Albspirit

Media/News/Publishing

Rudina Beja: Mbuluar me heshtje

Kthehem krahëve mbuluar me heshtje,
horizonteve me sy të skuqur
që shpirtin e gërryen muzgjeve të vonë,
e dhimbja në pika shiu përshkon.

Tretem bri kodrës sime.
As argjila s’i bindet më duarve.
Kalldrëmi nuk buzëqesh si dikur
kujtimeve të panumërta që zgjojnë imazhin e asaj mrekullie,
magjepsjes fshehur brenda zemrës sime.

Sa larg qëndronte, sa larg
Ai peisazh në ikje i vogëlisë time,
rinisë së kaherë,
ku gratë shkonin si shtojzovalle
e zogjtë ktheheshin prapë në pranverë.

Çapitem sot pa ndalim
kohës që shkel mbi dhimbje,
e ditës nisur pa përshëndetje
mes fytyrave të reja
nxitimthi kuturu drejt të panjohurave.

O frymë që kthehesh në angshtim
tek shoh si koha ikën mbrapsht
kafshuar gjithkund ai vend
mbuluar mjergull e tym,
ku thërrimet shkund “perëndia”
predikimeve ardhur nga njerëzia,
Sa m’ vrasin këta zota t’ rremë
që popullojnë mes njerëzve,
e me të tyren vuajtje egon ushqejnë.

Sa qenke plakur Dheu im
humbur udhëkryqeve
Por dhe sa shpresë sërish më jep,
Se prapë ai diell prehërin ta ngroh,
e detet me ngulm buzën ta lagin,
ndonëse me gardhe,
Prapë mbi kurmin tënd lumenjtë gurgullojnë
dashurinë e madhe.

Please follow and like us: