Koço Mosko: HISTORIA DHE RRUGA PATRIOTIKE E FSHATIT SELCKË
Fshati Selckë ështe i fundit në vargun e fshatrave të Lunxhërisë që zenë vend si një gjerdan floriri mbi gjoksin e malit me të njëjtin emër. I fundit thuhet kur fshatrat e kësaj krahine fillojnë t’i numurojmë nga veriu, por po t’ia fillojmë numurimin nga jugu, Selcka del fshati i parë i Lunxhit. Është një fshat me histori të lashtë dhe me tradita të shquara patriotike shqiptare. Në shekuj u ka qëndruar okupatorëve të huaj me një stoicizëm të paparë lunxhot, për të mbrojtur traditat dhe zakonet e të parëve, e mbi të gjitha për të ruajtur me dashuri gjuhën e bukur shqipe. Në kujtimet e tij aktori Andon Pano “Artist i Merituar” ka shkruar: “Në fshatin Selckë flitej një gjuhë shqipe e ëmbël”.
Kjo nuk ka qenë fare e lehtë, por është arritur përmes një përplasje të vazhdueshme për jetë a vdekje midis shqiptarizmës dhe okupatorëve të pashpirt dhe rrymave të mbrujtura me mendësi shovene, hipokrizi megallomane që shfaqeshin shumë egërsisht, madje nganjëherë përfundonin tragjikisht. Një shembull i rrallë edhe për historinë botërore të arsimit, siç thotë Ismail Kadare, janë vëllezrit nga ky fshat Pandeli dhe Koto Sotiri, të cilët u martirizuan për alfabetin, librat dhe shkollat shqip. Por jo vetëm këta.
Selicjotët e kanë dashur dijen dhe shkollimin. Sipas studjuesit Beduli ka të dhëna se shkolla e fshatit u ndërtua që në vitin 1811. Shkolla kishte 4 klasa të fillores dhe tre klasa plotore të shatëvjeçares. Në vitet 1980 ra një zjarr dhe u dogj e gjithë shkolla. U dogj dhe biblioteka që kishte shumë libra shqip. Nuk ka të dhëna se sa e madhe ka qenë kjo shkollë. Në vitin 1894, me kontributin e emigranteve të Stambollit, mbi ato themele u ndertua shkolla që është dhe sot. Në këtë shkollë deri në vitin 1912, kur u shpall Pavarësia mësohej greqisht, por asnjëherë nuk u la pas dore mësimi i gjuhës shqipe. Mësohej fshehurazi nga autoritetet osmane. Këtë e faktojnë librat, dëshmitë gojore dhe këngët popullore.
Sapo fillon fshati, aty ndënë Kishën e Shën Nikollës, është një vend që quhet “Varri i Hoxhës”. Aty ishte varri i Hoxhë Myftar Ali Kallaratit, i cili rreth viteve 1840 kthehej nga Stambolli për të sjellë libra shqip. U sëmur rëndë dhe vdiq në Selckë. Fshati e varrosi me nderime të mëdha. Eshtrat e tij i tërhoqën pjestarë të fshatit Kallarat në vitin 2007. Për këtë Hoxhë flasin dy këngë. Njëra qëmtuar e regjistruar nga mbledhësi i apasionuar i folklorit lab, Fatos Mero Rrapaj. Në këngë thuhet:
Patriotët ven e vijnë,
Plot me vilva mbushur gjinë.
Ç’thonë për Myftar Alinë,
Dyzet ditë nga Stambolli
Rruga mbarësi s’i solli.
La pas Sarajet e ngjolit,
Hyri fshtatrave të Pogonit,
Vate në një fshat të thellë,
Nga katër male mbështjellë.
Kur vdiq Hoxha dhe dha xhanë,
Tre këmbana për të ranë,
Bënë nder si për babanë.
Kur ia hoqën xhamadanë,
Dualën librat shqipe radhë.
Ndërsa kënga tjetër për këtë Hoxhë thuhet në fshatin Selckë, flet mbi varrimin e tij. Në këtë këngë thuhet:
“O i ziu babasheh,
Ke fëmijë apo nuk ke?
S’kemi ç’të bëjmë dhe ne,
të përcollëm si babanë,
Për ty tri kambana ranë”.
Librat shqip nga Stambolli selicjotët i binin edhe vetë fshehurazi. Ka shumë gojëdhëna e histori që tregonin pleqtë. Në fshat thuhej kjo këngë:
Siko Dhimadhi kur vije,
Në Selckë dilje lëminje,
Ç’bëhej në Stamboll e dije,
Kokën në trastë e vije
Për sebep të ca vivlije,
Qysh bëje kur dilte ujku,
Pastaj të qepej dhe cfurku.
Mbi dy fundoma sënduku
Shqiponjën se zë dot turku.
Një libër nga këto prurje nga Stambolli që i kishte shpëtuar edhe djegies së bibliotekës, të cilën e kam arritur edhe unë, është libri i Dhjatës së Vjetër; botim i vitit 1849, e ruante prifti i fshatit Papa Stefan Thanati. Pra, gjatë kësaj periudhe në Selckë jo vetëm që mësohej gjuha shqipe në shkollë por edhe meshohej shqip në kishë, sigurisht fshehurazi nga autoritetet osmane. Në këtë mjedis u lindën, u rritën e u mbrujtën me shqiptarizëm patriotët martirë të rilindjes sonë kombëtare, vëllezrit Pandeli dhe Koço Sotiri. Ata kryen shkollën plotore në fshat, vazhduan një nga shkollat e mesme më të mira të Stambollit në gjuhën frënge, siç ishte shkolla e mesme e Gallatës, së bashku me patriotin tjetër nga Krina, Janko Minxha. Më pas shkuan në Vienë, Austri ku kryen studimet e larta. Shkolla fillore e Selckës duhet të shpallet shkolle Muze. Kjo eshte e vërteta e shkollës së fshatit Selckë dhe jo ato gënjeshtra që shkruajnë skeptikët, qofshin dhe figura publike e që hiqen si patriot apo pseudohistorianë.
Pas shpalljes së pavarësisë në fshat u bënë përpjekje që shkolla të ishte vetëm shqip. Por tani ishte greku i cili bënte presion që kjo shkollë, tashmë fillore të ishte greqisht duke dërguar edhe mesues grekë. Në vitin 1917 me largimin e ushtrisë greke shkolla u hap në shqip pas debatesh të ashpra me mesueset greke të cilat nuk dëshironin të largoheshin. Ato financoheshin prej vëndit të tyre. Tani shkolla u ndodh para vështirësive financiare, për mësonjës dhe fonde. Ndërsa deri në atë kohë fshatarët e mbanin shkollën me shpenzimet e veta. Me ardhjen e qeverisë së Ahmet Zogut, rreth viteve 1923, Pleqësia e fshatit me anë të një letre, i kërkonte kësaj qeveria të sapokrijuar të mbështeste shkollën financiarisht për të mos ngelur fëmijët të parsimuar.
Selcka ka nxjerë shumë mësues, do të kemi rast t’i radhitim e përshkruajmë një nga një. Mbi të gjithë shquhet gjuhëtari dhe sintaksollogu brilant me famë kombëtare Prof. dr Thoma Dhima. Sipas historikut dhe librit “Selcka e Lunxhërisë” prej vitit 1918 deri në vitin 1932, kanë qenë mësonjësit sipas kësaj radhe: 1. Mësuesi me mbiemër Cano nga Libohova. 2. Me mbiemër Garuli nga fshati Zhei, Zagorie. 3. Vasil Dede nga fshati Selckë. 4. Astrit Mata??? 5. Në vitet 1928 – 1932 mësues ishte Peço Stani nga fshati Sheper i Zagories. Shquhej për aftësi të larta pedagogjike dhe njohës i mirë i Rilindjes. Kemi dhe një foto të këtyre viteve, por nuk e dimë emërin e mësuesit.
Në vitin 1933 deri në vitin 1941 në Selckë erdhi mësuesi më jetgjatë, që punoi si mësonjës i shkollës fillore për afro një dhjetvjeçar, i porsadiplomuari në Normalen e Elbasanit, Koço Sevo. E nderpreu punën për shkak të luftës dhe u rikthye përsëri ne Selckë pas Luftes së Dytë Botërore në vititet 1945 – 1946. Mësues Koço Sevua mbeti në kujtesën e shumë brezave selicjotësh. Ai kujtohej me dashuri e respekt për shumë kohë. Pavarësisht shkëputjeve, Koço Sevo asnjëherë nuk u nda nga fshati Selckë. Ai i deshte shumë fshatarët siç dhe ata e deshën dhe e respektonin pa kushte.
Po kush ishte mësuesi Koço Sevo?
Ridhte nga një familje intelektuale fisnike gjirokastrite. Babai i tij me profesion ekonomist ishte edhe përgjegjës i Doganës Kakavie gjatë Mbretërisë. Koço lindi në vitin historik 1912 në lagjen Pazar i Vjetër. Mbasi kreu shkollën plotore në Gjirokastër, fitoi një të drejtë studimi për në Normalen e Elbasanit, ku gjatë viteve të kësaj shkolle u shqua edhe si atlet. Koço Sevo ishte atdhetar, ai nuk u pajtua kurrë me pushtimin e Shqipërise nga nazifashistat. Kundërshtoi hapur këte pushtim në mbledhje të ndryshme të organizuara nga qeveria kuislinge, si dhe kapitenin e ushtrisë greke për Gjirokastrën.
Pas luftës ka qenë drejtor në shkollën “Drita”, me vonë punoi inspektor arsimi në Delvinë dhe Përmet. U dekorua me urdhërin e punës të klasit të parë. Në 1958 kthehet në Gjirokastër. Punoi si mësonjës në shkollën “Koto Hoxhi”, dhe më pas drejtor në shkollën “29 Nentori” dhe ushtrimore. Doli në pension në vitin 1966. Ndërroi jetë në vitin 1987.
Fshati Selckë ndodhet në mes të tri krahinave me tradita e kulturë të lashtë; Pogonit, Zagories dhe Lunxhërsë ku bën pjesë tradicionalisht. Me këto krahina ka pasur lidhje të shkëlqyera e vëllazërore në shekuj, jo pak po mbi dy mijë vjet. Asnjëherë nuk mbahet mend të ketë patur probleme e divergjenca, por mbahet mend për respekt të ndërsjelltë, shembullor. Me këto krahina kemi patur lidhje të ngushta, krushqi e miqësira të shumta. Me Pogonin dhe Zagorien kemi pak a shumë edhe tradita kulturore të njëjta ose shumë të ngjajshme.
Gjatë Mbretërisë, fshati Selckë ka qenë administrativisht me Libohovën. Pas luftës për shkak të afërsisë, i është bashkangjitur krahinës së Pogonit. Me reformën territorial, e ashtuquajturës rilindje iu bashkua artificialisht Bashkisë Dropull!? E habitëshmë kjo reformë e rilindjes. Fshati Selckë të quhet Dropull e të hyjë në minoritet!?? Asnjerit nuk i kishin shkuar në mendje këto çudira të kësaj qeverie. As Pogoni, mendoj unë, nuk do ta deshte këte gjë, të quhet Dropull. Tjetër çfarë imponon politika e ditës. Kanë filluar të greqizojnë tabelat, preteksi në dy gjuhë. Kjo për mendimin tim eshtë një ofezë dhë fyerje e rëndë për historinë patriotike të fshatit tim të lindjes, Selckë.
Fshati Selckë aktualisht është drejt shpërbërjes. Nuk e di nëse do t’i rezistojë kohës. Nevoja për ndonjë investimtë vogël, mungesa e rrugës dhe e ujit e kanë bërë të pabërballueshme jetesën në këtë fshat malor. Selcka është një fshat historik për gjithë Shqipërinë. Aty është vendlindja dhe rrënojat e shtëpisë së martirëve të Rilindjes sonë Kombëtare. T’i kujtojmë një nga një: Varri i Hoxhës, shkolla ku u brumosën me atdhedashuri Pandeli e Koço Sotiri dhe figurave të tjera të shquara që i kapërcejnë kufijtë e Shqipërisë, Kisha Monument Kulture e Shën e Premtes, së bashku me Kroin e Madh unik ne lloin e tij, kisha me hisori interesante shumë e vjetër e Shën Gjergjit, rrënojat e një garnizoni ushtarak nga koha e Mbretit Pirro, me shtëpi komode e shumë interesante e shekullit te 17-të. Ndodhet aty ujvara e famëshme si dhe dhe ka shumë veçanti të tjera kulturore e natyrore.
Selcka, siç e mendoj unë, shkon drejt zhdukjes, shtëpitë po i përpin mali. Duhet që emigrantët dhe shteti të verë dorë e të ndalin shkatërimin. Për ironi te fatit sot nga Selcka janë me origjinë ose te lidhura ngushtë me këtë fshat një ministre dhe tri deputetë të spektrit politik të majtë e të djathtë. Nuk po i përmend emrat, por lypset të lobojne si fillim për rrugën si dhe të ndërtohet shtëpia e Pandeli Sotirit, dhe një shtatore e tij. Ndryshe ky fshat me këtë histori brilante shqiptare do harrohet e do të thuhet ndonjëherë se u zhduk edhe një fshat nga krahina e Dropullit.