Me secilin lajm të “pakënaqësisë” politike…
sguraziu – 9 k, 22
…për një video të News24 në Youtube, statistikat thoshin se e kanë “parë rreth 7000 veta”, dëgjohej muzika e ëmbël e video-sfondit, pamjet inçizuar nga lart, me ndonjë vinç a me dron, kujtova ndonjë koncert… pasi me muzikash e me dritash, njësoj si koncertet dikur të Majko-Xheksonit, po thosha mëvete ehuuu ç’janë 7 mijë vizita kur Shqipëria mund t’i mobilizonte 2-3 milionë “vizitorë”, pakëz e çuditshme, pse kaq pak jutub-ista e paskan vizituar videon e koncertit ! hm, sesi më dukej e pabesueshme… shqiptarët njihen pothuaj për zemrat më muzikale të Ballkanit…
…pastaj, duke u “rrotulluar” shiriti i videos tutje, e kuptova se isha ngatërruar totalisht – doli se në fakt bëhej fjalë për “politikat”, aspak për “muzikat”, më 7 Korrik Shqipëria na paskësh qenë në “rrezik”, fjala në video ishte për protesta e jo për koncert – natyrisht, duke qenë vetë apolitik dhe 2000 km larg, s’marr vesh aq nga politikat, e gjitha çfarë di është se shqiptarët vetë e patën zgjedhur qeverinë dhe qeverisjen, demokratikisht dhe faqebardhë, me vota e me votime për lakmi, me banderola e me hijeshi, shqiptarët nuk shtiren të “pagabueshëm” ama do gabonin 1 herë, le t’jetë dhe 2 herë… të gabojnë 3 herë, hm sesi më dukej e pabesueshme…
…pastaj me secilin lajm të “pakënaqësisë” politike që dëgjoj gjatë 2-3 mandateve të keq-qeverisjes (dhe kuptohet, 2-3 mandate zgjasin me vite e vite, shpesh e kapërcejnë 1 dekadë), nga 2000 km larg më së shpeshti e mbyll me një urim të thjeshtë, 100% të sinqertë, “uroj të bëhet më mirë” – videoja e dokumentonte se kryeplaku i opozitës dhe i protestës, publikisht… në pik të sheshit, e paska shpallur “armik” kryeplakun aktual të Shqipërisë, “nga sot e tutje… armiq”, pakëz u pikëllova, vallë aq “larg” paska vajtur puna me pleqërishten e politikës, hm, sesi më dukej e pabesueshme…
…sidoqoftë, u çlirova në fund me faktin që Shqipëria i qenka shmangur “rrezikut”, gjithçka paska vajtur mbarë, asnjë “rrezik” dhe asnjë incident gjatë protestës, pasi e njohur më është që protestat shqiptare dinë t’jenë jo vetëm të bujshme, por dhe të zhurmshme e të rrezikshme; me foristradash e me armadash, me brigadash e me barikadash, me zjarre e me tymrash, me kërcënime e me viktimash, historia e demokracisë shqiptare s’është ndonjë “shtrigë plakë”… gjoja e lodhur, e dobësuar, përkundrazi ende e freskët, djall-ushe energjike me ata sytë e “kuq” e të frikshëm (pothuaj si anti-heroinat e Wonder Woman), gjithkush ka frikë nga “përsëritja” e historive të këqija, gjithkujt i ndalet fryma nga dhimbja, e dhimbshme dhe vetëm shkapuritja e “memories”, “retrospektiva” e protestave shqiptare (sikur dhe vetë historia) sjell vetëm dhimbje…