Vangjush Saro: NE, ‘MALOKËT’…
Meditim
E kam urryer gjithnjë fjalën ‘malok’. Unë e kalova fëmininë dhe një pjesë të rinisë në Korçë; është një vend që përmendet për kulturë, pastërti dhe vetëpërmbajtje; është një vend ku, me sa mbaj mend, edhe e ashtuquajtura ‘luftë e klasave’ nuk ishte temë e dashur. Megjithatë, dikur, qenë ‘si bukë me djathë’ llagapet; pothuaj çdo njeriu i ngjitej një aso, sidomos atyre që binin në sy për ndonjë teprim: gjiza, hunda, fëcka, xhuxhi… Për çudi, nuk kam përdorur asnjëherë aso, atëherë dhe më pas. Mbase këto nuk shkonin në familjen time.
Më vonë, në fakultet ne ishim ‘ç’fluturon hahet’. Po kur fillova punën në Vidhan (Gramsh) nisa ta njihja disi jetën. Mësova ç’do të thotë të udhëtosh për orë të tëra në këmbë, shumicën e kohës vetë, në baltë e në shi, shpesh i djersitur, pa moral, duke menduar hë se po duket kund ndonjë makinë a ndonjë zetor, duke parë (me frikë) qenër që mund të suleshin nga çasti në çast apo duke dëgjuar larg ulërima ujqish… Mësova çfarë ishte varfëria; kur bënim ndonjë piknik, ndërsa për ne mësuesit ‘kishte thyer këmbën’ ndonjë kec, shumë nxënës vinin atje me një copë misërnike të ‘lyer’ me ç’kishte mbetur nga tenxherja e fasuleve dhe ndonjë qepë; ose me një shishe me ujë me sheqer (!) Mësova çfarë ishte përndjekja; në mes të arës e arestuan babanë e një nxënësit tim, ‘armik’, pika që s’u binte, një fshatar me ‘biografi të keqe’, që pa le ç’kishte folur dhe kush e kishte spiunuar…
Këto, dhe të tjera, më bënë të filloja të mendoja në një mënyrë tjetër; duke shmangur paragjykimet e fyerjet dhe duke urryer kontrastet. Në gjimnaz (“Shefqet Guzi”) kur më vinte ndonjë nxënës nga fshatrat përqark i lagur si mos më keq, i jepja karrigen time pranë stufës… Dhe e ndjeja që ai do ta kuptonte se në këtë botë të vogël, në këtë vend të vogël, duhet të kujdesemi për njëri-tjetrin. E vija re sakaq interesimin e tij për mësimin; i kullonin flokët ujë, por hapte librin, më shikonte në sy. Ndiqja reagimin e nxënësve të tjerë; e dija që ata ishin me mua. Si mund të cilësoja dikë ‘malok’! Ç’jemi ne? Një dorë njerëz! Dhe nuk e bëja për t’u dukur i mirë. Më vinte vërtet keq. Më kujtoheshin ‘inkursionet’ e mia lart e poshtë. (Sa për pak humor, kur kapërceje Lumin e Tomorricës për t’u ngjitur në Nartë, bërrylat e asaj rruge deri në Shëmbërdhenj mbanin shumë baltë. Unë deri në atë kohë mendoja se kjo ‘balta gjer në gju’ është një shprehje. Mundet, por atje ishte edhe e vërtetë. E hidhje këmbën dhe pa dale ta ngrije prapë… Shpesh kam udhëtuar andej me poetin Klito Fundo, ndjesë pastë. Ai ishte aq delikat. Po prit, o Vangjo, prit, sa nxiton, kushedi ku do shkosh. Ku do shkoja? Vidhani ishte edhe një orë më tutje pasi kishe mbërritur në Shëmbërdhenj, ku ishte mësues kolegu im fatgremisur.)
E kam urryer gjithnjë fjalën ‘malok’. Mbase ngaqë njerëzit me të cilët u lidha më tej, dashuria, shoqëria, ndikuan që ta shikoja në një mënyrë të thjeshtë e në dritë botën. E di, shpesh ajo është komike; jo pak njerëz më bëjnë për të qeshur; ndonjëherë i mëshiroj disa… Por prapë them se nuk ia dalim dot me epitete. Vë re me kënaqësi, vajzat e mia gjithashtu janë kaq të rezervuara: edhe kur e ‘shaj’ Shqipërinë, ato rrinë kritike ndaj meje; në rrjete, nuk flasin e nuk shkruajnë asnjëherë veresie, në emfazë; i zgjedhin fjalët edhe kur duhet të shprehin një mospëlqim apo kur ndokush nuk ka sjellë në bisedë a në shoqërinë e tyre qasjen më të mirë…
E kam urryer gjithnjë fjalën ‘malok’. Në dekadat e fundit ajo mori një ngarkesë tejet negative, që do të thotë, sipas atyre që shajnë, se mbartësi i saj… mbart një tufë të këqijash. Por nuk e kisha fjalën atje, (se ky ‘maloku’ mund të jetë kush s’ta pret mendja, ai më snobi). U nisa të thoja që nuk e kam kuptuar asnjëherë pse nuk na ecën e s’kemi mbrothësi: s’jemi më të këqinj se të tjerët, nuk e them, por shpesh duam të cilësohemi ‘më të mirët’; vdesim për një çikë patetizëm; sekush mendon se po vë pikën mbi I; themi për asgjë fjalën e fundit; jemi të interesuar jetë e mot për ‘armiq’; ndonjë vlerë të dukshme që kemi e përgojojmë; s’na bën përshtypje banaliteti; verbërohemi pas politikës dhe pas ndonjë lideri dosido; e duam ‘tavën’ mundësisht brenda ditës, tani, sikur edhe t’i themi burgut ‘Hapu!’
Ore, mos jemi vërtet pak malokë ne, m’u thaftë gjuha (!)
Please follow and like us: