Albspirit

Media/News/Publishing

Zana Tako: ZGJOHU VOGËLUSHJA IME!

Ti fle, por unë rri zgjuar.
Të përkëdhel me frymën time sytë, buzët,
ku shquhen pamja dhe fjala,
të më shohësh e të më flasësh,
të ndihemi kur pëshpërijmë,
e të puthemi kur ndjejmë.
Fjala çel mbi buzë,
e shikimi tretet brenda shpirtit,
të riprodhojë me mijra fjalë,
ku ndjenja fërgëllon mes tyre,
si vashëz krenare për bukurinë e saj.
Të përkund me frymën time,
e nanullisur përqafohesh
e shtrëngohesh me muskuj shpirti.
Foleza e dashurisë sime
është strehëz e ngrohtë,
ndaj nuk e ndjen të ftohtin e acartë,
që bën të mërdhijnë shpirtra
që tradhtojnë atë që nuk tradhtohet!
Oh moj dashuria ime,
sa ma ka ënda të t’i çel sytë me puthje,
e të qëndrosh ashtu,
e mjaltëzuar me hojin e saj,
ku pjalmohet ëndrra dhe dëshira,
dy kapituj ku janë shkruar të vërtetat si lindi dashuria,
si u formua brenda nesh,
si u forcua pa u tronditur, pa u rrëzuar.
Zgjohu vogëlushja ime,
ke kohë të flesh dhe të ëndërrosh,
është koha të duhemi,
të njohim dashurinë.
Sa shumë kemi për të thënë,
e sa shumë kemi për të shijuar.
Eja vogëlushe,
hapësira është e pamatë,
si vetë dashuria jonë…
10 Korrik 2022.
Please follow and like us: