Albspirit

Media/News/Publishing

SHBA dhe Izraeli paralajmërojnë Iranin lidhur me rrezikun bërthamor

Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli paraqitën të enjten një front të bashkuar përballë rrezikut bërthamor të Iranit, gjatë vizitës së Presidentit Joe Biden në Izrael, ndalesa e parë e tij në një udhëtim në Lindjen e Mesme. Administrata e presidentit Biden po i bën thirrje Izraelit të koordinojë aftësitë e mbrojtjes me fqinjët arabë për t’i bërë ballë Iranit.

SHBA, Izraeli paralajmërojnë Iranin lidhur me rrezikun bërthamor
Presidenti Biden dhe kryeministri izraelit Yair Lapid nënshkruan një deklaratë të përbashkët, ku zotohen se nuk do të lejojnë Iranin të ketë armë bërthamore.

Në një konferencë për shtyp pas nënshkrimit, zoti Biden tha se Shtetet e Bashkuara “nuk do të presin pa fund” që Irani të rikthehet tek marrëveshja bërthamore.

“Ia kemi parashtruar udhëheqjes së Iranit se çfarë jemi të gatshëm të pranojmë që ai të rikthehet tek marrëveshja bërthamore. Ne jemi në pritje të përgjigjes së tyre. Se kur do ta marrim, nuk jam i sigurt. Por ne nuk do të presim përgjithmonë”, tha presidenti Biden.

Uashingtoni po inkurajon Izraelin t’i koordinojë aftësitë e tij mbrojtëse me fqinjët arabë, duke i dërguar kështu një mesazh Iranit.

“Mesazhi për Iranin është se ky është shansi i fundit për t’iu kthyer marrëveshjes bërthamore të vitit 2015, ose Shtetet e Bashkuara do të mbështesin një sistem rajonal mbrojtjeje, që është krijuar kryesisht kundër tij”, thotë Eytan Gilboa, ekspert për marrëdhëniet amerikano-izraelite në Universitetin Bar-Ilan.

Në një intervistë me televizionin izraelit, zoti Biden tha se do ta përdorte forcën kundër Iranit si mjetin e fundit. Izraeli ka shprehur vullnetin të thellojë angazhimin me botën arabe.

“Do të diskutojmë për ngritjen e një arkitekture të re sigurie dhe ekonomike me vendet e Lindjes së Mesme, pas Marrëveshjeve të Abrahamit dhe arritjeve të takimit të Negevit. Do të diskutojmë gjithashtu për nevojën për të rigjallëruar një koalicion të fortë global, që do ta ndalojë programin bërthamor iranian”, tha kryeministri izraelit, Yair Lapid.

Marrëveshjet e Abrahamit të periudhës së ish-presidentit Trump, normalizuan marrëdhëniet diplomatike midis Izraelit dhe vendeve arabe.

Ndërsa vendet arabe thellojnë angazhimin me Izraelin, përleshjet vazhdojnë në Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës, territore palestineze të pushtuara nga Izraeli që nga viti 1967.

“Çështja palestineze mungon thuajse tërësisht nga Marrëveshjet e Abrahamit. Ato përqendrohet përgjithësisht tek zhvillimi i lidhjeve ekonomike rajonale midis Izraelit dhe fqinjëve të tij arabë, në kurriz të sovranitetit palestinez”, thotë për Zërin e Amerikës Zaha Hassan e Fondacionit Carnegie për Paqen.

Presidenti Biden, i cili do të takohet me udhëheqësit palestinezë të premten, përsëriti mbështetjen e tij për zgjidhjen me dy shtete, megjithëse e pranoi se nuk ka gjasa që kjo të ndodhë së shpejti.

“Kjo zgjidhje mbetet, sipas mendimit tim, mënyra më e mirë për të siguruar një të ardhme në barazi, liri, mirëqenie dhe demokraci për izraelitët dhe palestinezët.”

Zoti Biden e mbylli ditën të mërkurën me një vizitë në Memorialin e Holokaustit, ku nderoi miliona hebrenj të vrarë në Luftën e Dytë Botërore dhe u takua me të mbijetuar amerikanë të Holokaustit./voa

Please follow and like us: