Shoqëria civile mbështet Besim Ndregjonin për postin e Avokatit të Popullit! Letër e hapur Kuvendit, partive politike dhe ambasadorëve
Ishin 19 nga lista paraprake me 20 kandidatë që shpalosën platformat e tyre përpara deputetëve të Kuvendit, pasi Olta Aliaj ka tërhequr kandidaturën pak minuta para nisjes së seancës.
Disa organizata të shoqërisë civile i janë drejtuar me një letër Kuvendit, partive politike dhe ambasadorëve të vendeve partnere në vendin tonë për të mbështetur kandidaturën e Besim Ndregjonit.
Drejtuar:
KUVENDIT TË SHQIPËRISË
GRUPEVE PARLAMENTARE
PARTIVE POLITIKE PARLAMENTARE
AMBASADORES AMERIKANE, MRS Yuri KIM
DELEGACIONIT TË BE
PREZENCA OSBE TIRANË
E nderuar Kryetare NIKOLLA TË NDERUAR PARLAMENTARË! SHKËLQESI AMBASADORË! Na lejoni t’ju shprehim konsideratën tonë më të lartë në emër të familjeve të të përndjekura politikë të Shqipërisë, që përballuan terrorin 45-vjeçar komunist, të shoqërisë civile si përfaqësues ligjor të tyre, t’ju shprehim konsideratën tonë të lartë për anëtarët e Parlamentit! T’ju shprehim mirënjohjen Shkëlqesive Ambasadorë që i shërbeni popullit dhe vendit tonë, duke na mbështetur për të ndërtuar shtetin e së drejtës dhe funksionimin e demokracisë.
Ne, të përndjekurit politikë dhe shoqëria civile, mbas 30 vitesh kemi paraqitur kandidaturën tonë për Avokat Populli, një personalitet të shquar në fushën e mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të njeriut, Dr. Besim Ndregjoni, shtetas shqiptar me një veprimtari të shquar kombëtare në fushën e të drejtave dhe lirive të njeriut dhe ligjit, në trajtimin e integrimin e shtresës antikomuniste të të përndjekurve politikë shqiptarë. Zoti Ndregjoni i përket atij brezi të vuajtur të Shqipërisë së diktaturës së proletariatit, ku vlerat e njeriut ishin të papërfillshme dhe ku konstituohej nga Kushtetuta diktatoriale:
Diktatura e pakicës mbi shumicën. Zoti Ndregjoni vjen nga një familje fisnike shqiptare, e cila ka përballuar tri diktatura në Shqipëri: diktaturën fashiste, me 7 prill 1939 babai i tij, Imer Ndregjoni, luftoi kundra pushtuesit fashist, në vitin 1944 u përndoq nga nazizmi se shpëtoi një familje hebrenjsh të Emunael Rubenit prej 7 vetash, duke treguar humanizmin shqiptar. Si luftëtar nacionalist u shqua për qëndresën ndaj diktaturës komuniste, ku diktatura e dënoi me 17 vite burg politik, si bashkëpunëtor i anglo-amerikanëve. Diktatura komuniste i pushkatoi tre pjesëtarë të familjes: nipin Xhevitin në moshën 18-vjeçare, xhajën Xhetanin në moshën 24- vjeçare, dhe në moshën 75- vjeçar gjyshin Llanin. I mbyti me tortura në hetuesi dy pjesëtarë të familjes, kushëririn Halilin dhe dajën e babës, Lam Bicin. I dënoi me 7 vite burg politik dajën e tij, Bajram Totrakun. Nga torturat çnjerëzore në hetuesi, në vitin 1981 e kalojnë në çmendi burrin e hallës, Destan Manukën, të cilin e dërguan në Spitalin Psikiatrik në Elbasan.
Ky është bilanci tragjik që kjo familje pësoi nga diktatura komuniste. Zoti Ndregjoni i mbijetoi diktaturës dhe pse ajo e kishte etiketuar armik të regjimit, duke i mohuar të drejtat dhe liritë në të gjitha fushat e jetës, falë vullnetit dhe kurajës së tij me një qendrësë e stoicizëm të admirueshëm. Ka 30 vite që si aktivist i të drejtave dhe lirive të njeriut jep kontributin e tij kombëtar për dokumentimin dhe integrimin e të burgosurve e të përndjekurve politikë të Shqipërisë, në fushën ligjore për të drejtat e dëmshpërblimit të persekutimit komunistë. Ka një kontribut publicistik 30-vjeçar në publikimin e krimit komunist si brenda vendit, edhe në qarqet ndërkombëtare, me studime për shkeljen e të drejtave dhe lirive të njeriut për periudhën diktatoriale 45-vjeçare. Krimet e komunizmit në Shqipëri i ka bërë prezente në Berlin, Bruksel, falë dokumentacionit të tij për këto krime. OKB në vitin 2010 i kërkoi qeverisë shqiptare të dënonte krimet e komunizmit.
Gjatë 31 viteve, që nga Tropoja, Vermosh, Shkodër, Vlorë, Tepelenë, Korçë, Burrel, Spaç, Qaf-Bari, ka kontribuar në gjetjen e eshtrave të të pushkatuarve dhe ka vendosur pllaka përkujtimore në shërbim të së vërtetës. Ka një bashkëpunim të shkëlqyer me shoqërinë civile prej 15 vitesh, ku ka bashkëpunuar me përfaqësues të Avokatit të Popullit të Danimarkës për trajtimin e torturave, traumave që kanë pësuar qytetarët shqiptarë gjatë periudhës diktatoriale, duke kontribuar në rehabilitimin e tyre. Ka udhëhequr protestat paqësore mbarëkombëtare për të drejtat e dëmshpërblimit, që sot po e gëzojnë të përndjekurit politikë shqiptarë. Ka organizuar tri konventa kombëtare për dënimin e krimeve të komunizmit dhe është iniciator e kontribuues në realizimin e Rezolutës për dënimin e krimeve të komunizmit në bazë të Rezolutës së APKEuropës në vitin 2006.
Misionar i ngritjes së “Parcelës Kombëtare të Kujtesës” në Tiranë, kushtuar mbi 6000 burrave dhe grave që i ka pushkatuar diktatura, duke iu zhdukur kufomat, dhe ata sot nuk kanë një varr. Ku ka marrë mbështetjen e personaliteteve shqiptare, si të Kardinalit shqiptar Ernest Troshani, deputetes së Parlamentit Europian, Arba Kokalari, shkrimtarit të shquar Ismail Kadare, ikonës, shkrimtarit ish-të burgosur politik, studiuesit prof. Sami Repishtit, shkrimtares së shquar fituese e disa çmimeve ndërkombëtare Luljeta Lleshanaku, si dhe tre drejtues të komuniteteve fetare në vendin tonë, atij Katolik, Mysliman, Ortodoks dhe Bektashinj, si dhe qindrave intelektualëve të fushave të ndryshme, të artit e kulturës. Ka 30 vite që përçon paqen në shoqërinë shqiptare dhe lufton urrejtjen. Zonja dhe Zotërinj parlamentarë! Shkëlqesi Ambasadorë! Kemi tri dekada që në institucionet kushtetuese nuk lejohen dhe promovohen kapacitetet antikomuniste që vijnë nga shtresa e të përndjekurve politikë.
Gjatë 30 viteve janë promovuar dhe kanë drejtuar këta institucione individë që i kanë shërbyer diktaturës, ose kanë lidhje politike me regjimin e diktatorit Enver Hoxha. Sot, fatkeqësisht, të gjitha institucionet kushtetuese drejtohen nga të privilegjuarit e diktaturës. Kërkojmë dhe presim mbështetjen dhe ndihmën tuaj morale, politike dhe njerëzore, për kandidaturëntonë.
Si dhe mbështetjen e Trupit diplomatik në Shqipëri. Zonja dhe Zotërinj parlamentarë shqiptarë! Shembjani këtë mur politik tridhjetëvjeçar që është ndërtuar me heshtje ndaj të përndjekurve politikë, se i shërbeni paqes dhe jo urrejtjes. Mbështetja juaj për kandidaturën tonë, që ky institucion që mbron të drejtat dhe liritë e njeriut të mos drejtohet nga ushtarë të politikës, por të ketë drejtues një personalitet nga klasa e të përndjekurve politikë, që ka sensibilizimin moral dhe i mbron me fanatizëm këto të drejta, se ka provuar në familjen e tij krimin komunist dhe dhunimin e të drejtave dhe lirive. Kanë kaluar tri dekada dhe Juve ju bie barra të bëheni bashkëluftëtarë me ne, të dënoni marrëveshjet politike që bëhen në interesa personale dhe aspak institucionale. Dënoni së bashku me ne, vendimet politike që merren nga politikanë e forca politike për interesa klienteliste për miq e shokë, kundra të përndjekurve politikë edhe tani mbas 30 vitesh ndërrim sistemi.
T’i demokratizojmë institucionet, jo t’i politizojmë siç ka ndodhur gjatë këtij tranzicioni. Demokratizimi i institucioneve kushtetuese i shërben demokratizimit të vendit. Drejtimi i Avokatit të Popullit nga kandidatura jonë do t’i shërbejë pajtimit dhe bashkimit të shoqërisë, që sot ndodhet e ndame. Kundërshtari politik i Zotit Ndregjoni, ishKryeministri socialist Pandeli Majko, në Komisionin e Ligjeve në seancën dëgjimore me 15 korrik, i bëri thirrje opozitës parlamentare që të mbështesni kandidaturën e Zotit Ndregjoni, që vjen nga shtresa e të përndjekurve politikë. Ishte një thirrje njerëzore, por dhe reflektim për kandidaturat që nuk i përkasin spektrit politik. Mbështetja dhe ndihma juaj do t’i shërbejë jo ndarjes së shoqërisë, siç është tani, por bashkimit, do t’i shërbejë paqes, dhe jo urrejtjes që ka ngritur për tridhjetë vite klasa politike shqiptare.
Le të shërbejë pas 30 vitesh mbështetja juaj e të gjithë deputetëve që janë mandatuar falë edhe votës së elektoratit të djathtë që shumicën e përbëjnë të përndjekurit politikë dhe pronarët. Le të shembet muri politikë i urrejtjes dhe harresës i politikës ndaj të përndjekurve politikë, dhe ne të përndjekurit politikë, të jemi qytetar të lirë e të barabartë në Shqipëri. Presim çdo deputet të pozitës dhe opozitës t’i bashkohet dhe të jetë mbështetës ligjor me votë ndaj kandidaturës sonë. Mbas tridhjetë viteve, le të bëhet pozita dhe opozita mbështetëse e një kandidature antikomuniste, se nuk i shërben një individi, por ndërtimit të shtetit të së drejtës, që ka 31 vite që nuk po e ndërtojmë.