Fritz Radovani: In memoriam, At Bernardin Llupi!
AT BERNARDIN LLUPI O.F.M. (1886 – 1946)
“Vdekja si kjo, vdekja për Shqiptarizëm, asht kupë e artë!”
AT B.LLUPI (1946)
Koha ka me provue se Françeskanët e Shqipnisë së viteve 1944, jo vetem që nuk persëriten kurrma, po as nuk i vijnë ma Trojeve tona Shqiptare.
Shqipnia ruen në Token e Saj kushedi sa Vorre pa emen e pa shenja!
Po, dëshmia e Gurve të Pendës së Kirit pranë Rrëmajit, e deri atje ku janë shkrepë armët serbosllave dhe të katilave anadollakë shqiptarë, kunder të gjithë Atdhetarve tanë dhe Françeskanëve, nuk fshihet persa Shekuj, pse Ata Gurë, do të vazhdojnë me ruejtë mbrenda vehtes Visaret e çmueshme të Tyne, që janë gurrë e pashterrëshme e virtyteve të Tyne.
At Bernardin LLUPI O.F.M., kje një nder Figurat e Nderueme Françeskane, asht lé në Shkodër me 7 shkurt 1886, prej prindve Filip e Luçia Llupi.
Asht pagëzue me emnin Mati, asht vëllai i pestë i Cinit, Zefit, Ejllit e Franos. Vjen prej një familjes së vjetër me tradita qytetare shkodrane.
Studimet i ka krye në Insbruk të Austrisë, ku mori medalje nderi si një nder studentat e shkëlqyeshëm. Shugurohët meshtar në Romë dhe vjen e shërben në Palç (Mërturë), Hot, Grudë, Bizë të Durrsit, Vlonë dhe Shkodër.
Kur Kuvendi Françeskan ndodhët keq ekonomikisht në atë kohë lufte e zije për bukë mbas vitit 1942 dërgohet në Pejë famullitar, mbasi njihej qysh i rij si ekonomist i përkryem. Prej andej ban të mujtun mos shpërndamjen e xhakojve në Kuvendin e Shkodrës, tue i dërgue vazhdimisht ushqime.
Për këtë ndihmë të madhë ekonomike ban fjalë në procesin e tij edhe At Çiprian Nika, rektori i Fretënve në Shkodër. Asht bashkohës i Etënve Harapi, Doda, Prennushi, Cani dhe mik i Don Nikoll Ashtës. Asht ndër misionarët e njohun që me dinjitet ka bajtë zhgunin e Sh’ Françeskut. Autoritar në fjalë dhe i palodhun në pajtime gjaqësh e ngatrresash që kishin kapërthye malët tona. Edhe pse në 1939 asht operue në Padova, ku ka heq një eshke, asnjëherë nuk i shmangët misionit të tij, madje, shkon me qejfë malësh për me ndihmue çështjen kombëtare dhe niset për në Kosovë.
Atje ka shërbye në famullitë e Zllakuçanit, Zym’të Hasit dhe Pejë. Ndihmon shqiptarët që kanë marrë malët për liri nga fashizmi dhe komunizmi, me ushqime dhe medikamente mjeksore. Mban afër Prof. Kol Parubin, Marije Shllakun, Marsel Vuçën, Prof. Ymer Berishën dhe të tjerë luftarë shqiptarë. Porositë fshatarët “me e ruejtë dhe me e ndihmue këtë vajzë atdhetare!”. Theksova fjalët e tij ndër thojza, mbasi me shumë dashtni dhe burrni vlerson virtytet e femnës shqiptare, ashtu si ma parë vëllaznit e tij, Norën e Kelmendit. At Llupi asht “ATI I DYTË” i Marije Shllakut.
Maria tek Ati i saj i dytë sheh shpresën dhe të mirën, tue i kërkue si vajza e tij: “Lutju Zotit për mue!” Ai lutej për të gjithë shqiptarët pa dallim feje.
Kjo asht arsyja që të gjithë e donin dhe e ndigjonin misionarin e përvujtë. Ai njihej si misionar i Atdhetarizmit prandej qela e tij ishte vatra ku delnin shkëndijat e lirisë. Shovenistët serb, shërbëtorët e tyne komunistë dhe tradhëtarët e shitun të Atdheut, nuk e duronin zhgunin e Françeskanit në Pejë, prandej, në marsin e vitit 1946 e arrestojnë si një organizator i “Katoliçeskaja Banda”, organizatë që nuk ka kenë kurrë.
Krijuesi i këtyne bandave, organizatave, grupeve terroriste, duerve të zeza, të futjes së armëve ndër Kisha etj,, asht një për të gjithë Shqiptarët: Komunistët e shovenistët jugosllavë me qendër Moskën.
Edhe para trupit gjykues At Llupi asht kryenaltë, trim dhe i pathyeshëm ashtusi në tortura të mnershme që i bahën në hetuesi. Nuk pranon asnjë akuzë. Nuk i trembet vdekjes fare, aq sa edhe tallet me prokurorin Ali Shukriu, gjatë procesit gjyqsor kur ai e pyet, se ç’ke menduar kur ke thënë: “Ishalla e pështon Zoti Kosovën!”? – At Llupi përgjegjet: “Kam mendue që të shpëtojë nga sëmundjet dhe hallet e ndryshme!” Kur prokurori e pyet se a i ke dërgue djath në mal, At Llupi nuk i përgjegjet, mbasi nuk kam ardhë këtu për djathë.
Kur pyetët Maria, edhe ajo përsëritë: “Nuk përgjegjem, nuk kemi ardhë për djathë këtu!”. Kur flitët për njerzit e vramë ndër male, At Bernardin Llupi thotë: “Ata kanë vdekë si trima, si burrat, prandej, duhët të jenë shembull për né të gjithë!”.
Autori z.Muhamet Vokshi, shkruen në kujtimet e veta për At Llupin: “Fliste anglisht, italisht, gjermanisht, spanjisht, serbisht, latinisht. At Llupi ishte komunikativ, modest, shakaxhi. Fishtën e adhuronte.
Italianët nuk i donte aspak, i quante “bretkocarë”. Ai e ka dashur vendin dhe popullin e vet pa urrejtur kurrkend tjetër.
E deshti dhe dha jetën për Shqipërinë brenda kufijve të saj etnikë“
Fjala e fundit e At Llupit para pushkatimit ishte: “Vdekja si kjo, vdekja për shqiptarizëm, asht kupë e artë”!
Mbas të shtimeve të automatikve At Llupi, kishte mbetë në kambë edhe pse zhguni i panjollë ishte la me gjakun e këtij martiri.
Ai thirri edhe njëherë: “Rrnoftë Shqipnia!”, xhullinjtë iu afruen tue shti mbi tè, derisa Frati 60 vjeçar u shtri mbi tokën Shqiptare, për të cilën dha jetën e vet.
- Ndërsa, më 15 nandor 1946 nga ky grup u pushkatuen:
MARIA SHLLAKU 24 vjeç,
AT BERNARD LLUPI 60 vjeç,
Prof. KOL PARUBAJ 40 vjeç,
GJERGJ MARTINI 29 vjeç.
Tregon z.Viktor Gashi në kujtimet e Tij:
Në mbrëmjen e 14 nandorit dikush përshpëriti sikur kishte dëgjuar nga biseda mes dy rojeve se nesër në mëngjes, do të pushkatoheshin të dënuarit me vdekje. U tronditëm shumë dhe vendosëm me i treguar At Bernardit.
I thamë në veçanti: Padër, nesër.., ndoshta.., nuk e dijmë, por…Ai ndërpreu fjalën dhe tha :- Shumë bukur që erdhi kjo ditë dhe mbas pak sekondash iu drejtua Kolës, – Kolë, eja pak këtu! Shkuan në qoshen e dhomës, At Llupi bashkoi dy duart, ndërsa Kola u ulë në gjunjë. Kur Kola desh të fliste diçka, At Llupi i tha: – Kolë, i dij gjynahët tuaja por ban punën e Pendimit, se Zoti do t’i falin të gjitha fajet mbasi ti po lanë me gjakun tand tokën që të ka lindë, ti po shkon tek Zoti, jo si mëkatar, por si martir, ti je i zgjedhun prej Atit të Pushtetshëm, me dhanë shembull si duhët me vdekë për të mirën e popullit Shqiptar dhe të Atdheut, që po e lamë të robnuem, por shpejt Zoti dhashtë e u bashkoftë edhe Kosova me Nanën Shqipni!
Mbas tij shkoi edhe Gjergji.
Atë natë nuk fjeti njeri. Biseda mbahej nga At Bernardi, të cilit edhe atë natë nuk i mungoi humori e gazi, sikur të nesërmen po lirohej dhe jo…
Ishin orët e para të mëngjezit, kur u dëgjuan çelsat e randë të dyerve. Mbretroi një heshtje e përmortshme. Menjëherë e mori fjalën At Bernard Llupi: – Ç’keni o burra që heshtët? Mos u shtangni, se vdekja nuk na frikson. Kushdo që lind do të vdes herët a vonë aqsa ka thanë Zoti. Na po vdesim ballhaptë dhe po shkojmë nga kjo botë të bindun se me vdekjen tonë, do ta ndihmojmë çlirimin e Kosovës dhe bashkimin e sajë me Atdheun Nanë, Shqiptari shkon në vdekje si në darsëm sëpse lufton dhe vdes për popull, për liri, për jetë ma të lumtun!”
Sakaq u dëgjua zani i ambël i Gjergj Martinit: “Po vdesim për Atdhe, Burra, se Atdheu mbrohët me gjak. Kështu me gjakun e Shqiptarëve të ramë, krijohët Shqipnia.
Gjaku i derdhun s’ka sesi të mos japë fryt, tue mbjellë atdhedashtni, mirësi, mirëkuptim, ai do të ngjallë edhe ma tepër ndjenjat kombëtare”:
U hap dera me rrëmbim: – Hajde, hajde, brze, majku vam vasu!- briti roja.
At Bernard Llupi, pa iu trembur syri dhe pa u nervozuar fare iu drejtua rojës: – Ndaluni pak, se due të përshëndetem për herë të fundit me Vllaznit e mijë. Në përqafim nuk muejta t’i mbaj lotët, mos u trego i ligësht, – më tha, – të dijmë si xunxarë, kështu me quanin në burg. U drejtua – Gjergj, Kolë, ejani, të shkojmë krenarë, le ta shohin ata se nuk ia kemi frigën plumbit! Duhët të jemi të lumtun që po vdesim për idealet e kombit.
Atëherë Gjergji na u drejtua: “Lamtumirë, o Vllazën! Tregoni botës mbarë se Kosova dhe Shqipnia ka trima që japin jetën për vatan dhe nuk ka anmik që na tremb! Shqiptari nuk përkulet kurrë !”
Roja e shtyri, e Ai thirri edhe ma më të madhe: “Rrnoftë Shqipnia bashkë me Kosovën!”
Edhe Kol Parubaj me një za të shteruar, na tha: “Lamtumirë Vllazën! Ma keni kujdes vajzën. Rrnoftë kombi Shqiptar! Rrnofshin Shqiptarët!”
Zëri i tij treti dhe nuk u dëgjua më, sëpse roja e shtyri me rrëmbim dhe pas tij u mbyll dera.
Të gjithë ne që ishim mbrenda mbetëm të shtangur.
Pas pak u ndigjua zëri i thekshëm i Maria Shllakut. Të gjithë vrapuam kah dritarët që ta shikonim në oborrin e burgut dhe pamë hijen e sajë, meqë bënte shumë terr. Nuk pranonte të dilte nga dera e burgut pa përfunduar këngën që bënte fjalë për Ymer Berishën, dhe luftën për çlirimin e Kosovës. Fjalët e këngës sot nuk më kujtohen por zëri i sajë ishte tamam pushkë dhe jehoi në tërë burgun.
At Bernard Llupi atëherë i tha me zë të naltë:
“Të lumtë, bylbyli i Shqiptarizmës! Le ta marrin vesht Bota si shkon me vdekë femna Shqiptare, me kangë në gojë!”
Maria ia këtheu me za të fortë:“RRNOFTË SHQIPNIA E MADHE! RRNOFTË BASHKIMI I SHQIPTARËVE!”
- Me të drejtë Miss Durham shkruen shumë vite perpara:
“Zotnimet e hueja kanë kalue mbi kombin Shqiptar pa lanë në té kurrfarë gjurmët, si ujë që kalon mbi shpinën e rosës”.
***
Dhe, vitet kalojnë!
Kujtimet e Atyne Atdhetarve që dhane jeten, nuk harrohen nga Shqiptarët!
Shqipnia asht nder vendet e Ballkanit nder ma të pergjakunat! Ata ishin po, Trima të palëkundun dhe të vendosun me dhanë jeten e Tyne!
Vlerat e Tyne Atdhetare u vlersuen edhe nga të huejtë, prandej edhe mbetën të perjetshem nder faqet e Historisë së lavdishme!
Prizrendi ruen në gjiun e vet Gjakun e paster të Këtyne Martirve!
Ata ishin dhe janë Zamakë të Flamurit Gjergj Kastriotit – Skenderbeut!
Lavdi vepres së Tyne Atdhetare!
Melbourne, 8 Korrik 2022.