Besa Tafilaj Pinchotti, e ftuar në Shtëpinë e Bardhë
Besa Tafilaj Pinchotti, Drejtore Ekzekutive e NMFA, e ftuar në Shtëpinë e Bardhë
Ramiz LUSHAJ
Shtëpia e Bardhë në Washington, në ditën e 4 korrikut, në Festën e 246 Vjetorit të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kishte ftuar speciale edhe shqiptaro-amerikanen e njohur, Besa Tafilaj Pinchatti, Drejtoreshë Ekzekutive e Asociacionit Nacional të Familjeve Ushtarake të SHBA-ve (National Military Family Association), e shoqëruar me dy nga tre fëmijët e saj: vajza Zana e djali Loriku.
Besa Tafilaj është vajza e veprimtarit, filantropistit e botuesit të njohur shqiptaro-amerikan, Ramiz Tafilaj, i cili kohët e fundit u vlerësua nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me dekoratën e lartë “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” (New York, 12 qershor 2022), i dekoruar nga Presidenti Amerikan Donald Tramp me Çmimin “Për arritje jetësore” (2019); mban titullin “Qytetar Nderi” i Vushtrisë dhe Çelësin e këtij qyteti të Kosovës (2021), Çmimin e lartë “Mark Krasniqi” (në Plavë-Guci, Mali i Zi, 1 gusht 2021), etj.
Besa Tafilaj ka lind dhe është rritë në Houston të Teksasit, krye studimet e larta për gazetari e biznes në Universitetin e Teksasit, ndërsa magjistraturën në University of North Carolina. Në CV-në e saj ka shënuar një karierë të suksesshme si gazetare e prezantuese (folëse) televizive, si në rrjetin televiziv amerikan ABC etj., e, siç e thotë veprimtari i shquar shqiptaro-amerikan, Faton Bislimi: “duke qenë edhe autore e disa raportimeve ekskluzive për Luftën në Kosovë në TV-të amerikane”. Besa është e martuar me David J. Jr. Pinchotti, një oficer i Marine Corps të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e kanë tre fëmijë me emra tipik shqiptarë: Lira, Zana, Lorik, të cilët gëzojnë dhe përkujdesjen e nënës së saj, gjyshe Diana Tafilaj.
Veprimtarja elitare Besa Tafilaj në më shumë se një dekadë kohore ka qënë Drejtoreshë për Avancim në NMFA, e cilësuar si organizata ma e çmuar e familjeve të pjestarëve të forcave të armatosura të SHBA (e themeluar në vitin 1969), organizatë me respekt të jashtëzakonshëm e vlerësime të larta në popullin amerikan, në institucionet shtetërore amerikane në Washington D.C. dhe kudo tjetër në Amerikën kontinentale e ishullore, si dhe në seli diplomatike amerikane, në institucione e shoqëri civile amerikane kudo në botë.
Besa Tafilaj, e zgjedhur kohët e fundit Drejtore Ekzekutive (CEO) e Asociacionit Nacional të Familjeve Ushtarake të SHBA-ve (National Military Family Association) është mirëpritur lartësisht nga Presidenti Amerikan, Joe Biden, para një muaji, në maj 2022, e shoqëruar dhe me jehonë mediatike në SHBA dhe në shtete e treva shqiptare në Ballkan, edhe në rrjete sociale.
Prania elitare e Besa Tafilaj Pinchotti, në veprimtarinë solemne e festive të 246-Vjetorit të Pavarësisë së SHBA, në kopshtin e Shtëpisë së Bardhë, me dy fëmijët e saj, është nderim për dy mbiemrat e saj shqiptaro-amerikan, edhe për të gjitha Familjet e Ushtarakëve në SHBA, edhe për Komunitetin Shqiptar në SHBA dhe për shqiptarët në Ballkan e kudo tjetër në botën e kohën e sotme.
Njohja e miqësia e mirë në mes familjes Tafilaj e Biden ka nisur që në vitin 1986, në ma shumë se tre dekada, kur Biden ishte senator i Senatit të SHBA, duke vazhdimue në interes të Amerikës e Kombit Shqiptar, ndër breza, nga Ramiz Tafilaj e deri tek vajza e tij, Besa Tafilaj Pinchotti me familjen e saj, me fëmijët e saj.
Besa Tafilaj Pinchotti, Drejtore Ekzekutive e Asociacionit Nacional të Familjeve Ushtarake të SHBA-ve (National Military Family Association), e cila ka qënë e pranishme dhe në faqet e “Gazeta e Alpeve” (media panshqiptare e ndërballkanike), është e Ftuar Nderi në “Kuvendi Kombëtar i Alpeve”, në Vermosh të Malësisë së Madhe të Qarkut të Shkodrës, me 31 korrik 2022 dhe në “Takimi i Tretë i Plavë-Gucisë”, në shtëpinë e kulturës në Vuthaj, Plavë-Guci, Mali i Zi, më 1 gusht 2022, ku do të ketë një Përshendetje të veçantë dhe do të vlerësohet me Mirënjohje (Çmim) të lartë për veprimtarinë e saj.