Albspirit

Media/News/Publishing

Gruaja pa parti kafshohet nga derri i egër, pritet versioni i konspiracionistëve

“Isha në plazh, ulur në peshqir, të premten mbrëma, pas punës. Po shijoja flladin dhe një derr i egër u shfaq pranë meje. Mbeta e palëvizshme, por ai u tregua agresiv dhe më kafshoi krahun”. Rossana Padoan Falcone, 57 vjeçe, është e punësuar në një firmë sigurimesh dhe të premten e kaluar, siç i pëlqen të bëjë në fund të një jave pune, pas zyrës vendosi të kalojë disa orë në plazh, në Sturla.

“Përjetova një eksperiencë të pabesueshme në plazh, në qytet, e kafshuar nga një derr i egër. Ndodhi pak pas orës 19:30, sapo kisha mbaruar së ngrëni një picë në plazh, – thotë ajo. – E kisha hedhur kartonin jo shumë larg meje dhe peshqirit tim, kur erdhi derri i egër, o cili ishte mjaft i madh.

Qëndrova pa lëvizur, mendova se ishte tërhequr nga pica dhe se do të përpiqej të hapte kartonin, i cili mbante disa mbetje brenda. Në fakt, ai m’u afrua dhe më kafshoi”.

Gruan e pushtoi paniku: “Bërtita, por njerëzit po iknin. Mbeta vetëm për disa minuta, me krahun e gjakosur, para se një grua të afrohej sërish për të më ndihmuar dhe kërkuar ndihmë”.

Rossana Padoan Falcone u asistua më pas nga një ambulancë dhe një patrullë e policisë lokale: “Ata ma trajtuan menjëherë krahun dhe më shoqëruan në dhomën e urgjencës së spitalit San Martino”. Tashmë gruaja, përveç marrjes së medikamentit të tetanozit, duhet t’i nënshtrohet ciklit të administrimit kundër tërbimit: “Në urgjencë ma kanë përshkruar, ndërsa në klinikën ASL më kanë pyetur nëse doja ta merrja. Duket se nuk ka precedentë të kafshimit nga derri i egër, ndaj nuk është e sigurt që ekziston rreziku për t’u prekur nga kjo sëmundje. Unë sinqerisht kam zgjedhur të mos rrezikoj”.

Padoan Falcone, e cila është edhe sekretare e klubit “Pd Portoria Carignano”, ka zgjedhur të tregojë përvojën e saj të paprecedentë, sepse është një simptomë e një situate që në Genova po degjeneron: “Është e patolerueshme që qytetarët të përballojnë një rrezik të tillë. Isha në një plazh ku, pranë meje, deri para pak minutash kisha bërë shoqërinë e një çifti me një fëmijë në karrocë.

Po ta kishte kafshuar atë? Dhe pastaj ai plazh është i aksesueshëm për personat me aftësi të kufizuara. Është një plazh publik, i cili gjithsesi duhet të jetë me njerëz. Alarmi që vjen nga derri i egër besoj se po nënvlerësohet nga autoritetet”.

Natën midis të shtunës dhe të dielës, policia lokale lëshoi ​​tri njoftime të ndryshme paralajmëruese për shoferët, pasi kishin parë derrat e egër në karrexhata, përkatësisht në Corso Torino, Corso Europa dhe via Capri, duke i ftuar ata ‘të kenë vëmendjen më të madhe”.

Rossana Padoan tani ka një proces intensiv shëndetësor për të kryer: “Përveç vaksinimeve, duhet të marr antibiotikun për gjashtë ditë, tri herë në ditë”. E megjithatë ajo është e sigurt për një gjë: “Më duhet të gjej një plazh tjetër, nuk do të shkel më atje”.

Please follow and like us: