Albspirit

Media/News/Publishing

Rigel Rizaj: PREDHAT NËN DAFINA 

“Piktura është zanati i njeriut të verbër”, shprehet Pablo Picasso, (pasi) “ai pikturon jo atë çka sheh, por atë çka ndien, se çfarë i rrëfen ai vetes se është duke ndierë”. Dy burra tek ndezin qirinj të shprehur si në një shirit negativi; peizazhi i një rruge ndanë një kodre i penguar prej një dore të vdekur; bebja-lodër e thyer nga pasojat e luftës; një grua luftëtare; peizazhe në shkreti dhe rrënoja; një vajzë në një nusërim të lënë përgjysmë; transportuesit e predhave; demontuesit; goja që s’mundet ta mbajë britmën e dhembjes; shtaza e vdekur nga predhat dhe, ndër më të veçantat, vogëlushi më brerore dafinash që mbart një predhë ndër duar – këto janë motivet e vizatimeve me laps të Bruku Velos, një artisteje të re me botëkuptime të largëta.

Këto vizatime me një temë aktuale të luftës së largët gjeogrfikisht, e cila doemos mbart gjasat e një lufte të afërt nëse nuk jemi të kujdesshëm t’i lexojmë veprimet tona, egot njerëzore apo edhe egot politike, lipsen të shihen nën optikën e thënies së Picassos. Një peizazh i ndërprerë, apo më mirë të thuhet, një peizazh i kitch-izuar nga një dorë e vdekur, është një peizazh ballë së cilit duhet qëndruar gjatë për të reflektuar.

Në këtë vizatim në dukje të thjeshtë për sa i përket teknikës së lapsit, duhet të kategorizojmë entitetin e kësaj dore e cila vazhdon zgjatimin e saj disa centimetra pas kyçit dhe pritet dhunshëm. Dora e vdekur është personazh më shumë sesa mundet të jetë një trup i vdekur. Gjakosja e saj është më e fortë dhe ngulmuese sesa tërësia e trupit ku bën pjesë, dhe kjo na trondit po aq sa na thellon të mendojmë mbi kumtin e egërsisë që përcjell ky punim. Kujt i përket kjo dorë? Kush e ka dergjur dhe ngjyer në gjak? A ka gjini kjo dorë? – Jo nuk ka! Dhe mospasja e gjinisë e bën atë edhe më sublime, edhe më me dinjitet. Është e tillë, pa gjini, pa përcaktime dhe pa stolisje, për të shprehur se kësaj dore nuk i nevojiten këto detaje, kësaj dore i nevojitet jeta.

Në punimin e radhës është bebja-lodër, një lodër e hedhur diku në hapësirë, jo prej fëmijës që mund ta ketë pasur, por prej luftës që nuk i përket askujt, përpos sistemit ideologjik (pra, një nocioni). Gjithçka mundet të hamendësojmë për rrethanat që e kanë flakëruar këtë bebe-lodër, të copëtuar e të krisur, të devijuar nga roli i saj gazmor: mundet të ketë qenë një bombë, mund të ketë rënë rrugës gjatë korridoreve njerëzore për shpëtim dhe lufta është derdhur mbi të në trajtën e një makinerie, të një tanku apo edhe të një çizmeje ushtarake. Ajo çka të ngjall çuditje te bebja-kukull është shprehia e trupit të saj, e lëvizjes së saj të fundit gjer në pozicionin ku ndodhet ai trup, kokës së kthyer paksa anash dhe, së fundmi, është shprehja që duket se mbart vetë fytyra e lodrës. A është kjo bebe një lodër? Përse shëmbëllen njerëzore? Apo mos vallë është një bebe që ne e ngatërrojmë me trajtën lodër të saj?

Në kontekstin e mizorisë që emeton lufta, pra të këtij nocioni që Bruku Velo kërkon të shfaqë nëpërmjet vizatimit, jeta e bebes-lodër dhe bebes reale barazvlerësohen. Pra, edhe nëse është lodra e gjymtuar që ka mbetur pas, në gjurmën që ka lënë lufta, ajo është një dëshmi po aq mizore për moralin që mbart frymën gjallë. Shtaza e goditur nga predha: një lopë. Një qenie e butë, një qenie simbolokisht në kulturat e lindjes si përfaqësim i së shenjtës. Edhe për Shqipërinë mund të themi të njëjtën gjë, po aq sa mundet ta pohojmë për të gjitha qytetërimet. Lopa: dhënësja e qumështit të mëngjesit, dhënësja e jetës, matriarka kulturohistorike e qenieve shtazore për nga rëndësia/simbolika që mbart prodhimi i saj, fryti i saj ushqimor. E vdekur nën agoninë e një predhe që e ka gozhduar këtë shtazë në tokë, përçon pikëllim.

Kjo është diçka e jashtëzakonshme duke qenë se mjetet artistike të shprehjes janë nga më minimalet me të cilat Velo ka luajtur: letra dhe lapsi. Diku më tutje një buqetë e vyshkur lulesh në duart e një vajze që pret të jetë nuse. Ndoshta s’do të jetë kurrë, ndoshta gjithçka ka mbetur përgjysmë, përderisa autorja e saj nëpërmjet një lapsi të bardhë, duke u përzier në vizatim, ka lënë gjurmë të së bardhës së munguar, velloja dhe buqeta janë më tepër të njollosura në të bardhë dhe njollat e së bardhës janë pamundësia e vazhdimit të lumturisë njerëzore.

Ballë luftës, njeriu e ka të pamundur të shpjerë gjer në fund lumturinë. Ndërtesa të rrënuara, njerëz që transportojnë predha nga këtu-atje, ushtarë burra dhe gra, me sytë e patrembur e të mëdhenj, të thellë e të zinj, për t’u shprehur të paepur, të pafrikë. Pianisti në tri ngjyra dhe pa detaje fytyre, simbolizon brengën që ka nevojë të shkarkohet nëpërmjet një tastiere, dhe kjo është një gjetje universale: bashkëjetesa e krijimit (artit) dhe rrënimit (luftës). Po t’i hedhim një vështrim panoramik krijimeve në lëmin e pikturës, vizatimit, grafikës, është tanimë e saksionuar se arti është mbruar më shumë, gjenial dhe i madhërishëm, në kohë presionesh të mëdha politike, ndrydhjesh dhe mësymjesh kulturore për hir interesash hegjemonike dhe sunduese.

Padyshim, nuk është vetëm tematika e zgjedhur nga Bruku Velo ajo që i bën të qarta vizatimet, por është bash ndjesia që përçojnë. Rrëfimin e kësaj ndjesie, sipas Picassos, është ajo që shquajmë te finesa e këtyre vizatimeve me laps, ku tonalitetet dhe dendësia e ngjyrës së plumbit shprehin më shumë nga sa do të mund të shprehnin ngjyrat. “Për të shuar luftën është e nevojshme të shuajmë patriotizmin”, thotë Lev Tostoj, “dhe për të shuar patriotizmin është e nevojshme së pari të kuptojmë se ekziston e liga”.

E liga ka shumë fytyra, por Bruku Velo dëshiron të na e paraqesë atë nëpërmjet peizazhit të luftës, një peizazhi natyror, një peizazhi njerëzor e lëndor. S’mundet mos të të ngelet në mend vizatimi më i përkorë i këtij kolazhi punimesh me laps. Një djalë, me gjasë rreth 8 vjeç, paçka se me tipare të fshira të fytyrës, mban në duart e mveshura te njëra-tjetra saqë të bëhet se duart janë një dorë e pandarë, pa gishta, pa një fund, pra në këto duar në mungesë, këto duar të lidhura fort pas njëra-tjetrës, prehet një predhë. Ndoshta është predha që duhet shpënë diku, iluzion i fitores në një kontekst ku ka vetëm humbës, ndoshta është predha që s’ka mundur të shpërthejë dhe mbartet si relikte e shpresës te fëmija që e ka gjetur.

Ja pra, ka shpresë! Jo të gjitha predhat shpërthejnë. Jo gjithnjë vdiset. Ndaj mbi kryet e fëmijës qëndron pezull (si brerorja që asnjë shenjt s’mundet ta tundë në kohë lufte që ta zhbërë tmerrin) një kurorë dafine. Nuk ka shenjtërim të luftës, nuk ka pranim të predhës. Predhat nën dafina janë kumti se luftrat janë gjithnjë të parathëna të vdesin. Është fuqia e imazhit, e penës së Bruku Velos, që nëpërmjet këtij domeni kohe dhe hapësire midis predhës dhe dafinave, ai që na rrëfen rëndësinë që ka paqja që gjendet pas çdo akti, edhe atij më të papranueshmit.

Please follow and like us: