Albspirit

Media/News/Publishing

Dita e Pavarësisë së ShBA-ve, një simbol i vlerave të lirisë

ANASTAS ANGJELI

I. HISTORIA DHE SIMBOLIKA

Ka nga ato data që kanë shënjuar historinë dhe që janë konsideruar si pika referimi për mbarë njerëzimin. Këto data nuk janë numra të shënuar në letër, sepse në thelb funksioni i tyre nuk është vetëm përkujtimor apo thjesht sinjalizues. Përmasa e këtyre datave është mbi të gjitha simbolike. Dhe për politikën simbolika është një komponent i domosdoshëm, madje jetik. Përndryshe, çfarë është tjetër realiteti politik nëse nuk është një tërësi i bashkërenduar dhe i organizuar simbolikash të cilat shërbejnë si frymëzim për veprimtarinë politike? E parë në këtë kontekst, 4 korriku është njëra prej këtyre simbolikave – dhe një nga me te rëndësishmet. Për vit, në atë datë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kremtojnë Ditën e Pavarësisë, e cila u nënshkrua më 4 korrik të vitit 1776, në qytetin e Filadelfias. Teksti i Deklaratës së Pavarësisë (The US Declaration of Indipendence) u hodh në letër paraprakisht nga Thomas Jefferson dhe Benjamin Franklin, e pastaj u miratua, pikërisht më 4 korrik 1776, nga Kongresi i Përfaqësuesve të 13 shteteve të atëhershëm themelues. Ky tekst që është në thelb një dokument politik, qartësisht i frymëzuar nga idetë e liberalizmit klasik, konsiderohet si akti i themelimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Revolucioni amerikan, ngjarja madhore që e ngjizi dhe i hapi rrugë pavarësisë, ishte në thelb një luftë 8-vjeçare midis Britanisë së Madhe dhe 13 kolonive të saj në Amerikën e Veriut e që zgjati nga viti 1775 deri më 1783. Si çdo luftë përmbante elemente të theksuar ideologjikë, ekonomikë, historikë dhe socialë. Fara e atij konflikti ishte taksa e rëndë e vendosur nga Londra ndaj kolonive amerikane – kërkesë që shkaktoi shqetësim te banorët, të cilët kërkuan lirimin e tyre, fillimisht, nga kujdestaria e ashpër financiare. Si rezultat, amerikanët ndaluan blerjen e çajit dhe madje hodhën ngarkesa të mëdha çaji në portin e Bostonit më 16 dhjetor 1773 – protestë e hyrë në histori si Boston Tea Party. Reagimi britanik nuk vonoi, duke dërguar 4000 trupa për të pushtuar qytetin. Ngjarja dhe reagimi i qeverisë londineze shënuan prologun e luftës amerikanobritanike. Konflikti nuk ishte një ngjarje e izoluar dhe as nuk kaloi pa bërë bujë ndërkombëtare. Britanikët dërgonin vazhdimisht përforcime, sakaq që amerikanët përpiqeshin të mbanin gjallë frymën e revolucionit. Franca, nga ana e saj, dërgoi ndihmë financiare për rebelët amerikanë; deri edhe trupa. Përfundimisht ushtria angleze u shpartallua në Virxhinia më 19 tetor 1781. Lufta përfundoi zyrtarisht vetëm me Traktatin e Parisit më 3 shtator 1783, me të cilin Anglia ia lëshoi territoret e saj Shteteve të Bashkuara.

Si pasojë e gjithë asaj përpjekjeje titanike për liri e pavarësi, që prej 246 vitesh, 4 korriku përkujtohet në SHBA dhe rrezaton simbolikën e vet madhështore në pjesën tjetër të botës. Kudo ku popujt kanë ndërmarrë betejat e tyre për një të ardhme më të mire, kudo ku qytetarët kanë luftuar për liri, prosperitet dhe demokraci, kjo datë i ka frymëzuar dhe i ka shtyrë të shpresojnë gjithashtu për më të mirën.

E kaluara asnjëherë nuk fashitet, por pranë nesh historia asnjëherë nuk është thjesht e kaluar, por një tjetër fushë veprimi e së tashmes. E kaluara ushqen të tashmen në mënyrë të pandërprerë me mësime, përvojë, vazhdimësi, por edhe e tashmja e pajis të kaluarën me kornizë, me kontekst, me përmbajtje. Kjo është marrëdhënia e pandërprerë dhe dialektike e së tashmes me të kaluarën. Në këtë këndvështrim, rëndësia e së shkuarës dhe e çasteve kyç të saj fiton një tjetër vlerë, sidomos kur e tashmja është tragjike, kaotike dhe tronditëse. Dhe dita 4 korrik, Dita e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nuk mund të bënte përjashtim nga ky rregull.

II. SHBA DHE POHIMI I VLERAVE TË LIRISË E DEMOKRACISË NË NIVEL GLOBAL

Në themel të Revolucionit Amerikan, që së bashku me atë francez ndikuan aq shumë në historinë e mëpasme botërore, gjendet një sistem vlerash të mbështetura mbi konceptin e lirisë: një ide kaq e lavdishme, sublime dhe fisnike e cila ka frymëzuar dhe vazhdon të frymëzojë frymën njerëzore që nga lashtësia e deri në ditët tona.

Megjithëse jetojmë në epokën e përhapjes me shpejtësi marramendëse të informacionit, të teknologjisë që e përçon dhe te internetit e rrjeteve sociale, përsëri liria nuk mund te merret dhe te konsiderohet si e mirëqenë. Në një botë si kjo e sotmja, kur problemet sociale si pasojë e krizave ekonomike e financiare globale, kanë ardhur duke u rritur, ku varfëria në disa rajone të botës është shndërruar në një plagë permanente, ku rreziku i pandemisë gjendet akoma mes nesh, ku demokracia liberale (ashtu si dhe vetë demokracia në formën e saj përfaqësuese) mbetet e kërcënuar, ku konfliktet rajonale po rishfaqen në trajtën e tyre më të egër, është pikërisht ideja e lirisë që duket e vënë në pikëpyetje. Dhe bashkë me të një sistem i tërë vlerash i ndërtuar mbi lirinë.

Që prej vitit 2008, vit i krizës së madhe financiare, ndryshimet ekonomike, politike, ushtarake, gjeostrategjikë në nivel global kanë qenë jo vetëm të përmasave të mëdha, por edhe të njëpasnjëshme. Kriza, rrjedhojë e pandemisë dhe kjo e sotmja e luftës së Rusisë në Ukrainë, këto fenomene po i thellojnë dhe përshpejtojnë më tej. Stabiliteti relativ gati 50- vjeçar i Luftës së Ftohtë, si dhe 15 vitet që pasuan fundin e saj, krijuan idenë se rendi ndërkombëtar i bazuar në disa marrëveshje ndërmjet aktorëve kryesorë do të mund të siguronte një qëndrueshmëri të përhershme. E megjithatë, krizat e njëpasnjëshme shumëdimensionale duket se e ndryshuan njëherë e mirë jo vetëm realitetin politik ndërkombëtar, por edhe perceptimin mbizotërues në lidhje me këtë realitet. Në gjithë këtë zinxhir ndryshimesh, që mbërritën kulmin me luftën e sivjetshme në Ukrainë, nevoja e një lidershipi të vendosur për të mbrojtur vlerat e liberal-demokracisë dhe të lirisë, në kuptimin individual, por edhe kolektiv, është bërë më i domosdoshëm se kurrë. Dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës qëndruan dhe po qëndrojnë në këtë periudhë të vështirë si mbrojtësi më i mirë i këtyre vlerave, i idealit të lirisë dhe i demokracisë liberale, duke respektuar vetë kujtimin e revolucionit të tyre dhe të luftës së tyre për pavarësi.

Me qëndrimin e tyre të palëkundur për mbrojtjen e lirisë në Ukrainë si dhe me vendosmërinë e tyre për të mbështetur aleatët evropianë dhe vetë projektin e integrimit evropian që mishërohet më së miri në Bashkimin Evropian në një periudhë të tillë konflikti, SHBA dhanë edhe një herë provën e dëshmuar disa herë në të kaluarën se janë garancia më e mirë e lirisë në nivel global. Në këto muaj u duk më shumë së kurrë nevoja e forcimit të dy strukturave politike, NATO-s dhe BE-së. Nevoja e forcimit të arkitekturës së sigurisë euro-atlantike është një garanci për të gjithë vendet – dhe më shumë për ato me mundësi të kufizuara – për të përballuar sfidat që duken gjithmonë e më shumë të ndërlikuara.

Nga ana tjetër, edhe forcimi i një strukture sui generis, siç është Bashkimi Evropian, si hapësirë e vlerave demokratike dhe e respektimit të të drejtave të njeriut, por edhe e një modeli të caktuar ekonomik, fiton një rëndësi të madhe në kontekstin e kohës, në të cilën jetojmë. Për të dyja këto struktura, për unitetin e veprimtarisë së tyre, mbështetja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është dhe do jetë thelbësore. Me qëndrimin e tyre në këtë periudhë, SHBA treguan se e lidhin të ardhmen e tyre me partnerët evropianë jo thjesht duke u bazuar në përllogaritje të ftohta politike, por në një sistem vlerash të përbashkëta. Dhe kjo është arsyeja se përse këto marrëdhënie janë aq solide, pavarësisht stuhive që heraherës fryjnë në marrëdhëniet globale. Kjo u dëshmua edhe njëherë dhe më së mirë në Samitin e fundit të G7 dhe ne veçanti në Samitin e NATO-s në Madrid, ku roli i SHBA është vendimtar ne ridimensionimin e rolit të NATO-s, në forcimin e aleancës dhe garantimin e sigurisë ndërkombëtare.

III. SHBA DHE SHQIPËRIA: NJË HISTORI E PËRBASHKËT 100- VJEÇARE.

Ky përvjetor i sivjetshëm i pavarësisë së SHBA-ve përkon edhe me një datë të shënuar: këtë vit, Tirana dhe Uashingtoni kremtojnë 100-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet tyre. Për një vend të vogël si Shqipëria, i cili ka kaluar aq shumë sfida në të kaluarën e tij dhe që ka akoma më shumë në të ardhmen e vet, SHBAtë janë jo vetëm mbështetësi politik më i rëndësishëm, por partneri strategjik gjithëplanësh, por edhe shembulli më i mirë për t’u ndjekur.

Nevoja bazike që ka shoqëria shqiptare, veçanërisht këto 30 vitet e fundit, është ndërtimi i një sistemi politik të pastër dhe funksional, i cili do të mundësojë krijimin e kushteve të përshtatshme për të zhvilluar një sistem ekonomik të drejtë me mundësi të njëjta për të gjithë, ashtu si dhe një drejtësi funksionale për të gjithë. Në mënyrë konstante dhe në veçanti në tri dekadat e fundit, SHBA-të kanë qenë pranë Shqipërisë në çdo reformë të rëndësishme, në çdo moment politik të vështirë, si në politikën e brendshme, ashtu edhe në atë të jashtme. Ato kanë qenë promovueset dhe ndihmëset kryesore të integrimit të Shqipërisë, pas dhjetëvjeçarësh izolimi, në një sistem global gjithmonë e më shumë dinamik – që nga anëtarësimi i vendit në organizata ndërkombëtare, si NATO-ja në veçanti, deri te pranimi i Tiranës si anëtar i përkohshëm i Këshillit të Sigurimit, ngjarje pa precedentë në marrëdhëniet me jashtë të Shqipërisë. Njëkohësisht, do të ishte e vështirë të mendoje se si do të mund të ishte zgjidhur çështja e Kosovës nëse nuk do të ishte politika e vendosur e Shteteve të Bashkuara. Do të ishte akoma më e vështirë të mendohej se si do të ishte arritur hyrja e Shqipërisë në sistemin global të aleancave politike-ushtarake nëse nuk do të kishte ekzistuar mbështetja politike e Shteteve të Bashkuara. E njëjta gjë mund të thuhet për Reformën në Drejtësi, luftën kundër korrupsionit apo edhe për integrimin evropian të vendit.

Në të njëjtën mënyrë, si edhe vetë ekzistenca e Shtetit shqiptar i kushtohet, ndërmjet të tjerave, edhe Presidentit të atëhershëm të SHBA-ve, Woodroë Wilson, ashtu edhe zhvillimeve më të rëndësishme të Shqipërisë në 30 vitet e fundit, janë rezultat edhe i mbështetjes së pakufishme të SHBA. Sot më shumë se kurrë, për ta lidhur edhe me atë që përmendën në fillim të shkrimit, është e rëndësishme ta kujtojmë këtë histori. E të vjelim nga simbolika e saj ato mësime, atë frymëzim, që e bën të nevojshme të shkuarën në drejtim të përparimit të së tashmes dhe së ardhmes. Për këtë arsye, urimi i këtij përvjetori të Deklaratës Amerikane të Pavarësisë, është edhe një urim për gjithë miqtë e SHBA-ve: e Shqipëria zë me krenari një vend të posaçëm mes këtyre. /Panorama/

* anëtar i Akademisë së Shkencave, RSH

Please follow and like us: