e dallandysheve./  Pa më thoni e kaltra si mund të qe ndryshe?/ Në dinastinë e ciklaminëve, në një vijë janë vënë ciklaminët./ Ngjiten dhe zbresin brigjeve./ Vajzat kërkonin të kapërcenin ylberin.. /Goditën vjeshtës me kapsollën e mollës dhe shkrepëtinë thikat e vetëtimave…

Dhe atmosfera është e një makthi, e një apokalipsi shfarosës. Imazhet veç qepen, vërtetë qepen në varg. Dhe në të njëjtën kohë vjen një qëndresë e pandërprerë, një epikë e së rëndomtës, por dhe e gjërave më të rëndësishme të tokës , të atyre që janë kripa e tokës, e dritave që treten e ndizen.

Në emër të gurit, të drurit e të atit.

Dikush mund të mendojë që kjo është qëndresa e një etnie. Mirë. Një tjetër mund ta marrë dhe si qëndresën tragjike të etnisë tjetër, të asaj që kaloi nëpër një shkretim apokaliptik të imponuar nga një ideologji totalitare. Kjo është brenda polisemisë kuptimore që e lejon leximi i kësaj poezie. Poeti Kacalidha nuk shprehet asnjëherë me terma të politikes. Nuk jemi ndër ata dhe për atë që poezinë ta barazojmë me ideologjinë, apo teologjinë e kombëtares. Poezia, siç e kemi thënë, është gjuhë. Ai pi në kthjelltësitë më të buruara të gjuhës shqipe, siç thith dhe mbrun dhe në gjuhën e nënës së tij, në magna lingua greca, e cila mund t’i mjaftonte plotësisht. Ja, edhe në këto kohë të vështira ai është lavrëtar edhe në gjuhën shqipe. Poeti është universal në artin e tij. Që shkruan shqip, kjo është në të mirë të artit të tij përgjithësisht, shpalos gjerësinë e kapaciteteve të tij, pra është në të mirë dhe të poetit dhe të njeriut Niko Kacalidha.

Marrim një nga mrekullitë e tij, mbase kryeveprën e tij, poemën Pagëzimi i zogjve. Ungjëllizues, pagëzues i zogjve, i këtyre gjallesave eterike, që i përkasin qiellit, që nuk njohin kufinj dhe gjuhë tjetër veç cicërimës, që është kudo dhe kurdoherë e tyrja. Kjo poezi e madhe e tij, mbase dhe emblema e artit të tij-ai shënjtëron fluturaken në jetë, dhe njëkohësisht e përjetëson dhe e fikson në gjuhë, në fjalë atë. Ai është aq qiellor dhe aq tokësor si zogjtë, aq i brishtë në artin e tij dhe aq i fortë si zogjtë- aq me flatra e aq me fyej të hollë si eshtrat e zogjve dhe kërcenjtë e barit, ai këndon të pakapshmen, qielloren e të magjeps si zogjtë që zbukurojnë jetën dhe tokën, pa kërkuar stehë, bukë, ujë, pa vënë ndonjë detyrim veç të këndojnë, të fluturojnë e të përtërihen pambarimisht. Kacalidha na çon te kjo mrekulli e pafajësisë virgjërore që jeton me drurët, jeton përtej nesh dhe pavarësisht nga ne, mrekulli e lirisë, e qiellit, e natyrës, ashtu siç i ka krijur krijuesi në ditën e pestë të gjenezës, një ditë para se të krijonte njeriun. Në poemën Eliksiri i gurit, poemë e një plani tjetër, autori e identifikon veten me një zog, zogun e borës:

Se e mbaj unë borsi i gurit,/ brengën e profecisë së fundit.

8. Një lavrëtar i shqipes

 E para ishte fjala. Jo edhe po. Është poeti, N. Kacalidha vjen  i pari. Është poezia. Shënjtërimi i jetës në terma të teologjisë biblike, helenike a bizantine kalon nëpër flegrat e mushkërive, nëpër vijëzimet e vragat e trurit të Nikos. Ai- shënjtëruesi i shënjtërive, farëmbjellësi dhe po ai lavrëtari që tashmë korr të lashtat me drapërin e gjuhës. E gjuhës… Këtë herë vijnë shqip, po, në një shqipe të bukur janë dhënë shënjtëritë e përjetësive të prekshme. Thamë farëmbjellës e lavrëtar i gjuhës, se bota lind nga e para në fjalë, në gjuhë… shqip edhe greqisht, edhe në çdo gjuhë tjetër. Po, mbase, shënjtërimi i fjalës njeh një gjuhë tjetër të lëngët, të ajërt, gjuhë frymërore që lind në trurin e poetit, me fjalë të panjohura, në një lëndë gjuhe më të lashtë se sa fjalën ta shqiptonte e ta fliste i pari Adami. Dhe Adami fliste një gjuhë të përbotshme e të vetme, fliste para se gjuhët t’i ndante e t’i capërlonte kulla e Babelit. Me poezinë i pari ka folur krijimi, demiurgu. Niko Kacalidha në rastin tonë. Atë që njerëzit e prishën, e thërrmuan në Kullën e Babelit, më gjerë dhe më mënçur e bënë poetët. Mendja e tyre me kohë punon me lëndën e një gjuhe universale, të përbotëshme. Të lumë janë ata prej tyre që arrijnë ta shprehin në libra, në një gjuhë të caktuar, gjithë atë materje drite e gjuhe të lartë që lëvrin e i mbush me shkëlqim gjithë mënçuritë dhe thellësitë njerëzore. Kjo është një nga përmasat e para të poezisë, ajo përtërit gjenezën, lind sërisht botën, tonën, botën e përjetësive që përsëriten në eternitetin e pafund me ambrozinë e parasokratikëve: dhè, ujë, ajër, zjarr, me frymën e atij që në gjashtë ditë bëri jetën, pastaj vjen ungjëllizuesi e pagëzuesi.

Kacalidha vjen si një poet që shënjtëron shqip, me një shqipe që ka amat e saj të rrënjëta, me arbërishten deradiane, me lëndën e rapsodive stërgjyshore, me finesat dramatike lasgushiane, me venën heroike të kreshnikëve. N. Kacalidha e ka pirë thellë qumështin e trashë e të plotë të kadishtes së gjuhës shqipe. Në thithkat e gjuhës së tij qumështi vjen e mblidhet rruaza-rruaza, krua- krua… shqip. Mua më bën ta dua këtë poezi – gjuhë. ideologjitë janë vetëm dritare që hapin dhe mbyllin kapakët prej dheu nga bulbat e zambakëve dhe rrënjët e mbledhura grusht, ngrirjet akull të gjuhës, nxjerrin filiz dhe shpërthejnë në diell… ashtu me pak kokërriza, me pakë aromë balte sipër. Veç se kur shpërthejnë, ama e poezisë i mbyt gjithë aromat e tjera, gjuha poetike bëhet lënda dhe brumi i vetëm, kjo formë, kjo gjuhë bëhet përmbajtje, përmbajtja më e lartë se ideologjitë e teologjitë. Të vërejmë, sa për të cekur seç fjalë shqip vijnë në këtë poezi: mitare, tarrogëzat e borës,  cinxëroj, gujava, gufalla, terratore e tmerrit, absida abrashe, angra, spithare, gjethërim, shkretane, flokërishtat e mbrëmjes, bjeshkë, buthëtoi,  murgjari i reve.. Kacalidha njeh dhe tingëllimin e bukur, ka shijen, e ndien shqipen dhe e pasuron shijen e kësaj gjuhe dhe për këtë do të mjaftonte përmendja e disa aliteracioneve që në poezinë e tij janë të panumërta:

…thërrmon me thundrat e thembrave të vetëtimave… Kur kriste kokrra e shegës nga pickimi i krillave… Në rrasat e varura të reve thera korbin… Nga poleni i puthjes buthtoi gjethi i pritjes… Të rrëmbej gurë, gjethe e diej… Burime me uri virgjine… Në rribë ere rrinte dhe breronte bora.. Kam gurrat e mia gurruar nga gusha e gushkuqit…

Poezia e tij ka një arsenal të tërë termash nga mitologjia e lashtë dhe nga teologjia bizantine: si altar, absidë, ungjill, koncil etj. Vertikaliteti dhe thellësia shumështresore që japin këto inkursione në lashtësitë biblike, homerike dhe kristiane flasin për një traditë që në trevat tona është e prekshme, për autorin ca më shumë. Është si të projektosh të sotmen në një ekran të hershmërisë, si një fluturim transhedental, prej të cilit e sotme-e nesërme të rikthehen pas në fomën e një harku gjithmonë në ajër. Si guri i flakur mbi një mur, mbi dete, shtëpi, por me qëllim që guri të kthehet pas, mbi kokën tënde dhe të mos ndalet as në të nesërme, në përjetësi. Por, veç kësaj, poezia e tij në fjalë, në terma ka dukjen e miteve të lashta, se njëherësh vjen dhe çmitizimi i tyre: Bari pagan i shënjtërisë së parë… Krishti u kryqëzua në Leshnicë. Brigjeve të mia varur në bustet e Akrokerauneve s’ia varën Barabait./ Në një degë rrapi u gjet i varur në shtratin  e lumit sipas ungjillit të babait.

Në emër të gurit, në emër të drurit, në emër të atit.

9 …dhe enigmat janë përpara

Kacalidha i rimerr jo vetëm si fjalor, si terma, por dhe drejt për së drejti, i trajton në poezi të veçanta, temat nga tempujt e lashtë të antikitetit: kimerën, sfinksin, mitin e Trojës, të sirenave, të Poseidonit dhe të Odisut. Si gjithë poezia e tij, mbajtur në fillin e njomë dhe të buruar të imazheve, dhe poezia mbi mitet e lashta është një çlirim nga makthet, nga përgjigjet e dhëna që prapë nuk reshtin së mbeturi enigma e që presin përgjigje përderisa jeta, ekzistenca, vazhdon të ngrejë prita përpara njeriut e brenda vetë njeriut. Arti asnjëherë nuk i ka të shterrura përgjigjet, ashtu si dhe jeta. E kështu sfinksat që mbeten të gjallë e përgjojnë pas shkëmbinjve të së panjohurës, do të na mundojnë për sot e për nesër. Cilat do të jenë përgjigjet e N. Kacalidhës për tani, për nesër? Poezia, vetëm poezia, të shkruarit. Kjo është puna dhe ky – misioni i tij.

Ai është një poet madhor në letërsinë shqipe dhe në letërsinë greke. Ai është  vërtet me fat që mundi ta shfaqë kaq madhërisht artin e vet. Nga brezi i tij, nga gjithë ç’e filluan poezinë bashkë me të në vitet ’70, të paktë, as sa gishtat e njërës dorë, janë ata poetë që tani në vitet 2000 e rinovuan verbin poetik shqip si ai, Niko Kacalidha. Shumë nga poemat që u shkruan në vitet ’60 e ’70 të shekullit që shkoi, për arsye që dihen, tani nuk lexohen më. Duke sjellë teknika poetike nga poezia e Ricosit, Seferit, Elitisit, duke i përthyer ato në një gjuhë dhe sintaksë të tijën, në shqip, duke e çliruar vargun nga prangat e metrave, por jo nga ritmi, duke eksperimentuar në shqip metrat klasikë, hekzametrin e çliruar, teknikën e vargjeve të psalmeve biblike, poezia e Kacalidhës sjell një kuotë të re, të lartë në gjithë sa u shkrua në gjysmë shekullin që shkoi e deri më sot.

Tiranë, tetor 2004.

Please follow and like us: