Albspirit

Media/News/Publishing

Do përjashtohet ish-kancelari Schröder nga partia?

Kjo është tentativa e tretë. Të enjten dega e partisë SPD në Hanover diskuton mbi kërkesat për largimin e ish-kancelarit, Gerhard Schröder nga partia. Komisioni ka 17 kërkesa nga degë të ndryshme të partisë, tha kreu i degës së SPD, për Hanoverin, Christoph Matterne. Ai nuk pret një vendim këtë javë. Vendimi mund të merret brenda tre javësh. Me këtë procerdurë sërish vështrimi i opinionit drejtohet tek marrëdhënia e vështirë e ish-kreut të SPD-së (1994-2004) dhe ish-kancelarit (1998-2005) me partinë. Gerhard Schröder, që në kohën që ishte kancelar ka qenë i miqësuar me presidentin Putin, e që më parë ka qenë nën kritika për shkak të angazhimit të tij tek koncerni rus i gazit. Por pas pushtimit rus të Ukrainës më 24 shkurt, shumë degë të partisë ngritën zërin dhe kërkuan përjashtimin e ish-kancelarit 78 vjeçar nga partia.

“Dëm i rëndë” për partinë?

Por si bëhet përjashtimi nga partia? Pengesat për këtë janë të larta. Kushtetuta gjermane parashikon, që “rregullimi i brendshëm” i partive duhet t’i përgjigjet “parimeve bazë demokratike”. Një ligj i vitit 1967 për partitë rregullon në detaje funksionimin e tyre, dhe ka një rëndësi të madhe kushtetuese. Ky ligj përcakton, se përjashtimi nga partia kryhet vetëm në rast të një shkeljeje me qëllim të rëndë të statusit apo shkelje të parimeve bazë të partisë, duke i shkaktuar dëm të rëndë kësaj partie. Në të vërtetë, në Hanover, ku jeton Schröder dhe është anëtar i degës rajonale, bëhet fjalë për “procedurë disiplinore të partisë”. Rezultati i saj, si arma më e fortë, mund të jetë përjashtimi. Por i mundur është edhe një qortim me shkrim. Parimisht çdo parti nuk ka detyrim të pranojë çdokënd, por anëtarin e saj asnjë parti nuk mund ta heqë qafe aq lehtë. Për këtë duhet provuar sjellje konkrete në dëm të partisë. Ali Kaan Sevinc i thotë DW-së, se është i vetëdijshëm që ky hap i përjashtimit të Schröderit nuk është i lehtë, por “ne e duam këtë si më parë”. Ai kujton letrat elektronike që kanë mbërritur në degën rajonale dhe ku shumica është shprehur qartë për përjashtimin e Schröderit nga partia. Kurse juristët e shohin me rezerva një procedurë të tillë. Martin Morlok, jurist për çështjet juridike të partisë, e sheh si “problematike” një procedurë, “që në kuptim të ngushtë nuk ka lidhje me partinë.” Në rastin Schröder, bëhet fjalë për punën e tij dhe miqësinë me Putinin. “Por kjo në rend të parë nuk ka të bëjë me partinë”. Morlok thekson, se nuk duhet parë e gjithë mënyra si dikush e zhvillon jetën e tij me syzet e partisë. “Një parti është diçka tjetër se një urdhër murgjish”.

Schröder i qetë

Ish-kancelari vetë e ndjek me qetësi procedurën për përjashtimin e tij. “Unë jam dhe mbetem socialdemokrat”, tha ai para një muaji për revistën “Spiegel” dhe se nuk do ta ndryshojë qëndrimin e tij politik. Disa javë më parë Schröder bëri të ditur se do të largohet nga bordi i mbikqyrjes së koncernit energjitik, Rosneft dhe nuk dëshiron më një emërim për këshillin e mbikqyrjes së Gazpromit. Në takimin e së enjtes të degës së partisë në Hanover nuk marrin pjesë as Schröder dhe as avokati i tij apo ndonjë i besuar. Ali Kaan Sevinc do të marrë pjesë. Kreu i degës së SPD nga zona e Ruhrit e shikon si të pandryshuar mendimin e bazës së partisë edhe pas njoftimit të Schröderit për fundin e angazhimit për koncernet ruse. “Vlerat e SPD-së, edhe përgjegjësinë për të pasur solidaritet me vendin ai i ka tradhtuar.”

Please follow and like us: