Sadik Bejko: KULLA E BLLOSHMËVE NË BËRZESHTË
Kam qenë edhe sot, 17 korrik 2022, nën hijen e mureve të kësaj Kulle.
45 vjet ka që në të nuk banon njeri. Dhe muret e saj nuk rrëzohen.
Është një kullë emblematike. Kulla e njerëzve që i rezistuan diktaturës. Paguan me gjak, me plumb, me burg dhe internim. Dhe muret e saj nuk u rrëzuan. Kulla jonë e rezistencës ndaj robërimit komunist.
Si arkitekturë ajo ruan tiparet karakteristike të një shtëpie shqiptare të shekullit XIX.
Me kohë duhet të ishte shpallur monument kulture. Ky monument i dëmtuar nga motet, por i paepur me themelet ngulur fort në historinë tonë.
Sot përkujtuam 45 vjetorin e pushkatimit të Vilson Blloshmit dhe të Genc Lekës.
Më 1946 Kulla u ndërtua mbi themelet e mëparshme nga Selman Blloshmi dhe katër djemtë e tij.
Selmani ka qenë delegat i Kongresit të Manastirit, më pas kryekomunar.
Më 1947 Selmani dhe bijtë u shpallën kulakë. U burgosën e u vranë. Hasan Blloshmi vdiq në burg.
Azisin, oficer, e kishin vranë në Tiranë më 1944. Samiu dhe Bukuroshi provuan prangat.
Për mbi 30 vjet vëllezërit Blloshmi jetuan bashkë si familje patriarkale.
Më 1977, pasi pushkatuan Vilsonin, burgosën 25 vjet Bedriun, i shpërndanë në katër familje dhe i internuan në fshatin Polis. Edhe fëmjët e gjirit i internuan.
Pas vitit 1991 askush nuk u kthye në Kullë.
Çatia vende- vende. ka rënë, xhamat janë thyer… në tavane lakuriqët e natës.
Muret e pabanuara nga njeriu prej 45 vjetësh mbahen. Edhe sa?
(Vidio nga Admirina Peçi )
Please follow and like us: