Odise Kote: SIKUR TË ISHE TI ME MUA…
Sikur me mua ti, të ishe, veç të ishe…
Jo në vegim, jo, jo. Kam frikë se të humbas.
Diku nê stol kujtimi, mes lulesh e vetmive.
Patjetër në gabim, siç ndodh atje në park.
Në vend të errët ku, harbon furi e prekjes,
Ku pliksen këmbët ja, ashtu me fije bari.
Sikur … në dufin e panginjur, eh të dehjes,
Në gjëegjëzë plot drojë, si lule e mëkatit.
Por ti ke shkuar larg, diku në prill a maj.
Dhe buzë – shenjat fshirë qenkan me kujdes.
Se ishe frymë e frymës, pa formë e pafaj,
Shtizë marramendëse, si një tren ekspres…
Të vish ti prej harresës, s’do desha asgjë tjetër
Do endesha Ulis, të mbërrija në Itakë.
E di e gjitha kjo, është veçse një gënjeshtër,
Por ende ëndrra shoh, besoj se jam me fat.
Sikur me mua ti, të ishe, veç të ishe…