Poezia e Eseninit vjen në shqip nga Arqile Garo
Sergej Esenini: SHENJA
Çdo gjallesë në botë ka shenjën e vet,
që në lashtësi, deri në këtë ditë,
të mos kisha lindur për t’ u bërë poet,
do të isha cub, mashtrues, bandit.
Thatanik, i shkurtër, mes djemve të tjerë,
bëja heroizma, lodra fantazie,
shpesh me hundë të thyer, i rrahur, i mjerë,
vija në shtëpi darkave, si hije.
Sa më shihte nëna shtegut ndën ahur,
vrapoja t’ i thoshja për ta qetësuar:
“Nuk është gjë o ma, shkava tek një gur,
shiko, deri nesër do më jetë shëruar!”
Por edhe tani që vrulli është shuar,
dhe ka ikur koha e fëmijërisë,
ndjej se më zien gjaku dhe për ta sfiduar,
e derdh nëpër vjersha, ja vesh poezisë.
Kërkoj fjalë të rralla veç për t’ i rreshtuar,
porse pas çdo rime, vargu kokoroç,
ngre kryet sherrxhiu i kohës së shkuar,
ai trazovaçi, me kokën si toç.
Si dikur dhe sot, ja shaloj inatit,
në çdo hap që hedh kërkoj të marr hak,
nëse n’ atë kohë haja grusht surratit,
tani shpirtin kam të zhytur në gjak.
Dhe nuk del më nëna shtegut ndën ahur,
por ja u them juve, me zë të qëruar:
“Nuk është gjë or miq, shkava tek një gur,
shikoni, gjer nesër do më jetë shëruar!”
1922
Shqipëroi: Arqile Garo.
Please follow and like us: