Albspirit

Media/News/Publishing

Abaz Hoxha: Na ishte një herë dhe s’është më, Kinostudio “Shqipëria e re”

Flet Abaz Hoxha, historian i kinematografisë:

– Kinostudioja ishte bërë modeli i kulturës, modeli i pastërtisë, modeli i kopshtit të lulëzuar në kryeqytet.

– Në vitin 1956 importuam kamerat e para Arrifleks, prodhimi i Gjermanisë Perëndimore. Ishte një gëzim i papërshkruar për operatorët.

 

(Me rastin e 70 vjetorit të inagurimit të Kinostudios’10 korrik 1952)

Albert Z. ZHOLI

Kinostudio “Shqipëria e Re” u themelua më 10 korrik të vitit 1952. Realizimi i parë i saj është bashkëprodhimi shqiptaro-rus “Skënderbeu”. Ky është i pari realizim “kolosal” i prodhuar nga kjo studio kinematografike. Në vitin 1957 prodhohet filmi i parë i një regjisori shqiptar, Hysen Hakani. Prodhimet në masë fillojnë rreth viteve ’70, periudhë që korrespondon me uljen të numrit të filmave të importuar. Në vitet ’80 Kinostudio “Shqipëria e Re” prodhonte rreth 14-15 filma në vit, me tematika nga më të ndryshmet.

-Keni kujtime nga më të ndryshmet, nga më të bukurat dhe nga më rrëqethëset? Por lexuesi do të dijë fillimet tuaja në Kinostudio?. Ku u shkolluat? Si ishte Kinostudio në hapat e para?

Kur mbarova fakultetin, në Pragë u punësova si inxhinier për 3-4 muaj, pranë studiove të filmit artistik në “Barrandov”. Gjithashtu, mora pjesë në instalimin e pajisjeve të kinonstudios me aparatura të prodhimit sovjetik “KINAP”, që ishin të njëjtat me ato që ishin instaluar në kinostudion “Shqipëria e re” më 1952. Gjatë montimit çekët u bënë disa modifikime, dhe ndonëse ishin imitim i prodhimeve të firmave perëndimore, 5-6 muaj më vonë i hoqën nga përdorimi për cilësi të dobët. Kur erdha në Shqipëri (përsëri 14 dhjetor 1954) e pata të vështirë të prononcohesha për këto aparatura, pasi ishte përhapur opinioni në masë, se aparaturat e kinostudios ishin fjala e fundit e teknikës. Bile kur ia thashë mendimin tim vëllait, Lufterit, që punonte si këshilltar i Zv.kryeministrit për problemet e kulturës dhe shëndetësisë, ai më këshilloi që të mos e përmendja këtë fakt, se do të kisha pasoja pasi, atëherë çdo gjë që vinte nga Bashkimi Sovjetik nuk mund të kritikohej, sepse të fusnin në kanale politike, duke të cilësuar si antisovjetik dhe më vonë edhe “armik të partisë dhe të popullit”.

 -Me cilin kontaktove për herë të parë sapo erdhët?

Kontaktin e parë në Tiranë e pata me Frano Jakovën, që atëherë ishte Kryetar i Komitetit të Kulturës dhe Arteve dhe pas tij më priti Nesti Zoto, drejtor i kinostudios.

Në takimin e parë me të, vura re një zyrtarizëm të theksuar dhe njëfarë fodullizmi e distancimi. Kisha përshtypjen se të shihte nga lartë-posht, dukej tip i zgjuar, por fodull. Mendova me vete se kjo vinte nga që ishte marrë me diplomaci si Zv/ministër i Punëve të Jashtme që kish qenë, funksion jo i vogël për atë kohë, kur pak më parë vetë Enver Hoxha kryente edhe detyrën e Ministrit të Jashtëm. Qëndrimi i tij nuk më pëlqeu, jo vetëm se unë isha shumë më i shkolluar se ai, se kisha përgatitje universitare dhe pasuniversitare, ndërsa ai kishte mbaruar Liceun francez të Korçës, që ndonëse ishte një shkollë e dëgjuar, përsëri ishte një shkollë e mesme. Megjithatë, në kinostudio që atëherë përbëhej prej rreth 60 veta që nga shoferi deri te drejtori, ai ishte më i shkolluari dhe me përjashtim të Petraq Lubonjës, që kishte mbaruar Liceun Artistik për pikturë dhe Xhevat Morinës që kishte mbaruar studimet në degën mekanike të Politeknikumit “7 Nëntori”, gjithë të tjerët ishin kryesisht me arsim fillor ose të mesëm të pambaruar. Ndërsa kuadrot kryesore në regji, zërin, kamera e montazh ishin përgatitur në kurse pranë Studiove Qendrore të Filmave Dokumentarë në Moskë dhe A.Furtuzi e S. Musha pranë studiove të Barrandovit në Pragë. Në kinostudio gjeta një atmosferë festive dhe mobilizim total. Të gjithë ishin të pasionuar pas profesionit të tyre dhe e quanin si një privilegj e nder që punonin në një institucion të tillë. Pavarësisht nga përgatitja arsimore ata ishin të përkushtuar dhe mezi prisnin rastin që të merrnin një detyrë për xhirim, montim-sinkronizim regjistrim të zërit etj., që nga operatorët A. Furtuzi, J. Nano, S. Musha, H. Ferhati e deri te operatorët e zërit K.Tollko e Xh. Behri. Unë vajta në kinostudio në periudhën e dimrit, por gjeta atje një pranverë të hershme, kjo pranverë ishte futur thellë në shpirtin, zemrën në qenien e kineastëve të parë. Ajo dukej në pamjen e secilit, në vrullin dhe kënaqësinë e madhe me të cilën shkonin në punë, në pasionin, mobilizimin dhe vrullin e jashtëzakonshëm të tyre, ndonëse atëherë kinostudioja kishte një prodhim të kufizuar që shkonte në 3-4 kinoditarë në muaj dhe 2-4 filma dokumentarë në vit. Ishin vetëm 5 kinooperatorë që drejtoheshin nga ish – fotografi Mandi Koçi.

-Kush ishte reparti më i madh në atë kohë në Kinostudio?

Reparti më i madh në atë kohë ishte ai i regjistrimit të zërit ku bënin pjesë operatorët e pasionuar të zërit K. Tollko e Xh. Behri, teknikët e shkrimit V. Leka e P. Çomo. Laboratori drejtohej nga “Misha”, siç e thërrisnin fotografin autodidakt të përkushtuar Mihal Çarka, që kishte bërë një kurs specializimi për laborant në Moskë. Aty punonin edhe larësit e filmit L. Beci e Sh. Metani, laboranti i analizave N.Theodhosi, teknikët e mirëmbajtjes dhe të ngrohjes e kondicionimit të ajrit M. Kapedani e R. Kerri. Në administratë dallohej për profesionalizëm financieri N. Papadhopulli që me humor i thërrisnin “ea mo” mbasi e përdorte shpesh këtë shprehje në kuptimin “hajde more” ose lëre këtë çështje. Përveç dy regjisorëve dokumentalistë E. Keko e I. Pando dhe regjisores të dublazhit V. Çeli që ishin përgatitur në një kurs në Moskë, rreth një vit pas meje erdhi edhe V.Stratobërdha, regjisori i parë i shkolluar për regji në filmin artistik, që mbaroi studimet në Institutin Kinematografik të Moskës“VGIK”dhe ishte angazhuar si regjisor i dytë nga regjisori i mirënjohur Sergej Jutkeviç në filmin “Skënderbeu” gjatë kohës që kryente studimet në Moskë. Në fund të vitit 1956 erdhën edhe regjisorët H. Hakani që u shkollua në Akademinë e Arteve në degën e Filmit “FAMU” në Pragë, për regji dhe K. Dhamo në Institutin Kinematografik të Budapestit. Në repartin e zërit ku u emërova si inxhinier zëri gjeta një mirëpritje nga të gjithë. Kjo më bëri që ti zgjidhja shpejt dilemat dhe pikëpyetjet e jetës sime të re. U përfshiva edhe unë në vrullin e tyre dhe bëra çmos të zbatoja në praktikë ato që kisha mësuar në universitet dhe gjatë praktikës në qytetin e filmave në “Barandov”. Puna e parë si inxhinier ishte kontrolli i përgjithshëm i aparaturave të zërit, bërja e karakteristikave të frekuencave për çdo aparat dhe hapja e kartelave teknike për secilin prej tyre gjë që u prit me dyshim nga ndonjëri dhe u duk si gjë e tepërt. Fillova të shkoja edhe me shërbim me Koçon për regjistrimin e ndonjë filmi dokumentar. Filmi i parë ishte “Letër nga fshati” me regjisor E.Kekon që u realizua në Bulgarec të Korçës. Por në repartin e zërit nuk qëndrova gjatë, vetëm një vit dhe u emërova si kryeinxhinier i kinostudios, vënd i cili ishte bosh që nga viti 1953, kur këtë detyrë e kryente një inxhinier rus.

-Sa të vështirë e pate punën në këtë rast?

E pata shumë të vështirë, pasi nuk kisha as përvojë, as nga kush mund të mësoja, ndonjë paraardhës, pra duhej ta çaja rrugën vetë, duhet të mësoja në punë e sipër. Dihet se kinematografija është art dhe industri, art dhe teknikë, ku teknika zë rreth 80% të veprimtarisë ku bëjnë pjesë që nga inxhinieria elektrike e kimike, teknika e ndriçimit, akustika dhe elektroakustika, inxhinieria mekanike dhe teknika e precizionit, ndërtimet e dekoret, piroteknika, sikurse edhe gati të gjitha fushat e arteve, të cilat si kryeinxhinier duhet ti njihja për tu shërbyer sa më mirë. Ndonëse kisha njohuri në shumë fusha që nga ndërtimi e deri te elektroakustika, akustika dhe optika, e vura veten në rolin e nxënësit dhe jo të mësuesit. Më duhej të mësoja sa më shumë nga ata që gjeta. Nga Misha duhet të mësoja teknologjinë e përpunimit të filmit, që ishte një fushë krejt e re për mua, nga Xh. Morina të perfeksionoja dijet e mia për kamerat dhe teknikën e xhirimit dhe të precizionit, nga Kol Hila që ishte një autodidakt dhe merrej me riparimin e aparateve për shfaqjen e filmave dhe deri te R. Kerri që merrej me ngrohjen dhe sistemin e kondicionimit të ajrit. Mësova shumë nga Xhano, një vajzë e re e hijshme 27-28 vjeçare, ndonëse ishte e martuar dhe me dy fëmijë, që drejtonte me kompetencë dhe përkushtim repartin e montazhit, nga I.Balla që merrej me formulimin muzikor dhe të zhurmave, nga P.Lubonja që punonte me aparaturën kuadër për kuadër për realizimin e titujve, shkrirjeve dhe trukeve në kopertinat e filmave.Isha kryeinxhinier dhe duhej të drejtoja gjithë procesin teknik dhe teknologjik të prodhimit të filmave, sikurse dhe gjithë problemet teknike të kinemave në të gjithë Shqipërinë që, atëherë vareshin nga kinostudioja. Si rregull kudo kryeinxhinieri është zëvendës i parë i drejtorit dhe në veçanti tek ne që shkonim sipas modelit rus. Nuk më shkonte fare mendja për karrierën por për përgjegjësinë. Më duhej që shpesh të zëvendësoja edhe drejtorin. Unë e quaja veten nxënës, kurse shokët që gjeta aty, me gjithë boshllëqet e tyre arsimore dhe kulturore, u bënë mësuesit e mi, ndërsa vetë kinostudioja ishte universiteti im i jetës, më i fuqishmi dhe më solidi se ai që kisha kryer në Pragë. Kushtet, kur zëvendësdrejtori ishte me arsim fillor të pambaruar dhe kur në vitin 1956 mbetëm edhe pa drejtor, më detyruan të merresha me të gjitha, jo vetëm me problemet e teknikës dhe të teknologjisë, por edhe me ato të krijimtarisë. Ato më lodhën shumë, por më kalitën dhe më formuan më shumë, duke më zgjeruar horizontin kulturor dhe profesional. Më duhej të merresha edhe me problemet e ndërtimit të kinemave, për programet, projektet teknologjike, në rolin e ekspertit për format e sallave, vendosjen e kabinave të shfaqjes, kushtet e shikimit etj.

-Pra ndërtimi i kinemave ishte në plan të parë. Ndshta ne ishim I vetmi vend në Europë me ndonjë sallë kinemaje në Tiranë apo qytet tjetër. Çfarë pune bëre në këtë drejtim?

 Ishte problem serioz ndaj duhej vepruar. Me të parën kinema që u mora ishte ndërtimi i kinemasë “Partizani” në Tiranë, në vitin 1956. Një ditë më thirri për konsulencë edhe inxhinieri i njohur Skënder Luarasi që më vonë do të merrja vesh se kishte projektuar e ndërtuar kinemanë e parë të mirëfilltë në Shqipëri që në vitin 1925, kinemanë “17 Nëntori”, që atëherë u emërtua kinema “Nacional”. Në këtë kohë inxh. Luarasi po drejtonte punimet për ndërtimin e Komitetit Qendror të Partisë, ku ishte inkluduar edhe salla e plenumeve, ku do të vendoseshin aparate për shfaqjen e filmave. Përkushtimi i Xhanos, Petraqit, Sokratit, Janit, Hamdiut, Agimit, Koços, Xhevatit etj., u bënë model frymëzimi dhe të bashkuara këto edhe me etjen time për të mësuar çdo gjë dhe për ta bërë vetë çdo gjë, më bënë që unë të rritesha bashkë me ta dhe bashkë me kinostudion. Aty gjeta gëzimin, harenë, entusiazmin, pasionin dashurinë e shumë përmasave. Ishte dashuria e pakufishme për punën, për profesionin e bukur të kineastit që shprehej në mobilizimin, në kënaqësinë dhe vrullin që kishte secili në profesionin e tij, dëshira e madhe për të përmbushur detyrën. Operatorët mezi prisnin tu jepnin detyrën, rrëmbenin kameran dhe niseshin në të gjitha skajet e atdheut. Punonin në kushte të vështira me bukë e pa bukë, në shi e furtunë dhe në piskun e vapës ngjiteshin kodrave e maleve të thepisura të veriut, vareshin me litarë në humnerë me aparatet dhe bateritë në krahë, ktheheshin në mbrëmje në hotelet e vogla, që vetëm hotele nuk mund të quheshin, dhe të ngrirë këmbë e duar nga të ftohtit, me rroba të lagura nga shiu dhe djersa e gdhinin natën duke u dridhur nga të ftohtit në dhomat e akullta dhe, jo rrallë, e gdhinin duke luftuar me insektet parazitë. Nuk kishin mundësi të komunikonin me familjet, me nuset e reja ose gratë e tyre shtatzëna që nuk kishin asnjë ndihmë. I mbante optimizmi, i mbante gëzimi, dashuria për punën për të regjistruar denjësisht me kamerën e tyre çdo ngjarje që ndodhte anekënd Shqipërisë. Koço Tollkos i shkëlqenin sytë kur ulej me shumë solemnitet në pultin e regjistrimit në sallën e zërit, me një korrektesë për t’u patur zili. Xhevat Behri kishte kënaqësinë e madhe kur vinte ndonjë delegacion për të vizituar kinostudion dhe i udhëhiqte ata nëpër repartet e zërit, montazhit, laboratorit, të titujve. Fliste me një pasion deri në hollësi teknike për filmfonografët, pultin dhe aparatin e regjistrimit optik të zërit. Të krijonte përshtypjen se fliste për dashurinë, për poezinë. Dhe kur vinte rasti që do të shkonte për ndonjë regjistrim sinkron me operatorët, rrëmbente shpejt manjetofonin Philips dy arkësh që peshonte 40-50 kg, vinte kufjet, vendoste mikrofonin “Kinap” sa një arkë dhe përtypej gjithë kënaqësi sikur ishte duke ngrënë ndonjë gjë të shijshme. Njeri i përkushtuar dhe gjithmonë optimist por edhe nga oreksi nuk vuante aq sa shokët shpeshherë bënin humor dhe në gazetat e murit që vendoseshin në korridorin e kinostudios atë e karakaturizonin duke e bërë me një tenxhere makaronash në kokë.

-Kush ishte karaktersitika kryesore në punën tuaj dhe miqësinë tuaj si ekip?

Dashuria për shokun, për njëri – tjetrin e bënin më të këndshme atmosferën. Donin ta bënin sa më prezantuese dhe sa më të bukur kinostudion e tyre. Koço ishte shndërruar në një agronom që e mbushi me pemë e lule mjedisin e jashtëm. Punonte vetë, pa i thënë kush. Sa linte detyrën e regjistrimit, sa largohej nga pulti vishte kominoshet, merrte belin, kazmën, lopatën dhe bashkarisht me Hajredinin, kopshtarin, hapnin gropa, mbillnin pemë, lule. Krijoi disa kafaze dhe në to gumëzhinin pëllumbat, që të uronin mirëmëngjesin sa hyje në kinostudio. Ishte i rreptë me shokët, me këdo që shkelte jo vetëm lulet, por edhe mbi barin e kopshtit të bukur. Në mjediset e kinostudios kishte një pastërti shembullore që nuk e mbanin vetëm Zyraja dhe Tixhja, pastrueset e përkushtuara, që rrinin gjithë ditën me fshesë, leckën dhe thesin e lagur në dorë, por secili nga të 60 punonjësit e kinostudios e ruanin atë si një lule të bukur. Kinostudioja ishte bërë modeli i kulturës, modeli i pastërtisë, modeli i kopshtit të lulëzuar në kryeqytet. Sundonte dashuria për jetën, për ta bërë atë më të bukur. Një jetë aktive dhe e zhveshur nga monotonia. Kushtet ishin të vështira. Kinostudioja ishte 5 km larg nga qyteti, nuk kishte mjete transporti. Në punë shkohej në këmbë ose kush kishte fat hipte në ndonjë qerre me kuaj dhe shkonte deri te ndërmarrja “Rruga-ura”. Ishin shumë të privilegjuar ata që kishin një biçikletë të sajuar, të mbetur nga ushtarët Italianë ose gjermanë gjatë luftës. Dhe megjithatë, kishte një disiplinë shembullore. Në orën 7 të mëngjesit ishin të gjithë në punë. Përballë repartit të zërit ngritëm një fushë volejbolli dhe shkonim në punë gjysmë ore më parë, që në 6.30 e deri në 7 bëheshin ndeshjet e volejbollit. Dhe aty vinin pothuajse të gjithë, lojtarë e tifozë. Herë pas here organizonim piknikë familjare në terrenin e kinostudios. Sa merrej rroga, mbasdite ishte “Xingoni” që na priste, shokë e shoqe dhe do të kalonim mbasditen me një gotë birrë ose limonadë. Një kolektiv solid ku sundonte harmonia, humori, miqësia. Jo rrallë bënim mbrëmje vallzimi në kinema “Partizani”, si dhe mbrëmje familjare me raste gëzimesh, ditëlindjesh e lindjesh, por edhe pa raste, ashtu kot për të kaluar mbrëmjen.

-Kur filloi modernizmi me aparatura perëndimore?

Në vitin 1956 importuam kamerat e para Arrifleks, prodhimi i Gjermanisë Perëndimore. Ishte një gëzim i pa përshkruar për operatorët. I mbanin si një pasuri me vlerë, u rrinin me leckë dhe pompë për heqjen e pluhurit me dorë. Më parë ata kishin punuar me aparate “KS”/Kaes- kinosjomoçnaja kamera/ të prodhimit rus që punonin me kurdisje, me zemberek, ishin aparate shumë praktike. Edhe ato nuk i hodhën, ja u shpërblyen shërbimin, që u kishin bërë ato kamera të thjeshta, u mësuan zanatin e bukur të kinooperatorit, me ato kamera kishin përshkuar gjithë vendin, kishin xhiruar dhjetëra kilometra film. Ato mbetën edhe më vonë si kamera shkollë që përgatitën një brez tjetër operatorësh, Dhimitër Lalën, Niko Theodhosin, Pashko Çomon dhe një brez tjetër më të rinj. Si kamera stacionare punohej me dy aparate “Eta” dhe “Cinephon” prodhime italiane dhe çeke.

Kush ishte salla e zërit

Salla e zërit! Ajo nuk ishte thjesht një sallë për regjistrimin e zërit, por ishte një auditor universiteti. Ajo ishte një shkollë ku mësuam dhe u lartësuam në profesion, jo vetëm ne veteranët, por breza të tërë kineastësh. Aty shfaqeshin kronikat, filmat dokumentarët dhe më vonë edhe ata artistikë para se të përfundonin dhe mbas përfundimit. Aty bëhej analiza e punës, vlerësohej regjia, puna e operatorit, ndriçimi i kuadrit, kompozimi, përmbajtja, puna e laboratorit, montimi e sinkronizimi, titujt e shkrirjet, formulimi muzikor e zhurmat. Diskutonin të gjithë për të gjitha, në mënyrë shoqërore. Ndonjërit i skuqeshin edhe veshët dhe i hipte tensioni nga kritikat, por të gjithë e dinin se qëllimi ishte që kinoditari, filmi dokumentar ose artistik të dilte sa më mirë, të kishte vulën e të gjithëve, të shndërrohej nga vepër e një autori e të gjithë kolektivit, se filmi ishte një vepër kolektive e krijuesve dhe e teknikëve që nga skenari e regjia e deri te larësia e filmit, dhënësi i dritës, apo tekniku i aparateve.

Salla e zërit ishte e mbushur me shumë ngjarje. Ajo ishte shkolla ku u përgatitën breza të tërë kineastësh. Ajo na lartësoi të gjithëve. Atje njohëm dhe korrigjuam boshllëqet tona kulturore ose profesionale, aty pamë defektet dhe cilësinë e dobët të pajisjeve dhe atje zbuluam se duhej të përmirësonim e pasuronim mjetet teknike të ndriçimit, laboratorit, kamerat. Dhe pamë varfërinë e fondit muzikor dhe të zhurmave, andej nxorëm detyrat për korrigjimin e të metave, për pasurimin dhe zëvendësimin e teknikës etj.

Aty pamë se kinostudioja nuk ishte fjala e fundit e teknikës siç u propagandua në fillim, ndonëse edhe unë që erdha nga Praga nuk guxoja fillimisht t’u errësoja vizionin e përsosmërisë së pajisjeve Koços, Xhevatit, Mishës. T’u prishje këtë vizion, domethënë t’u mohoje, t’u zbehje, t’u vrisje dashurinë për ato pajisje, për punën, për profesionin. Kjo duhej të vinte gradualisht, nëpërmjet asaj, sallës së zërit që ata, me rritjen e tyre profesionale të bindeshin edhe vetë që ato pajisje nuk ishin më të kohës, prandaj duhej të zëvendësoheshin.

U krijuan kushtet për të bërë studimet për zgjerimin e prodhimit, për përsosjen e teknikës, për përmirësimin e procesit teknlogjik të xhirimit dhe përpunimit të filmit.

Dhe mua si kryeinxhinier më takonin detyra të mëdha: duhej të udhëhiqja këtë proces; duhej të studioja dhe të bëja vetë studime; duhej të hapja perspektivën; të ndeshesha me shumë vështirësi, të luftoja me shumë koncepte, të thyhej miti i “fjalës së fundit të teknikës” që zotëronte në gjithë piramidën e aparatit shtetëror e deri në kokën drejtuese, Sekretariatin dhe në Byronë Politike të Partisë shtet.

Dhe filluan studimet që kishin dy krahë për përmirësimin e procesit; për pajisje me nivel më të lartë; për zëvendësimin e atyre që ishin vjetëruar se kishin cilësi të ulët; por edhe për të përballuar rritjen e prodhimit të filmave dhe në veçanti për të hapur perspektivën e xhirimit të filmave artistikë; sikurse edhe përmirësimin e gjendjes teknike dhe zgjerimin e rrjetit kinematografik dhe shtrirjen e tij proporcionalisht në të gjithë Shqipërinë dhe në fshat.

Please follow and like us: