Matteo Mandala: Mbi sprovën “Mosmarrëveshja…” të Ismail Kadaresë
Filli përshkues i Mosmarrëveshjes, librit të fundit të Kadaresë, konsideruar me të drejtë si një nga majat e mendimit shqiptar, fshihet te vetë aparati titullor, i cili, sikurse edhe të tjerë tituj të veprave letrare të autorit, na jep çelësin për ta interpretuar atë. Ky libër mban nëntitullin ‘sprovë letrare“ jo vetëm sepse nuk u përmbahet normave konvencionale që karakterizojnë të ashtuquajturin traktat shkencor, por mbi të gjitha sepse trajton një nga temat më të njohura e më të përhapura në letërsi qysh nga koha e Homerit.
Sikurse na konfirmon titulli, vepra ka në qendër temën e ‘dyzimit’, i cili nga gjysma e dytë e shek. XIX, falë interesit që tregoi William James (vëllai i shkrimtarit të shquar Henry James) në veprën e tij ‘Parime të psikologiisë’ (1890), është bërë objekt studimi jo aq i kritikëve letrarë sesa i psikologëve dhe i psikanalistëve. Disa vjet më pas Otto Rank dhe Sigmund Freud u morën me këtë dukuri, duke studiuar edhe veprat letrare ku ajo shpërfaqej me thellësi magjepsëse. Sipas dy psikologëve austriakë, interesimi i tyre nuk kishte të bënte me rrëfimin në vetvete, por me karakterin patologjik që fshihej në paraqitjen e një elementi psikologjik, i cili, edhe pse fëndom futej në ‘gjininë fantastike’, në fakt i shmangej këtij klasifikimi thjeshtëzues dhe hapte shtigje të reja ndër dijet njerëzore.
Thënë ndryshe, bëhej fjalë për një truall të ri kërkimesh shkencore që vinin në qendër të vëmendjes një aspekt të ri të „pavetëdijes“, dukurinë e dyzimit të personalitetit dhe bashkëjetesën tek i njëjti pacient të një personaliteti të shumëfishtë. Qysh atëherë Doppelgänger, titulli i librit të famshëm të Rank-ut, dhe Unheimliche, siç e quante ‘dyzimin’ Freud-i, u bënë dy konceptet kyçe përmes të cilave shkencat e psikikës rreken të luftojnë një sërë shqetësimesh të personalitetit, nga disocimi deri te skizofrenia. Kjo është një sëmundje e rëndë, sepse cënon perceptimin e vetvetes, pra të identitetit, duke shkaktuar pasoja katastrofike: turbullimin e kujtimeve dhe të së shkuarës, dëshirën për të braktisur mjedisin normal, shtysën për të ushqyer një gjendje çorodie identiteti, përpjekjen për të marrë një personalitet tjetër. Te këto pasoja të ‘dyzimit’ kanë gjetur limfën frymëzuese shumë shkrimtarë të çdo kohe dhe vendi, përfshirë bashkëkohës tanë, që e kanë përdorur shpesh këtë motiv, duke mbajtur po atë kuptim që i dhanë psikologët dhe psikanalistët. Këtë e kanë bërë për të denoncuar vështirësitë e epokës së tyre, vështirësi që, si dëshmitarë të privilegjuar, rrëmbyer nga shkulma ngashërimesh autobiografike, shpesh i kanë detyruar të identifikohen me personazhet e prekura prej sindromit që përshkruan Rank dhe Freud.
Për të mos u larguar nga Kadareja dhe për të mos zënë ngoje këtu të gjithë titujt e veprave me autorët përkatës merren me këtë temë, po kujtoj vetëm romanin ‘Hija’, leximi i të cilit na ndihmon të kuptojmë edhe çështjet që vërtiten rreth ‘Mosmarrëveshjes’ e sidomos na ndihmon të ajgëtojmë përmes një risi të rafinuar ‘tinëzisht’ letrar flakërimën e betejës kulturore që autori bën në emër dhe për hir të Shqipërisë së ardhme. Tek e fundit, posaqë Kadare doemos e njeh mendimin e Stendalit, sipas të cilit romanet, e përgjithësisht librat e këtij lloji, janë si pasqyra që reflektojnë herë kaltërsinë e qiejve, herë baltën e batakëve, nuk duhet té na habisë fakti se faqe të tëra, shkruar me një mjeshtëri të rrallë artistike, u rezervohen episodeve më të turbullta të historisë shqiptare. Ia vlen të theksojmë se ky libër, pikërisht sepse nuk është një vepër letrare në kuptimin e ngushtë të fjalës edhe për faktin se zbaton paradigmën e dyzimit në një trup shoqëror dhe kulturor të ndryshëm nga ai vetjak, dallohet për një guxim të pashoq intelektual nga sivëllezërit e tij që janë marre me natyrën dhe karakterin e popujve të tjerë.
Kadare ishte marrë me këtë problem në pamfletin ‘Identiteti europian i shqiptarëve’, por te ‘Mosmarrveshja’ i zgjeron kufijtë dhe e thellon përmbajtjen e kësaj vexata quaestio, duke i dhënë asaj një këndvështrim analitik më agresiv dhe njëherazi më stimulues. Në fakt, ky libër i fundit nuk është vetëm zgjatimi i përsiatjeve që e zunë fillin në vitin 2006 e nuk përfaqëson vetëm pikën kulmore të analizës që shkrimtari i madh i bën prej vitesh historisë kulturore të vjetër dhe të re të vendit të tij. Ai përmban denoncimin e kthjellët dhe të guximshëm të një prirjeje të vjetër vetëlënduese që rizgjohet periodikisht nga zgafellat e shpirtit shqiptar. Si një lumë i nëndheshëm karstik që rrjedh nën lëkurën e historisë, kjo prirje e sëmurë gëlon vrullshëm në sipërfaqe në çastet kyçe të shndërrimeve epokale, pikërisht atëherë kur shpresat e ringjallura për të ardhmen ndeshen me ndjesitë e përhumbjes dhe të çorodisë që pushtojnë paradoksalisht shoqërinë, institucionet dhe kulturën shqiptare.
Kështu ndodhi kur terri pesëshekullor osman, pasi përdhosi Motin e Madh dhe fashiti kujtimin lirisjellës të Kastriotit, hodhi me përdhunë ndër shqiptarët farën e tëhuajsimit të identitetit kulturor. Ngriti kokë një shekull më parë fill pas pavarësisë kombëtare me rropamën ‘dumbabiste’ që kërkonte ribashkimin me Turqinë pikërisht atëherë kur Turqia përgatitej të ndahej me veten, të flakte tej dollomanë aziatike e të ‘europianizohej’, duke përvetësuar modelin kishin propozuar për Shqipërinë rilindasit tanë. U rishfaq me vendosjen e regjimit gjakatar komunist, vepër e atyre ‘marksistëve’ — më të shumtit me kulturë dhe formim oriental, jo më kot në një çast sinqeriteti të pazakontë u shpallën ithtarë të ‘revolucionarit’ Haxhi Qamili —, të cilët, në vend që të emanciponin popullin e tyre, gjatë gjysmë shekulli terrori e shndërruan atë në një kufomë të gjallë. Ripërsëritet me prepotencë në pjesën e sprasme të këtij dhjetëvjeçari të fundit, i vetmi që u përshkrua nga një frymë moderne dhe utopi ringjalljeje, shi në atë udhëkryq epokal ku në fillim ishin vendosur ata më shpresëtarët duke pritur të përgjëruar takimin me Historinë dhe ku sot në vend të tyre është shtruar sheshit një aradhë bashibozukësh të potershëm, profesionistë të mashtrimit dhe mjeshtër silogjizmash ogurzinj, që kërkojnë të shmangin me çdo kusht përsëritjen e „mrekullisë laike“ të Shqipërisé dhe rikthimin e saj në qarkun kulturor dhe politik të traditës së madhe europiane.
‘Rikthimi i përjetshém’ i kësaj prirjeje në kapërcyell të mijëvjeçarit tonë do të dukej ndoshta i pashmangshëm, po të merrnim parasysh karakterin paradoksal dhe natyrën e tij ciklike. Mirëpo meqenëse kjo dukuri nuk paraqet risi që do të na krijonin iluzionin niçean se mund ta sprapsim bishën në strofkën e saj ktonike, pikërisht për këtë arsye është edhe më e lehtë të mos e klasifikojmë si koniunkturore sikurse ato të mëparshmet. Në fakt, kjo dukuri përkon me shfaqjen kronike të një rasti të vërtetë klinik të shoqërisë shqiptare, me simptomat e së njëjtës patologji politike, të së njëjtës sëmundje kulturore, të cilën shpesh vullnetmirët janë përpjekur ta përshkruajnë e t’ia zbulojnë shkaqet, ecurinë dhe pasojat.
Në çaste të ndryshme historike më kot intelektualët më të përndritur shqiptarë, përfshirë edhe arbëreshët, janë rrekur të zhysin bisturinë e arsyes moderne mu në mes të pezmit ligështues. Për fat të keq, jo vetëm që kanë dështuar, por me dështimin e tyre kanë përshpejtuar, paçka se tërthorazi, rikthimin e sëmundjes. Ndoshta për shkak të kompleksitetit të problemit a ndoshta për shkak të perceptimit të gabuar të tij, a thjesht se nuk ngulmuan sa duhej: vështirë t’ia gjejmë shkakun e vërtetë këtij dështimi, këtij borxhi të madh kultura shqiptare i ka vetvetes dhe historisë sé saj.
E vërteta është se as që do ta ndienim pezmin sikur Ismail Kadare, duke u endur pareshtur mes së tashmes dhe së shkuarës me sytë ngulur kah e ardhmja, të mos kishte vendosur të hartonte këtë akt dashurie për atdheun e tij. ‘Mosmarrveshja’ merr kështu statusin e një testamenti te vërtetë, me anë të të cilit shkrimtari-simbol i Shqipërisë jo vetëm që denoncon me vendosmëri kundërshtitë dhe paradokset e kulturës shqiptare, por merr qëndrim të prerë ndaj çdo njolle të errët që do të komprometonte të ardhmen kulturore të popullit të tij. Ja përse ky libër ka meritën se përmbush dëshirën atavike për të kuptuar ç‘ka ndodh në çastin kur zbulohet e kurohet sëmundja.
Nga denoncimi i përdorimit të një ligjërimi të thjeshtë në vend të gjuhës shkencore, te mungesa e metodave vërtet shkencore në vlerësimin e dukurive komplekse të ndërtimit të identitetit kombëtar e kulturor, te kritika e përpjekjeve patetike për të përmbysur gjykimin historik kinse në emër të çmitizimit, — a thua se miti nuk është pjesë e historisë së mendimit njerëzor —, e deri tek akuzat kundër mistifikimeve e manipulimeve synojnë të shndërrojnë xhelatët e djeshëm në heronj të sotëm e viktimat e djeshme në fajtorë, ‘Mosmarrveshja’ fshikullon stereotipat më bajatë, edhe ata në dukje të padëmshëm, që në Shqipërinë postkomuniste hera-herës përmbytin debatin publik me qëllimin e vetëm të krijojnë kushtet për të mbjellë farën e falsifikimit.
Në këtë libër Kadare nuk kursen asgjë që në një mënyrë a në tjetrën mund të ushqejë synimet për të shkallmuar bazat morale e intelektuale të shqiptarëve, të këtij populli që, edhe pse ndër më të vjetrit në Ballkan, ende i duhet të luftojë për të mos “u shuar përmbi dhe“. Sulme verbale, shestime pastrimesh etnike, politika shtrënguese, të cilave tash së fundi u bashkohen sirenat anakronike e antihistorike thurin ëndrra me sulltan për një rend të ri neo-otoman, të gjitha këto përbëjnë sfondin gjeopolitik ku ngjizet prapësia ogurzezë antishqiptare edhe falë ndihmës së papritur paradoksalisht vjen nga vetë shqiptarët! Te kjo e vërtetë e dhimbshme qëndron thelbi i librit, të cilit Kadare i beson imazhin e qartë dhe spekular të shtrembërimeve të vjetra intelektuale mbi Shqipëriné: nga njëra anë ato më të rëndomtat e më të njohurat që e shohin si objekt të strategjive ballkanike të copëtimit e nga ana tjetër ato më të rejat e më të bujshmet që rizgjojnë sëmundjen e vjetër kombëtare shqiptare përmes fushatash marramendëse në emër të vetëvrasjes kulturore dhe politike.
Kundër këtyre të fundit, kundër provincializmit atavik që karakterizon bandën intelektualoide të ‘çmitizuesve’, të ‘albanologëve të rinj’ e të fantazmave ‘dumbabiste’, kundër llokajës kutërbuese të mashtrimit e padijes, kundër gjithë këtyre ngrihet libri i Kadaresë, që nuk harron të shkundë nga dremitja edhe ata intelektualë shqiptarë deri dje ishin protagonistë të debatit shkencor, ndërsa sot tulaten, fshihen, shugaten e nuk e gjejnë dot kurajën t’i kundërpërgjigjen me armët e dijes e të arsyes dalldisë antishqiptare, qofté asaj të prodhuar ‘me forcat tona’, qoftë edhe asaj të importuar gratis nga Europa.
Klithma e dhimbjes që kumbon në çdo faqe të ‘Mosmarrveshjes’ jehon në vetëdijen e lexuesve si kushtrim drejtuar të gjithë atyre që i kanë për zemër fatet e Shqipërisë në këto çaste të vështira të historisë së saj. Në prag të kthesës që do të vulosë përfundimisht të ardhmen e saj, thirrja e Kadaresë merr karakter ontologjik dhe na kujton thirrjen e përshpirtshme që bëri Nënë Tereza ditën që vuri këmbë në Shqipëri, kur, pasi davariti dyshimet mbi prejardhjen e saj etnike, i ftoi shqiptarët ta donin njëri-tjetrin. Ajo ftesë duket sikur del nga mjegulla e kujtesës fëminore të Gonxhe Bojaxhiut, si kujtim i pashlyeshëm i vuajtjeve u ka shkaktuar shqiptarëve problemi i vjetër i identitetit.
Falë kësaj, ‘Mosmarrëveshja’ qëndron, siç u tha, në majat e mendimit, për t’i ndriçuar Shqipërisë udhën e ‘marréveshjes me vetveten’.
Hora e Arbëreshëve, fund tetori 2011.
Please follow and like us: