Albspirit

Media/News/Publishing

Mbi librin “Socializëm në anekdota” të Skënder Demollit

NGA  ISMAIL  XHAFERI – Shkrimtar, poet, publicist.

“Thyerja e tabuve të kohës, shprehet vetë Demolli,  i shërben humorit të shëndetshëm, që nëpërmjet së qeshurës të kapërxejë ankthin e stresin e jetës nga keq qeverisja, papunësia, kriminaliteti, kostoja e shtrenjtë e jetës e probleme të tjera  të ekzistencës, që përballet në jetën e përditëshme qytetari i thjeshtë, të cilin autori kërkon ta bëjë palë të veprës së tij, duke i treguar atij diçka të padëgjuar më parë”…

Krijimtaria e pasur dhe cilësore, në këtë gjini të lakmuar të letërsisë, siç është humori, që i jep tonin dhe qëndrimin kritik, pa të cilin misioni i saj do të qe i mangët, e sjell jo rastësisht S. Demollin me fabula në vargje e në prozë, anekdota e komedi, në nivel antologjik të tyre, siç është edhe përmbledhja  më e fundit e tij “Socializëm në anekdota”, (Sht.Bot. “Tirana Timess  2020.

Disa nga anekdotat  politike të këtij libri të ndarë në tri pjesë, janë përzgjedhur nga botime të ndryshme në gjuhën ruse, anglisht, greqisht, etj, ndërsa pjesa tjetër e tyre janë përmbledhur nga jeta e popullit shqiptar në  socializmin totalitar dhe, mjaft të tjera janë të krijuara prej  vetë autorit nga fakte dhe ngjarje të jetuara prej tij, si protogonist dhe dëshmitar okular i asaj kohe.

Veç punës në bujqësi, si specialist i lartë prodhimi, për disa vjet, Demolli ka punuar kryesisht, si reporter i Radio Korçës, ku e kam njohur si koleg dhe më pas Drejtues i Filialit të RTSH Korçë e korespondent në terren i ATSH për këtë rajon.

Pra, ishte brenda “tankut të propaganës” së ish –regjimit dhe e njihte mirë nga brenda atë, si dhe jetën e përditëshme dhe problemet që përballej populli.

Dhe dihet zyrat e Radios dhe  shtypit të asaj kohe, ishin zyra politike të Partisë shtet.

Duhet thënë se ky libër shënon përmledhjen e parë me anektoda politike për periudhën e socializmit në vendin tonë dhe kjo natyrisht  përbën një risi.

Në pjesën e parë të tij autori rendit një numër te konsiderueshëm anektodash nga ish-vendet socialiste të Bashkimi Sovjetik dhe vetë udhëheqjes së tij. Rum. Pjesa e dytë e librit sjell anektoda të vendit tonë, dhe pasthënia siç e quan autori pjesën e tretë, është një studim i plotë dhe me vlera i tij mbi anekdotat si gjini e letërsisë me qëndrim të theksuar kritik, në kuadrin e dukurive dhe fenomenev social politike të kohës.

Theksoj se në këtë libër të rrallë autori, mbështetur në përvojën e tij të gjatë, si lëvrues i humorit, duke e  parë nga këndi filologjik e politik, i bën një analizë e karakterizim të plotë anekdotës, jo vetëm si një lloj i veçantë i humorit, por edhe si një “mjet luftarak i tij”.

“Satira e anekdotës ndryshe nga komedia, parapëlqen e mjaftohet me shprehje koncize të mençura. E qeshura e anekdotës është si një minë, e cila shpërthen menjëherë sapo e zbulon”, ve në dukje midis të tjerash autori.

Eshtë e rëndësishme të theksojmë se humori që sjell Demolli në këtë e libra të tjerë të tij buron natyrshëm, pa sforcime dhe banalitete, siç ndodh rëndom me humorin për humor.

Në asnjë nga anekdotat e kësaj antologjie nuk ndesh shaka banale, megjithatë e qeshura të shoqëron nga faqja e pare e deri në fund të saj. “Dy të burgosur bisedojnë në burg: “-Sa vjet je dënuar? -Dhjetë. -Çfar bëre? -Asgjë. -Mos gënje.Dënimi, kur nuk ke bërë asgjë është vetëm pesë vjet”!

Eshtë e rëndësishme të thekesoj se autori nuk bën thjesht humor, por përcjell nepermjet tij ide dhe mesazhe dhe çdo anekdotë ka një kuptim e domethënie të madhe. Me këto anekdota  lexuesi perception e krijon një përfytyrim të imazhit të socializmit totalitar, plagëve dhe problematikave absurd të tij.

“Çdo shaka është një kryengritje e vogël”,- ka thënë Xhorxh Orguell. Pikërisht duket qarte dhe është veti e të gjitha anekdotave në faqet e këtij libri. Paradokset e një epoke, ku luftohej me mullinjtë e erës, “për të ngrënë të gjithë me lugë floriri”, fenomenet negative të  asaj epoke, që dikush mund t”i pasqyrojë me nje roman, tregim apo gjini tjetër të përafërt, Demolli i përcjell me art krejt natyrshëm vetëm me anekdota lakonike, të cilat thuajse nuk janë më shumë  se 5- 6 rreshta, por që thonë aq  shumë.

Ja, njëra prej tyre sa për ilustrim: “I deleguari i komitetit të partisë pyet një nga ushtarët e repartit „N“, të cilët ishin instruktuar më parë si të përgjigjeshin: -Shokë ushtar, a ju del buka? – Na del e na tepron,-pergjigjen njëzëri ata. – Po atë që tepron ku e çoni? – E hamë thatë pas buke”.

E kam të vështirë të bëj një përzgjedhje të anekdotave më të mira, pasi çdo njëra prej tyre mbart vlera ideoartistike të mëdha. Ato të bëjnë të qeshësh, por edhe të qash njëkohësisht. Po sjell shembull një karakterizim të autorit për këtë: “ – Cili është ndryshimi midis dinosaurëve dhe politikanëve? – Sepse dinosaurët përcaktohen nga skeleti i trupit të tyre, ndërsa politikanët nga anekdotat që tregohen për ata”.

Përsa i takon mjeshtërisë së të shkruarit po përmend këtu  Langston Hugfes, i cili ka thënë se, “humor  është të qeshësh me atë që nuk ke, por që duhet ta kishe pasur”. Duket se këtë e ka kuptuar  mirë Skënder Demolli si autor i kësaj gjinie shumë të preferuar dhe, thuajse në të gjithë krijimtarinë humoristike të tij, nga dialogjet, anekdotat, fabulat  me temë social – politike e deri te komeditë,  “deklarohet” kundërshtimi ndaj negatives e së keqes në jetë, duke shkaktuar edhe  reagimin e lexuesit dhe spektatorit për këtë.

Antologjia me anekdota politike nga socializmi totalitar, që lamë pas, përmban satirë dhe humor, që atakon jo vetëm regjimin diktatorial që u përmbys, por edhe njerëz që i shërbyen, “me devotshmëri” atij dhe shumë syresh, që  janë ende gjallë, nuk ndihen aspak të penduar, si bashkëpunëtorë në krimet e diktaturës, por kapardisen e madje jo pak ëndërrojnë edhe  pushtet.

Për këtë ky libër me një përmbajtje të tillë, ka ngjallur jo pak kundërshtime, veçanërisht me qëndrimin stigmatizues e  satirizues ndaj krimeve e gabimeve të udhëheqëseve politikë të asaj kohe.

Natyrisht të bëje humor me Stalinin, ose Enver Hoxhën, kur ata ishin në krye, nuk ishte e lehtë, por populli e kishte kurajon e guximin dhe e gjente mënyrën për t”i përqeshur e satirizuar ata, duke zbrazur dufin e revoltën e tij, kundër mizorive të tyre.

Demolli, si një gjurmues thesaresh, përpos atyre që ka përzgjedhur nga humori i pasur  i vendeve të Lindjes, (në përbërje  për gati 70 vjet të ish –BRSS),  ka kërkuar thellë në memorien e shqiptarëve, duke gjetur e selektuar anekdotat politike, që jo vetëm tejkalonin tabutë e kohës, por për ata  që i tregonin dhe i dëgjonin, kishte ligje dënimi e burgimi.

Thyerja e tabuve të kohës, shprehet vetë Demolli,  i shërben humorit të shëndetshëm, që nëpërmjet së qeshurës të kapërxejë ankthin e stresin e jetës nga keq qeverisja, papunësia, kriminaliteti, kostoja e shtrenjtë e jetës e probleme të tjera  të ekzistencës, që përballet në jetën e përditëshme qytetari i thjeshtë, të cilin autori kërkon ta bëjë palë të veprës së tij, duke i treguar atij diçka të padëgjuar më parë.

Kujt i djeg miza në kësulë dhe ka frikë nga kritika, ngatëron jo pa qëllim ilaritetin e humorit, me shënjestrën reale të tij. Dhe shpesh ndodh, si me nostalgjikët e ish- Bllokut Lindor, që i zoti e shet, tellalli s”e jep.

Kur për këtë ish – Bllok, kreu i imperilizmit të sotëm rus Vladimir Putin, që ndërmori agresionin ushtarak të Rusisë ( si një “stërvitje ushtarake” ) ndaj Ukrainës  e, ndeshi  jo vetëm në kundërshtimin e opinionit përparimtar botëror, por edhe në sanksione drastike të Perëndimit, dënon Perden e Hekurt, që e krijuan me botën vetë rusët, por jo edhe totalitarizmin dhe mungesën e shoqërisë së hapur, duke thënë para disa ditësh në Forumin Ekonomik me biznesmenë të rinj në Shën Petërburg:

“Nuk do të kemi një ekonomi të mbyllur. Nuk kishim ekonomi të mbyllur – ose mbase kishim gjatë periudhës sovjetike, kur u shkëputëm, duke krijuar të ashtuquajturën Perde të Hekurt. E krijuam vetë me duart tona. Nuk do të bëjmë përsëri të njëjtin gabim”.

Gjithashtu Putini kishte deklaruar në vitin 2005 se shembja e BRSS, ishte katastrofa më e madhe gjeopolitike e shekullit të XX-të, sepse miliona rusë u zhytën në varfëri dhe vetë Rusia u gjend përballë me shpërbërjen.

Ngjarjet e zhvillimet e ditës drejt një Lufte tjetër në shkallë botërore, e rindarje të re gjeo-poitike në blloqe, ia shkundin pluhrin e kohës anekdotave të tilla historike, duke i risjellë  para lexuesit të sotëm më aktuale se kurrë.

 

 

 

 

Please follow and like us: