NDËRRON JETË MUZIKOLOGU I TALENTUEM, SIRRI XHELADIN RROJI
Sami Repishti, PhD
Ridgefield, CT.-Ditën e Enjte, 7 korrik 2022, vdiq në Nju Jork figura e dallueme e muzikës në Shqipëri, Sirri Xheladin Rroji, muzikolog i talentuem. Dëshira e fundit e tij ishte të varrosej në trojet shqiptare pranë prindërve dhe të afërmve të tij, krah gjyshit të tij ish Senatori Halit Rroji dhe prindërit Xheladin dhe Naxhije Rroji.
Sirriu lindi në Shkodër më 30 Nandor 1933, në një familje elitare të qytetit të Shkodrës. Familja Rroji gëzon respektin e shërbimit të kësaj familje për çështjen kombëtare shqiptare.
Patriarku i saj, i ndjeri Halit Rroji, shërbeu për 17 vjet pa ndërpremje si senator dhe deputet i qytetit te Shkodrës, prej vitit 1922- e deri më 7 prill 1939. Ai ka qenë nji figurë qendrore në Shkodër. Përbuzi pushtimin fashist të 1939-ës dhe për rrjedhojë u internue me familje ne nji fshat te humbun te Italisë. Përkrahës besnik i regjimit monarkist të Mbretit Ahmet Zogu ai, bashkë me djalin Xhevdet Rroji, ish krytar komuneje, vuejtën mizoritë e internimit fashist.
Me ramjen e fashizmit italian, të lodhun nga mosha e keqtrajtimi, u kthyne në Shqipëri dhe vetem mbas nji kohe të shkurt, Patriarku Halit Rroji vdiq i përcjellun në varrezë nga nji masë e gjanë e popullit të Shkodrës.
Sirriu kreu studimet fillore dhe te mesme në Shkodër, prane liceut At Gjergj Fishta, por u përjashtua nga regjimi komunist me motivacionin “Për mospërputhje me vlerat e shtetit të ri socialist”. E përfundoi shkollën e mesme me korrespondencë në Tiranë ku jetoi me familjen Pilku me të cilën e lidhte një miqësi e vjetër familjare.
Por atmosfera politike e vendit me fitoren e PK.Sh u vështirësue dhe Sirriu bashkë me rininë studenteske shkodrane u ba objekt i survejimit nga ish Sigurimi i Shtetit dhe u kërcenue me burgosje dhe me arrestim. Pas përmbushjes së detyrimit ushtarak, familja Rroji u largue nga Shkodra dhe zuni vend në Tiranë, fillimisht në ish qytetin e nxënësit dhe më pas në një lagje tradicionale tiranase.
Gjatë kësaj kohe Sirriu i cili kishte mësue në ambientet artistike të Shkodrës instrumentin e klarinetës dhe saksofonit mësoi në mënyrë autodidakte fagotin. Pasi kreu provën e hyrjes, pas ushtrisë u punësua si instrumentist pranë Bandës së Ushtrisë. Gjatë kësaj periudhe, ai kreu me korrespondencë studimet e nalta në histori e gjeografi pranë Univeristetit te Tiranës.
Ma vonë, me hapjen e Konservatorit të Tiranës (sot Instituti i Lartë i Arteve) ai u diplomue edhe si Dirigjent orkestre ne Konservatorin e Tiranës, nji profesion që ai e ushtroi me shumë pasion. Në këte drejtim ai zhvilloi aktivitet te dendun si Drejtues i Ansemblit të Ushtrisë dhe i Estradës së Ushtarit, si themelues e drejtues artistik i Shkollës Frymore të Ushtrisë, si Dirigjues i Festivalit të 8-të të R.T.Sh. dhe themlues i Bandës frymore të Tiranës. Në këto cilësi, ai fitoi çmimin Eurofanfare (1991) dhe drejtoi në koncertin final 23 fanfara europiane Hymnin e Evropës së Bashkueme.
Ka qenë profesor i muzikës për shumë gjenerata muzikantësh shqiptarë dhe themelues i Ansambl-it Artistik “Tirana” me të cilin i dha jehonë nëpër botë kulturës, muzikës, etnografisë dhe valleve shqiptare.
Sirriu bashkë me bashkëshorten doktor Lumira Berati Rroji asht autor i librit “Orkestra frymore e Tiranës: Nji Jetë mes Emocionesh”, (Botimet Onufri, 2018) dhe fitues i disa çmimeve ndërkombëtare në Festivalet në Vilëfranshë dë Ruergë (Francë). Asht dekorue nga Ministria e Kulturës dhe e Mbrojtjes për kontributin e tij të çmueshëm për muzikën shqiptare.
Sirriu len mbrapa të shoqen, Lumira Berati Rroji, Doktoreshë e Shkencave, nga i biri Grid S. Rroji, asistent profesor pranë Graduate of Center of CUNY, nga e bija Xheni Rroji, shefe kabineti e departamentit të teatrit dhe muzikës në Hunter College, nga motra Makbule Kumi dhe shumë miq, kolegë e të afërm.
Sirri Xh. Rroji që u nda nga kjo botë ka qenë kushërini im. Pushoftë në paqe!
Please follow and like us: