Ilir Levonja: Amarcord për dy poetët e Librazhdit
1) Më 17 korrik të vitit 1977 u pushkatuan dy krijues të rinj, Genci Leka dhe Vilson Blloshmi. Pra plot dyzet vite më parë. Kësisoj është një përvjetor i madh. Ashtu siç jemi mësuar ne me datat e tilla kyçe. Dy krijues që në një qytet provincial si Librazhdi, mëkonin artin modern, konceptin mbi lirinë e metaforës dhe përdorimin e saj. Në fakt ishin prirje normale për dy të talentuar, ndryshe nuk ka se si je i tillë kur nuk eksperimenton. Se bota e poetikës është dhe hileqare e madhe, të fut në kurthin e saj duke të të mbushur mendjen se je ne rregull, je poet dhe ti bluan fjalë, poezi fjalë, jo metaforë. Megjithëse e vërteta e madhe qëndron kur ajo lëviz mes përmes maleve të mendimit, jo përmes fjalëve. Se i bie të jesh si ai fëmija motak që luan njëzetë e katër orë me të njëjtat lodra. Më poshtë po sjell ca fakte që na nxjerrin sytë, për të kuptuar këtë shëmtinë e vërtetë tonë, në asgjësimin e njëri-tjetrit nga e ashtuquajtura lufta e klasave. Nuk ishin më shumë se, i pari Vilsoni 29 vjeç dhe i dyti Genci 36. Dispononin bibliotekë personale me një numër ekzplarësh nga letërsi shqipe dhe botërore prej 700 syresh. Kush ka pak njohuri raftesh librash, e kupton menjëherë se çfarë do të thotë kjo për dy intelektualë të rinj. Çfarë domethënie ka një pasuri e tillë në raport me ato bibliotekat e shkollave. Plot 39 jeniçerë të diktaturës së proletariatit u angazhuan për thurjen, ngritjen, shpalosjen e intrigës, akt akuzës për agjitacion kundër pushtetit popullor. Dhe më ulta akoma, si hajdutë dhe sabotatarë në kalbëzimin e patates. Plot 39 persona u paguan…, llogaritini vetë orët e punës, nga viti 1975 kur u futën në rrethin e kuq. Po tu shtohet edhe numri i deshmitarëve, shifra shkon në 139. Megjithëse flitet për një lloj parashenjimi të mëhershëm, për shkak të prejardhjes së tyre nga familje të deglasuara etj.., deri në natën e 17 korrikut kur dhe u pushkatuan. Madje thuhet se në ato orët e fundit kur po afrohej ekzekutimi, në qelinë përbri, mbanin me hape gjumi a kushedi se çfarë lloj droge në një gjumë të thellë, vëllain e Vilsonit, Bedri Blloshmin. Thuhet se të parin qëlluan Gencin. Jo rastësisht e qëlluan keq. Kur ky ulërinte nga dhimbjet, aty përbri i kërkonin Vilsonit të pranonte akuzat e stisura. Të pranonte të bëhej bashkëpunëtor i sigurimit të shtetit në mënyrë të atillë që t’i falnin jetën. Thuhet se se që të dy ishin copash nga torturat, copash… Kjo ndodhte në 17 korrik 1977, pra si sot, plot 40 vjet më parë. Nuk fakt nuk ishin armiqtë e popullit, por dy mësues të Normales dhe Pedagogjikes në Elbasan. Dy institucione kulturore me bagazh gjuhësh të huaja dhe njohje të letërsisë për t’u admiruar. Ishin armiq të sajuar, aq në modë të diktaturës së proletariatit dhe luftës së klasave. Pjesë e atyre martirëve që Shqipëria nuk kishte asesi pse t’i bënt kurban.
2) Teksa i hodha një sy shtypit tonë, vura re se kjo poshtërsi sociale e shqiptarëve, e jona, nuk përkujtohet asgjëkundi. Jemi të përkryer për të mbuluar të pëgërat tona si puna e maces me hirin. Edhe pse të gjitha këto fakte vinë nga arshivat e shtetit tonë, dhe janë vetëm një e njëqinda e mënxyrave, pasi ky është një opinion i cekët, më shumë është indinjatë…., ne kurrë nuk u skuqëm. Kjo e ka shpjegimin në atë koeçidencën ironi kur njëri nga pjestarët e familjes Blloshmi shkoi tek avokati i popullit për një ankesë… Dhe gjeti aty në tavolinë, persekutorin, ish hetuesin e vet.
Në qenësi duhej të ndodhte si një pajtim i madh kombëtar me tiparet të faljes prej hebreut karshi holokaustit. Por nuk është e tillë. Ashtu siç edhe nuk është rastësi pozita e xhelatit me viktimën. Demokracia u kthye në një dëm të madh kombëtar qysh kur revoltat studentore u bënë pronë e teseristave të partisë së punës. Ndaj sot i gjen kudo, sa majtas dhe djathtas…, të gjithë persekutorët. Pa asnjë ndjesë publike, por të bindur se kanë bërë detyrën. Ashtu siç gjen një shpurë poetësh, që shkon e thuruin fjalë, jo mendime në inagurimin e një shtatore të vakët për Havzi Nelën. Nga ana tjetër janë simpatizues të xhelatëve dhe ekzekutuesve të poetit. Kjo është cekëtinë fjalësh dhe asesi një akademi vlerash poetike. Dhe me që ra fjala e shtatoreve, edhe kjo e Gencit me Vilsonin, brenda logjikës përtokë sërisht. Edhe pse martirët kanë me hak monumentet…, por tek ne, siç edhe e kam theksuar, kultura jonë e mbrapshtë ia dedikon ato xhelatëve, kurse shtatoret viktimave të tyre. Thjesht sa për të kaluar radhën… pasi liria, fjala, pushteti, paraja, qielli, të gjitha janë të tyret. Kurse për viktimat veç toka dhe nëntoka.
Korrik 2018
Please follow and like us: