Cikël poetik nga Senad Guraziu/Ultrasonografi e Qenies
(Jacques Louis David, 1748-1825 – Kaliopa duke vajtuar vdekjen e Homerit, 1812)
REKUIZIT (POETIK)
S. Guraziu, 2015
s’është se vjen nga ti,
në fakt, mund t’jetë “ves”
narcizist, i vetëlidhur
në sytë e Ehosë* me prangat
e Herasë, jam pra (madje)
viktimë, memecëri poetike,
dhimbje pa gjuhë, vuajtje…
nga tërheqja jote lunatike
vocërrak i hutuar me lodrën
e lirisë, pothuaj falas
nga “treg i Çamëve”
të demokracisë, s’kam fuqinë
apollonike ta tërheq diellin
në zinxhir, as vetveten kah ti,
me një “traktor” plastik
tërhiqen mbase vetëm
hejbet e ndjesisë
ditëve i përhumbur (carpe
diem, nec sine te) – netëve,
duke i mbyllur sytë kthehem
kah ti, si Toka harrestare
n’orbitalen e fiksuar,
hijerëndë, tërë diten fytyrën
kah errësira (carpe noctem) –
pastaj gjoja dhe unë i kthej
sytë kah drita, ëndërroj
përqafimin tënd
– – –
* Eho (mit.) – nimfë jashtëzakonisht e bukur; oreadë – Ehoja e takoi Narcisin dhe ra në dashuri me të, por s’ishte në gjendje t’i tregonte çfarë ndjente, thjesht i shkonte nga pas, e ndiqte gjithandej ashtu memece.
Kohë më parë, duke dashur ta mbronte Zeusin për tradhtitë valentineske ndaj Herasë (gruas së Zeusit), Ehoja qe ngatërruar me zemërimin e Herasë së bashku me konsekuencat si dënim, sepse e hutonte atë me bisedat e gjata. Hera, për inat ia pati reduktuar tmerrësisht mundësinë e të folurit – tutje e ngrata Eho mund t’i thoshte vetëm ca fjalë, s’mund ta zgjaste as një fjali modeste.
Miti i “Ehosë dhe Narcisit” na vjen nga poeti romak, Ovidi, nga “Metamorfozat” e tij. Sipas Ovidit, Narcisi ishte një djalosh fort i bukur i cili e refuzoi seksualitetin, e refuzoi oreaden e bukur Eho dhe ra në dashuri me reflektimin e figurës së vet në liqen. Ai u mbyt në ujë dhe, pasi perënditë mitologjike ishin të fuqishme, e kthyen në një lule që sot e mban emrin e tij.
(sguraziu)
HISTORI
S. Guraziu, 2013
[ muza e epikës vetëngushëllohet; je Kaliopa – i thotë kujtesës, s’je Penelopa… ]
Zemrat gurëzohen –
gurët s’janë sinorë,
piramida “kufijsh”
për ndarje zemrash,
kujtimet mjegullohen,
treten dhe puthjet
Iliad-heve të vjetra,
mbase lirës i binin
Homerë të verbër,
por buzëvala e qullur
me shiun e historisë,
“hëna e shirave”, ajo
e përgjumura, i teket
vargëzon odiseadën
gjatoshe pikërisht
në faqen tënde,
epike si “Malcia…”
e Fishtes, as sinorë
as gardhiqe mes meje
dhe ikjes, atëherë
kur t’bjer Troja
e fundit e poetikes,
asgjë s’më mban
peng, s’më “mashtron”
Kalipsoja, asnjë sirenë,
prore afshin do ta
ndjesh, buzëprekjen,
vulën e lëngshme
në faqe do ta kesh.
LIBERTY
S. Guraziu, 2009
S’jam si ti, Statujë e Lirisë,
me pishtarin e Prometeut
në duar, me dritën e urtësinë,
me një univers boshësie
që s’e njohim as unë
dhe as ti – Liberty e pafajshme,
çdo gjë e mozaikut përjashta
na përket neve, ka diç
që pulson brenda, shtytja,
inercioni i gjakut, vetë
jemi krijuesit e së jashtmes,
i kemi shpikur statujat,
reliket, simbolet,
me qëllim t’ia kujtonim
vetes së paku të jashtmen
e Lirisë, por çfarë e plotëson
brendësinë, me çfarë
ta mbushim boshësinë
tënde, një boshllëk Piramide,
mos vallë me rërë germash
dhe kurthe – apo thjesht
është besim, i njësuar
me grahmat e flakës,
oksigjen që “digjet”
i frymëmarrjes, beso pra
dhe ti Liberty… në Lirinë,
kurrë s’do t’i kesh frikë pastaj
treqind kalorësit e ndërgjegjes,
t’i godasin portat, bedenat
që rrënohen me vetë gurët
e vet, katapultet ngjeshur
me të njëjtit gurë, s’do
i kesh frikë as kapuçonët
netëve me stuhi, të mistershëm
si vdekja, si nata me pelerinën
e zezë që e mbështjell
boshësinë, të padukshmen
e trishtë, tek trokasin
në portat e kalbura
të pallatit tënd… të ëndrrave.
LIPOGRAM
S. Guraziu, 2020
(“ka dy mënyra për t’përhapur dritën; t’jesh kandil, o pasqyrë për reflektimin e tij” – Edith Wharton)
Puthja, kjo vulë
e “lëngshme” n’xhamin
e thatë, lipogram (fals),
i shpuplosur tashmë,
pasqyrim mbrapsht,
gjoja kod strategësh,
sekret, për lexim
nga ana “andej”,
stampuar me afshin
e nxehtë,
metaforë e ngjeshur
plot ndjenjë,
si “çorapet” e Neruda,
si poezi e leshtë…
Vetëm buzët bëjnë
dritë – mbledh
shkarpa n’errësirë,
i vë zjarrin vetes
pa strall as fitil, varfërisht,
çdo fillim i vështirë,
dritëshkurtër,
as Naim as qiri i mirëfilltë,
reflektim stoik,
djegie sëgjalli,
as “gëk” as klithmë,
si dikur ai murgu
budist, me çdo xixë
të shpirtit kuantik,
në secilin libër,
vëllim poetik,
thuase buzë neoni,
luminale, bio-llambë
në errësirë, Homeri
i verbër buzë kraterit
të çmendisë,
i kërkon buzët e tua,
ëmbëlsinë e poezisë.
PORTRET SURREALIST (V)
S. Guraziu, 2017
Poezia, ushqim
shpirtëror, supë
e shijshme për shpirtrat
përtej xhamit,
vezullojnë sytë, lugët
e urisë së “LShK”,
larë me ujin pa klor,
pa kripra, pa kalcium
në Stiks – shih,
në azilin e pleqve
frigoriferi akull,
super-ekologjik,
s’bën vrima ozonike
në qiell, fare
antipiretik, e përdor
ajrin, ujin, hidrokarburet,
pord***, amoniakun…
e këso substancash
të padëmshme
për artin poetik – larg
vegshit politik,
Hara-Shima dhe këso
të tjerë… i shohin
në “Oxygen” *,
e ngjyejnë kafshatën
e njomin koren
n’supën e Dr. Oetker,
ëndërrojnë, i buzëqeshin
Europës, dhëmbë
fildishi, artifiça-poetica,
shkëlqejnë.
* Oxygen – Klan Kosova është një rrjet televiziv që operon në Kosovë, pronë e Aleksandër Frangaj (Shqipëri), qe lançuar në v. 2009 (si version kosovar i TV-Klan-it shqiptar). Programatura e Klan përfshin me dhjetra show-emisione, një nga to është dhe “Oxygen”, kuptohet… as logoja as emri s’janë bash “shqip”, ama emisioni udhëhiqet shul-shqip gjakovarisht nga ai shakaxhiu Besim Dina : )
(sg)
DIORAMË EKSPERIMENTALE
S. Guraziu, 2015
Polifemi e shihte botën
me një sy, dy-dimensionalisht,
si një foto, pa thellësi –
dikush eksperimentoi
me ciklopin në lashtësi,
thuase e kuptoi…
me një optikë s’mund
të kapej tre-dimensionalja
e botës!
I tërbuar do kesh qenë
Poseidon, mrekulli
si shpëtoi ai Odise, e rëndë
ta humbësh të vetmin sy,
aq e rëndë të jesh
zot – nëse yt bir i verbër,
tridenti yt kot!
Polifem i ngratë,
as sot “imax” nuk kapet
me një xham, prapë
me dioramat e shkencës
sytë i mashtrojmë,
prizmat monokulare
ishin dikur… të piratëve –
në fakt, që para jush
dikush nga Titanët,
ndoshta vetë Gaja pati
eksperimentuar me dritën,
me kromozomet.
ULTRASONOGRAFI E QENIES
S. Guraziu, 2006
Si pikënisje… thellë
nga brendia nisu,
dil nga trupi dhe kthehu
si një torpedo fotonike,
si grusht i fortë drite,
godit muret, pushto vetveten,
un-in tënd – brenda krizalidës
shkapurit strofullën
dhe prushin e valë, puth
larvën tënde të frymimit,
digju i gjithi flakëve të arsyes,
prek natyrën dualiste
të universit dhe vetë
dualizmin e qenies, lufto
për frymën në anën e drites,
fluksohu, i gjithi në dritë
ktheu, me dashuri përvëlohu,
prore hidh shkarpa,
pandalë, fryji zjarrit guximshëm –
kur të tretesh i molisur, kur
i fikur të ndjehesh, ngrohu
dhe një grimë, energji
“rezervë” me kujtimin,
shfleto guidën, doracakun
e mbijetimit, me llambën
kriptonike të bebzës,
shqisen e gjashtë tendosur
si kapiten-komando
në xhungël, nën shiun
“monsun” të dhimbjes
injekto zemrën prapë
me gjilpera drite – nëse
i mekur, pa zë, si balenat
nën akullin e oqeanit,
errësirës së ftohtë, në qetësinë
absolute, si një grahmë
me “sonar” dridh lëngun
e jetës valë-valë,
si pëshpëritje e lutjes
së fundit… dhe vdis në paqe
me veten, me buzëqeshjen
sublime – nëse di si vdiset,
nëse di si shuhet drita!