Albspirit

Media/News/Publishing

Nurie Emrullai: TË PATHËNAT E NJË JETE

Në kohën që po jetoj,
ajo çka më pak dua është trishtimi yt.
Andaj unë po ik i dashur,
e të të lë me përgjigjet e pakta që i ke mbi botën,
që ty fatmirësisht të mjaftojnë.
Po ik për të të lënë me frikën tënde,
të jesh i lirë prej dashurie,
të njohësh njerëz të tjerë,
e t’i duash dhe ata veç për një ditë,
siç më doje mua…
Ajo çka u rrit bashkë me ne,
në ty ishte frika,
në mua fjalët e pathëna,
që s’patën vend e kohë për të t’i thënë më.
E çka nëse të thoja se të dua?
Nata përsëri do të vinte pa hënë,
në ty përsëri frika do të ishte më e fortë se dashuria.
Prej njerëzve mësova se ata jetojnë
me frikën e të dashuruarit marrëzisht,
frikën e të puthurit siç puth Uliksi tokën e vet,
siç puthi për herën e fundit Kalipso Odisenë…
Prandaj sonte është nata e fundit
që i shoh yjet nga kjo anë
e në ata kudo shikoj fytyrën tënde.
Kam për t’u kthyer në hije si kjo natë sonte,
aq e heshtur do të bëhem, njëjtë sikur erdha…
Please follow and like us: