Albspirit

Media/News/Publishing

   Viron Kona: Për ty Kosovë

 

 

 

 

Si feniksi i legjendave u ringjalle!

 

Dëshiroj të të shpreh disa fjalë të ngrohta zemre,

Të ndiej gjakun e heronjve që në trup të vërshon,

Të puth brazdat në ballin e gjakosur nga plumbat,

Të ledhatoj trupin tënd të plagosur që fërgëllon.

 

Të ndiej në çdo pore të trupit tim, e jona Kosovë,

Të shoh përherë në ëndrra, o fisnike famëmadhe,

Të përfytyroj nëpër kroje, qumësht zane duke pirë,

Ngazëllehem! Si feniksi i legjendave ti u ringjalle!

 

Luftëtarëve të UÇK-së

 

Hodhët pushkët supeve u bëtë flakadan,

Me valë vetëtimash ju goditët mizorinë,

Heroizmi juaj rindezi ëndrrat çlirimtare,

Me flamuj kuqezi, përuruat lirinë!

 

Në ditën e dëshmorëve

 

Lule t`freskëta pranvere sjellin nënat dhe fëmijët,

Shqipet përshkojnë qiellin,burrat shkrehin pushkë,

Krojet e ndalin rrjedhjen, flladet valëvitin flamujt,

Malësori thërret legjendat, ngre këngë me lahutë.

 

Presidenti  Bill Klinton

 

Thuhet se ish testament nga Zhorzh Uashingtoni,

Të mbështetej e të ndihmohej populli i Kosovës,

E bëri vepër atë amanet të shenjtë, Bill Klintoni,

Bashkë me Kosovën,mbrojti qytetërimin e  botës.

 

Ai u shfaq liridashës dhe human si Nëna Terezë,

Kreu misionin që me ankth e priste bota mbarë,

Përcolli mesazhin: njerëzimi s`duhej t`tolerojë,

Gjenocidin mesjetarë dhe skllavërimin barbarë!

 

Të falënderojmë nga zemra, o presidenti Klinton,

Do t`mbahesh mend si një lider që vure drejtësi,

Ne shqiptarët do të t`jemi në shekuj mirënjohës,

Sepse na qëndrove pranë, kur kërkonim liri.

 

 

Për ty Kosovë!

 

Hordhitë barbare t`kanë dhunuar pareshtur,

Janë vërsulur mbi ty me pabesi dhe egërsi,

Kënga jote e lirisë asnjëherë s`ka heshtur,

O hyjnesha jonë e ëmbël,e lashta Dardani!

 

Klithmat tona për liri janë përhapur në glob,

Jetën ne ia kemi falur këtij dheu të shenjtë,

Gjaku ynë ka vërshuar lumë nëpër shekuj,

Për ty, Kosova jonë e shtrenjtë!

 

N`truallin tënd çdo gur e shkëmb – lapidarë,

Çdo grimcë dheu nxjerr gjak ende t`patharë,

Çdo dëshmor – kushtrim për mijëra luftëtarë,

Mijëra Shota e Azem, mijëra Adem Jasharë…

 

Kosovë: dheu, klithma, geni i pastër shqiptar,

Me emrin tënd ne lindim, jetojmë  e vdesim,

Amanetin e vyer të lirisë të t`parëve dardanë,

E kemi besë e flamur e në breza e përcjellim…

 

Please follow and like us: