Gëzim Basha: Vilsoni dhe Genci…
Vilson Blloshmin dhe Genc Lekën nuk i pushkatuan kot, për ca vjersha “për vjeshtën dhe oxhakun me zjarr!” Rregjimi dinte ku godiste! Shkrimi i duetit të djemve nga Librazhdi është akt i mirëmenduar, forma më e lartë e rezistencës heroike ndaj dhunës!
Nga periferia, “heshta poetike” e Gencit dhe Vilsonit, e godiste propagandën zyrtare në pikat e saj të vdekjes akute.
“Saharaja” e Vilson Blloshmit për nga fuqia alegorike rri në një lartesi me “Pallati i Endrrave”! Mbetet ndër poezitë më disidente të shkruara në krejt Europën Lindore. Përpara saj, edhe poema e Tvarkovskit, “Vasili Tjorkin në botën tjetër”, më duket e zbehtë!
Ky rubin i letërsisë shqipe evokon me brilancë gjuhësore dhe kuptimore Shqipërinë e përthare të viteve 70-të. Një lexim alternativ i tekstit, duke zëvendësuar fjalën Sahara me Shqipëri, të lë pa fjalë.
Saharaja e Blloshmit i shpëton nderin letërsisë dhe kulturës shqiptare; mbetet shembull klasik i rezistencës mendore të intelektualëve të ndershëm ndaj enverizmit dhe tërë simptomave të tjera të sakatimit mendor.
Poezi përmasash të tilla e tmerronin bllokun; etrit si bisha sklerotike dhe bijtë vanitozë të një bote b(l)ozë….
Vilson Blloshmi: SAHARAJA
Saharaja, larg është Saharaja,
Saharaja shkëmb e rërë e gurë,
Që ka shok veç emrin e saja
Dhe ngaqë s’sheh ëndrra, s’sheh as drurë.
Saharaja s’di të ëndërrojë.
Ajo bluan gurë me mend’ e saj…
Saharaja s’ka këngë të këndojë,
Saharaja s’ka as lot të qajë.
Saharaja nuk ka miq e shokë,
Saharaja nuk ka bijë, as bir.
Saharaja është një copë tokë,
Thonë se dhe me terrin nuk shkon mirë.
Natës s’i pëlqen në Sahara,
S’i pëlqen të ketë veç rërë për shtrojë;
Fjalë e dashuri e njerëz s’ka;
Perçja e saj e zezë s’ka ç’të mbulojë.
As dhe një s’e di si është kandisur
Me kët’ plagë mbi shpinë rruzullimi,
Por se thonë në botë është stisur
Kur i duhej njerëzisë mallkimi.
Kur ai për keq e mban në gojë,
Saharaja e mban vesh e qesh.
Saharaja fillon të gëzojë,
Kur ne zeme mallkohemi mes nesh.
E kur bie ndrojtur rrez’ e diellit
Dhe mbi gurët e pamyshkët shndrit,
I ngjan vello dhe savan’ i qiellit,
Shkretëtirës shket e shkrepëtit.
Prandaj, kur urrejtjen e fortë e nxehur
Mbi dikë mallkon e shfryn e shan,
Që nga skuta del kujtimi i dehur
Dhe thërret saora Saharanë.
Kur mallkimi shfryn e kur kujtimi
Në pus te harresës befas tret…
Kur hyn dielli e kur hesht thëllimi,
Shkretëtirë e shkretë mbetet shkretë.