Albspirit

Media/News/Publishing

Flamur Hoxha: Ende jeton plumbi që vrau Vilson Blloshmin e Genc Lekën…

 
Ende jeton plumbi që vrau Vilson Blloshmin e Genc Lekën…
Kur shihja plumbin qe ka vrarë Vilson Blloshmin e Genc Lekën, njërin nga plumbat e pushkatimit të tyre 45 vjet më parë, plumb që e mbante në dorë Bedri Blloshmi, vëllai i perkushtuar i Vilsonit për të zbardhë të vërtetën e Vilsonit e Gencit, ndjeva një trishtim të thellë.
E pashë atë plumb në ekspozitën kushtuar dy poetëve martirë në 45-vjetorin e pushkatimit të tyre.
Ende jeton plumbi që pushkatoi Vilsonin e Gencin, ende jeton një plumb që i pushkatoi ata dhe na vrau të gjithëve lirinë. Ende ai plumb vret të ardhmen tonë, sigurinë tonë.
Ky plumb bashkë me foto të tjera dhe dokumente të ndryshme u ekspozuan në ekspozitën në mjediset e Institutit të Studimit të Krimeve të Komunizmit ku mora pjesë i ftuar si vizitor.
Jam përpjekur të mbështes sa kam mundur veprimtari për njohjen e Vilsonit e Gencit. Kam mbështetur botimin e disa librave të tyre dhe veprimtari shkrimtarësh në nderim të dy poetëve martirë. Dhe nuk mund të mungoja në çeljen e kësaj ekspozite të veçante në 45-vjetorin e pushkatimit të tyre të kapur me pranga dorë për dore.

Bedri Blloshmi: Mirënjohje Flamur Hoxhës për botimin e libri të poetëve martirë

Vilson Blloshmi: Saharaja

 

Saharaja, larg është Saharaja,

Saharaja shkëmb e rërë e gurë,

Që ka shok veç emrin e saja

Dhe ngaqë s’sheh ëndrra, s’sheh as drurë.

 

Saharaja s’di të ëndërrojë.

Ajo bluan gurë me mend’ e saj…

Saharaja s’ka këngë të këndojë,

Saharaja s’ka as lot të qajë.

 

Saharaja nuk ka miq e shokë,

Saharaja nuk ka bijë, as bir.

Saharaja është një copë tokë,

Thonë se dhe me natën s’shkon mirë.

 

Natës s’i pëlqen në Sahara,

S’i pëlqen të ketë veç gurë për shtrojë;

Fjalë e dashuri e njerëz s’ka;

Perç’ e saj e zezë s’ka ç’të mbulojë.

 

As dhe një s’e di si është kandisur

Me kët’ plagë mbi shpinë rruzullimi,

Por se thonë në botë është stisur

Kur i duhej njerëzisë mallkimi.

 

Kur ai për keq e mban në gojë,

Saharaja e mban vesh e qesh.

Saharaja fillon të gëzojë,

Kur ne mallkohemi mes nesh.

 

E kur bie ndrojtur rrez’ e diellit

Dhe mbi gurët e pamyshkët ndrit,

I ngjan vello savani i qiellit,

Shkretëtirës shket e shkrepëtit.

 

Prandaj, kur urrejtjen e fortë e nxehur

Mbi dikë mallon e shfryn e shan,

Që nga skuta del kujtimi i dehur

Dhe thërret menjëherë Saharanë.

 

Kur mallkimi shfryn e kur kujtimi

Në pusin e harresës tret…

Kur hyn dielli e kur hesht thëllimi,

Shkretëtirë e shkretë mbetet shkretë.

Please follow and like us: