Albspirit

Media/News/Publishing

Alber Kamy: VETVRASJA

Ka vetëm një problem filozofik me të vërtetë serioz: vetvrasja. Të tregosh nëse jeta ia vlen apo nuk ia vlen të jetohet, do të thotë t’i përgjigjesh pyetjes themelore të filozofisë. Të tjerat, nëse bota ka tri përmasa, nëse shpirti ka nëntë apo dymbëdhjetë kategori, vijnë më pas. Këto janë lojëra; në fillim duhet t’i përgjigjesh kësaj pyetjeje. Dhe, po qe e vërtetë ajo që thoshte Niçja se një filozof, për të qenë i respektuar, duhet të predikojë nëpërmjet shembullit të vet, kuptohet rëndësia e kësaj përgjigjeje, meqë ajo do t’i paraprijë veprimit përfundimtar. Këto të vërteta janë të kuptueshme për zemrën, po duhet t’i thellosh për t’i bërë të qarta për arsyen. Nëse do të kërkoj të dalloj një problem të ngutshëm nga një tjetër, duhet të marr parasysh veprimet që jam i detyruar të kryej. Asnjëherë nuk kam parë njeri të vdesë për hir të argumenteve ontologjike. Galileu, i cili zotëronte një të vërtetë shkencore të rëndësishme, e mohoi me shumë lehtësi sapo iu vu jeta në rrezik. Në një farë kuptimi, është një problem i kotë. Nga ana tjetër, kam vënë re se shumë njerëz i japin fund jetës, sepse mendojnë që nuk ia vlen të jetohet. Kam parë të tjerë, që paradoksalisht vriten për idetë ose iluzionet, të cilat i japin kuptim jetës së tyre (ajo gjë që quhet arsye për të jetuar është njëkohësisht një arsye e shkëlqyer edhe për të vdekur). Pra jam i mendimit se kuptimi i jetës është problemi më i ngutshëm. Si t’i përgjigjemi? Për të gjitha problemet thelbësore, këtu unë përfshij të gjitha ato që të bëjnë të vdesësh ose ato që shumëfishojnë dashurinë për jetën, ka me siguri dy metoda të menduari, ajo e La Palisës dhe ajo e Don Kishotit. Vetëm ekuilibri midis të vërtetave dhe lirizmit mund të na lejojë të përftojmë njëkohësisht emocion dhe qartësi. Pra, para një çështjeje të tillë, sa të thjeshtë aq dhe të ngarkuar me patetizëm, dialektika akademike dhe klasike duhej t’ia lëshojë vendin, merret me mend, një mënyre të menduari më modeste që mbështetet sa në bon sens-in aq dhe në qëndrimin dashamirës.
(Nga libri “Miti i Sizifit”)
Please follow and like us: