Ismail Xhaferi: Shqipëri moj, ç’fat që ke
Shqipëri moj, ç’fat që ke,
Çdo pëllëmbë e kafene,
Ku del tymi i hashashit,
Dhe këndon grykë e kallashit!
Shqipëri, vend plot çudi,
Çdo shtëpi e një parti,
Zot, more i madhi zot,
Pa mitingje s’rrojmë dot!
S’duam ujë e s’duam drita.
S’duam bukë e s’duam grurë,
Zot, more i madhi zot,
Pa parti mos na lë kurrë!
Sipas kokës edhe festen,
Ndaj të themi të vërtetën,
Pa këta plotikanë,
Nuk e duam fare jetën.
Shqipëri, moj Shqipëri,
Vend i vetëm pa ushtri!
Eh, sa keq ndihet flamuri
Tani s’kemi as pushkë druri.
Plot gjyqtarë e prokurorë,
Plot doktorë e profesorë,
Prej qytetit e katundit,
Po sërish ne prap të fundit.
Plot gjyqtarë e prokurora,
Sa banditë, aq edhe horra,
Nuk ka gjyqe, por pazar,
Rroftë drejtësi e vrarë!
Ne të parët në nënshtrim,
Më të çuditshmit e globit,
Nuk ka mbetur më njeri,
Pa u shpallur “Nderi i Kombit”!
Nuk ka gjoks pa dekorata,
Për të gjithë ndrin ylli i fatit,
Nuk mbeti asnjë fshatar,
Pa u shpallur “Nderi i fshatit”!
Klubet plot me të papunë,
Ku rakia derdhet lumë,
Koha kurrë s’mund t’ju teprojë,
Se zënë gjithë botën në gojë.
Lëviz gjuha nëpër dhëmbë,
Nuk lamë hoxhë pa i bërë këngë
Që nga Shkodra gjer në Vlorë,
Janë vetshpallur mjaft shenjtorë.
Shumë parti e shumë shoqata,
Që i kanë duart të gjata,
I shërbejnë vetëm lekut,
Dhe flasin kodra pas bregut.
Dhe të huajt që na vijnë,
I shikojmë si perëndinë,
Vetëm në Facebook të gjithë,
Japin jetën për lirinë.
Në Facebook, çdo ditë e natë,
Qindra njerëz grinë sallatë,
Mbushur Facebook me lule,
Tava, pilaf e fasule.
Shqipëri me male pyje,
Me plot 140 yje,
Demokratë e socialistë.
Që zgjedh populli në listë.
Ca pushtet, ca opozitë,
Yje që nuk bëjnë dritë,
Ca të rinj e ca flokëbore,
Që i thonë këmbës dorë.
Ja pra, nuk ka shumë sekrete,
Pse flet populli me vete…
Populli që sallat mbush,
Flet. por s’e dëgjon askush.