Albspirit

Media/News/Publishing

Bikini me flatra, kërthiza e Lopez dhe frymëzimi teknologjik!

S. Guraziu, 2020.

Donatella Versace, 1999, Jennifer Lopez, 2000, dhe rishtas pas 20 viteve J.Lopez, 2020 (Versace, Pranverë / Verë 2020)

[ …një fustan “xhunglez” e pati shtyrë gjithë makinerinë e Google të rrotullohej furishëm – tekno-shkencat i vjelin frymëzimet dhe nga modat e nga kërthizat hijerënda të bukurosheve… ]

***
Nëse kurrë në jetën tuaj s’keni kërkuar foto në Internet, atëherë asgjë… s’vlen për juve. Por nëse keni kërkuar foto të diçkaje, qoftë dhe rrallë, 1 herë në disa vjet, atëherë duhet të ndjeni diç si mirënjohje për Jennifer Lopez, ose thënë më mirë, për guximin e saj “feministik”.

Askush s’pati “guxuar” ta hidhte kërthizën ashtu në shesh. Guximi i saj i pati thyer “shumë akuj të antarktidës” feministike. Mirëpo ka dhe një anë tjetër “medaljoni” i mrekullisë. Pa e ditur as vetë, Lopez na qe bërë diç si “Muza e Teknologjisë”. Tingëllon mbase e fryrë… por joooo, përkundrazi, është fakt dhe vërtetësi e kulluar. Pikërisht “kërthiza” e saj i pati frymëzuar teknologët e Google (tashmë gjigant internetik) për shpikjen e makinës kërkuese të fotove.

Në njëfarë mënyre pra pop-këngëtarja dhe aktorja amerikane e pati “shkaktuar” frymëzimin për ide e zgjidhje të reja teknologjike. Para ca kohësh, me koleksionin Pranverë / Verë 2020, Versace, Google dhe J. Lopez e patën “celebruar 20-vjetorin e kësaj historie frymëzuese”. Versace e pati ruajtur si “surprizë” për botën e modës, dhe Lopez pati defiluar rishtas me fustanin e famshëm “xhunglez”.

Pak histori (meqë tani është “histori”)…

Në v. 2000 Interneti na ishte mjaft i “prapangelur”, e sidomos sa i përket gjetjes së fotove. Google, tashmë një gjigant, por atëherë duke i provuar lloj-lloj tekno-brekushesh (dmth. kuptohet, pas braktisjes së pelenave : )
Dy-tre vite më herët, në v. 1997 Gianni Versace (themeluesi i shtëpisë së modës Versace) qe vrarë. E gjithë fama e kompanisë, prestigji, vizioni dhe trashëgimia patën ngelur mbi “supet artistike” të motrës së tij.

Donatella Versace do ta “qepte” një fustan të gjelbër dhe e pati quajtur “fustan xhunglez”, madje e pati veshur vetë në një event. Gjithsesi, tek në v. 2000 Versace ia paraqiti botës – dmth. fustani i “xhunglës” pati debutuar publikisht (në kuadër të koleksionit të atëhershëm).

Dhe siç e dimë, yjet e Hollivudit i kanë rregullisht ato eventet festive e parakalimet e veta. Sidomos kur ndahen Oscars, Grammy e statueta. Pa modat e pa stilet yjet sikur s’ndjehen “ok” (gjërat janë të lidhura, zinxhir), pa shkëlqimet e pa fustanet yjeve s’iu ka dhe aq hije. Atë vit J. Lopez na paskësh qëlluar fort e zënë me punërat e me filmimet, na qenkësh vonuar pakëz sa i përket zgjedhjes së fustanit.

Për arsye se fustani i “xhunglës” veç na ishte veshur nga të tjerë (nga Donatella vetë), askush s’e pati zgjedhur për eventin e “Grammy Awards”. Atëbotë Lopez ishte rreth 30 vjeçe, e “re dhe mjaft e guximshme” për t’i thyer kanonet e fashion-istëve dhe të fanatikëve të modës (anise ajo do t’i thyente në çdo kohë, dhe sot e kësaj dite, si 50-vjeçare).

Shkurt, e pati veshur fustanin e “xhungles”, desh e pati mahnitur botën me kërthizën përjashta. Deri atëherë askush s’pati “guxuar” ta hidhte kërthizën ashtu në shesh. Tjetër janë gostitë e festat private, sado madhështore qofshin, ama fare diç tjetër qilimat e kuq. Aty o bëhesh gazi i botës… gjithë bota të përflasin, o e kundërta, fama të katapulton atje diku lart… tek yjet.

Diç e ngjashme pati ndodhur me Lopez, kërthiza e saj e pati trazuar gjithë botën e shijeve, të stileve, të glamurozitetit e të famozitetit. Sakaq njerëzia ta patën vërshuar Internetin duke kërkuar foto të Grammy-eventit, foto të fustanit të famshëm. Lopez e pati “çoroditur” gjithë Internetin, dmth. edhe virtualitetin… jo vetëm realitetin.

Duke qenë kjo punë para 20 vitesh, kuptohet, Google s’ishte as afër ç’është sot. Deri atëherë ata s’patën regjistruar ndonjë kërkim aq masiv, për asgjë të kësaj bote (siç për fustanin e gjelbërt “xhunglez”). Guglushët qenë habitur, por dhe qenë turpëruar pakëz, meqë njerëzia s’i patën gjetur fotot, gjithë bota kureshtare patën ngelur të zhgënjyer.

Sakaq Google e pati “kuptuar” që Internetit i duhej një teknologji e re, dhe se kërkimi-gjetja e fotove ishte diç fort e rëndësishme. Pa një pa dy, inxhinierët, programerët, gjithë ekspertët e internetikave na i qenë rrekur zhvillimit të “kërkimit”…

Tani, 20 vjet më vonë, mund ta marrim dhe me mend që për 2 dekada gjërat janë avancuar e kanë vajtur përtej marramendjes. E lehtë t’mos e vrasim mendjen; pandehim asgjë “interesante” – atëherë ishte se ç’na ishte, s’na intereson. Ama me shpërfilljen e historisë së zhvillimeve sikur padashtas hyjmë në “hak” të artit, harrojmë që ishte kontribut i artit (i modës, i dizajnit), harrojmë që arti i pati ndihmuar simotrat, shkencën e teknologjinë.

Pati rënë kërthiza e J. Lopez si “shkas”, tutje kureshtia e njerëzimit si “shkak”, dhe hooop avancimi teknologjik na i mori flatrat. Një fustan “xhunglez” (i cili, në fakt s’kuptoj si mund të quhet fustan) e pati shtyrë gjithë makinerinë e Google të rrotullohej furishëm, të avancohej.

Tashmë, në kohën tonë do ishte e paimagjinueshme, Interneti sikur s’do kishte fare kuptim pa këtë vegël. Imagjino t’mos mund t’i gjesh fotot e mikeshave në Fb, booo do bankrotonte Facebook. Do mbyllej detyrimisht, do ia vënin drynin, ai shefi Zucko-Marku s’do ishte mbase as milioner, sa për miliarder hiç se hiç.

Dhe, si përmbyllje, të gjitha në rregull, mund ta kuptoj faktin që tekno-shkencat i vjelin frymëzimet dhe nga modat e nga kërthizat e bukurosheve. Çfarë s’ia dal ta kuptoj është aftësia e Versace, suksesi, afiniteti për “mashtrime… gjoja me shpikjet” e tyre!

S’e kuptoj si mund ta quajnë “fustan” diç që nuk është, si mund ta shesin aq shtrenjtë! S’e kam vrarë mendjen kurrë, ama ja ku doli e vërteta lakuriq në shesh – s’e ditkam saktë as definicionin e “fustanit”!
Kaq dija, dhe kaq di unë. Fustani i Versace s’mund të quhet fustan, sipas meje është diç si “bikini me flatra”… asgjë më shumë:).

Please follow and like us: