Ilir Levonja: Për hajër thotë Edi Rama
Vetëm në Shqipëri të falin dhe të durojnë pafundësisht… Votoj Maqedonia e Veriut propozimin francez, për hajër thotë Edi Rama. Nga pas shqiptarët, bravo kryeministër. Të lumtë kryeministër etj. Po i thoni bravo njeriut, i cili nëse edhe arriti dhe e mundësoi çeljen e negociatave, e bëri për bythën e vet. Po ju nuk keni memorie. Keni vetëm inat dhe ndjesi turme. Shqipëria duhet të ishte anëtare e BE sot. Se kjo çelja e negociatave është vetëm çelje, ë? Nuk është se do ulesh në kolltuk atje menjëherë dhe do i flasësh Francës siç i flet lali Eri këshillit bashkiak të Tiranës. Ka punë, puna. Duhen edhe ca vite të tjera me detyra shtëpie. Dhe dhëntë Zoti ky proces e bëhet bashkarisht. Ashtu si i ka hije një vendi me histori e kulturë të lashtë. Dhëntë Zoti e merr fund ajo kultura e diktaturës së proletariatit në bërjen e politikës tek ne. Njeriu që e pengoi ishte pikërisht Edi Rama. Bojkotoi sa deshi. Refuzoi sa deshi. Nuk nënshkroi asgjë. Megjithëse nuk mbeti kancelar nga dyert e Europës pa ardhur në Shqipëri. E kam përsëritur disa herë dhe nuk do pushoj. Darka tek restorant ‘Krokodili’ në muajin maj 2010 ishte shanci i madh dhe i artë i Shqipërisë. Ky e refuzoi…. sot pas plot dymbëdhjetë vjetësh i thotë shqiptarëve me një turqishte zhargon, për hajër. Pikërisht penguesi dhe rekordmeni i bojkotit të institucioneve shqiptare sot u thotë shqiptarëve, për hajër. Çfarë hajri, ky duhet të ishte në burg se ka çështje të hapura dëmi ekonomik të pallogaritshëm aq sa çdo i lindur shqiptar, lind me borxh. Dhe ju që rrëmbeheni nga ekstaza se u përmbush misioni i madh historik. Jo, ore jo, u përmbushën tekat e Edi Ramës. Dymbëdhjetë vjet, jo dymbëdhjetë ditë. Dhe gjykojeni vet se sa keni humbur, gjykojeni vetë se çfarë humbje e tmerrshme, çfarë dëmi kolosal i sjell vendit një politikan nopran, fodull, i pa aftë, rrugaç, bastard etj. Dymbëdhjetë vjet bjerrje dhe braktisje vetëm prej këtij. Sot thotë jo në shqip, por turqisht, për hajër. Ngrihuni tani dhe doroviteni se ja hodhët. Digjeni shaminë. Bjerini daulleve, tundeni defin e xherrit. Madje bëjini një statujë Edi Ramës atje në majën e malit të Kaninës, mbi Vlorë. Bëjeni me krahë hapur si brazilianët Jezusin në Rio de Janeiro. Oj për hajër, thotë. Po e kemi shqip e nuk ka më bukur, për mirë. Ky, për hajër.