Albspirit

Media/News/Publishing

Shqipëria në ‘67, vendi i parë ateist në botë

Metodat që përdori kulti i individit për rrafshimin e kishave dhe xhamive, feja u shpall dogmë e pushtuesve të huaj, Shqipëria në ‘67, vendi i parë ateist në botë

 

Eneida Jaçaj

 

Kulti i individit, një term i lindur kryesisht nga regjimet autoritare apo totalitare, personifikon njeriun e vetëshpallur Zot, udhëheqës të shpirtit dhe të mirave materialeve, përmes gënjeshtrës dhe propagandës, ku askush tjetër nuk ka të drejtë të dalë mbi të. Një udhëheqës i tillë, i cili vesh kostumin e pushtetit të pakufijshëm, mban nën thundërr dhe errësirë popullin e tij, duke e detyruar të besojë verbërisht se ai është Zot i tyre dhe i Natyrës. Përmes propagandës, gënjeshtrës së madhe, spektaklit, tubimeve në “gjirin e popullit”, individi-udhëheqës, i detyron qytetarët e tij të adhurojnë vetëm një Zot, i cili ka zbritur në Tokë për t’i “shpëtuar” nga çdo e keqe. Partia-shtet dhe kulti i individit mban të burgosur nën pranga njeriun, i heq shumë të drejta dhe liri themelore, e mbyll në guackën e injorancës, duke ia bllokuar shtigjet e shikimit dhe shkatërruar kujtesën, e bën të besojë se udhëheqësi i tyre është i pazëvendësueshëm. Kulti i individit përdor çdo metodë barbare mbi qenien njerëzore, si skllavërimin, punën e rëndë, dogmat partiake, shtypjen, ndrydhjen, servilizmin, spiunazhin, lëvdatat, heqjen e shumë të drejtave dhe lirive, vrasjet, torturat, errësirën, bllokadën ndaj çdo informacioni të jashtëm, për të mbuluar dështimet e pushtetit, ndërsa njeriu ta ndiejë veten të paaftë dhe të pafuqishëm ndaj përrallave të udhëheqësit të vetëshpallur Zot. Metodat barbare janë përdorur si një formë mbijetese, për të siguruar pushtet absolut dhe të gjithëjetshëm.

Kulti i individit, termi i cili u bë i njohur në fjalimin sekret të Nikita Hrushovit mbi Kultin e Personalitetit dhe Pasojat e tij, në vitin 1956, ka lënë pasoja të rënda edhe në demokracinë e sotme. Është një nga arsyet përse vendet ish-komuniste kanë një demokraci të brishtë dhe të pakonsoliduar, pasi kulti i individit nuk është çrrënjosur totalisht si mendësi te liderët e rinj post komunist. Madje, studiuesi Daniel Ursprung ka dhënë një këshillë shumë të qartë, se media dhe shoqëria civile në ish vendet komuniste nuk duhet të lejojnë një lider që të bëhet shumë i fuqishëm. Kulti i individit modern shpërfaqet edhe te liderët e sotëm, por media, shoqëria civile dhe vetë populli, përmes protestave, nuk duhet të lejojnë kurrsesi që lideri të tejkalojë shumë kompetenca, duke abuzuar me pushtetin.

Pas rënies së perdes së hekurt në vitin 1945, në morinë e metodave të shtypjes, heqjes së lirisë së mendimit dhe veprimit, Shqipëria do të përballej edhe me censurën e lirisë fetare. Feja u shpall dogmë e pushtuesve të huaj, ndërsa më 1967, Shqipëria u shpall vendi i parë ateist në botë. Regjimi komunist e cilësonte fenë ideologji reaksionare, mbetje e pushtuesve të huaj, që sillte vetëm prapambetje në shoqëri. Ndonëse shumë zakone fetare janë vërtet prapanike dhe shumë të fryra, njeriu ka të drejtë morale të praktikojë çdo rit fetar, ku mendon se ai ndihet mirë, por kulti i individit qëllimin e kishte diku tjetër; njeriu të besonte dhe të adhuronte vetëm individin-udhëheqës. Me moton se feja myslimane ka qenë ideologji e pushtuesve turq, feja ortodokse ideologji e shovinistëve grekë dhe feja katolike, me qendër Vatikanin, ka qenë ideologji e pushtuesve italianë, regjimi nisi rrafshimin e kishave, xhamive, teqeve, ndërsa shumë klerikë që nuk iu bindën u masakruan. Fushata kundër fesë dhe institucioneve fetare u shtri në të gjithë Shqipërinë, ndërsa udhëheqësi mbante fjalime propagandistike, duke e bindur popullin ta largonte fenë edhe nga ndërgjegja e tyre.

Në vitin 1945, në gjithë territorin shqiptar kishte 1127 xhami e 17 shkolla-medrese, por më 1967 u rrafshuan pothuajse të gjitha. Mbi 60 klerikë myslimanë u persekutuan, ndër ta Hafiz Ali Korça, Hafiz Ibrahim Dalliu, Hafiz Ali Kraja, Hafiz Ismet Dibra, Hafiz Sabri Koçi, etj. Në vitin 1967, Shqipëria ishte i pari vend ateist në botë, ku dëshmohej edhe në Nenin 37 të Kushtetutës: “Shteti nuk njeh asnjë fe dhe përkrah e zhvillon propagandën ateiste për të rrënjosur te njerëzit botëkuptimin materialist shkencor”. Ndërkohë, Neni 55 i Kodit Penal të vitit 1977, shkruante: “Agjitacioni e propaganda fashiste, antidemokratike, fetare, luftënxitëse, antisocialiste, si edhe përgatitja, përhapja ose ruajtja për përhapje e literaturës me përmbajtje të tillë për të dobësuar ose minuar shtetin e diktaturës së proletariatit, dënohet me heqje të lirisë nga tre gjer në dhjetë vjet. Kleri i qëndroi stoik ideologjisë dhe praktikave fetare, duke u përballur me metodat çnjerëzore të njerëzimit. Shumë prej tyre janë shpallur martirë, pasi nuk iu përulën regjimit, por sakrifikuan derisa dhanë edhe jetën.

Shumë priftërinj e praktikuan besimin fetar në shtypjen e regjimit. Ndër ta ishte Atë Josif Papamihali, i dënuar me burg në Maliq, ku edhe humbi jetën, i përpirë nga balta. Dom Gjergj Simoni u dënua pas 9 muajve hetuesi për agjitacion e propagandë, me 10 vjet burg, të cilat i vuajti në Ballsh, Spaç e Qafë-Bari. Dom Gjergji u dënua për poezitë e tij, të cilësuara “armiqësore”. Pas vuajtjes së dënimit me burg e punë të detyruar, më 21 prill 1991, Dom Gjergji u shugurua meshtar. Vinçenc Prenushi, lindur në Shkodër më 4 shtator 1885, më 8 maj 1993 në Durrës, u shpall “Martir i Demokracisë” dhe më 5 nëntor 2016, martir i Kishës Katolike nga Papa Françesku. Shkollën për teologji e filozofi e kreu në Tirol të Austrisë. U bë njohës i mirë i shumë gjuhëve dhe kulturave evropiane, sidomos asaj gjermane. Në 1911 botoi në Sarajevë vëllimin e parë të “Visaret e kombit”, me titull “Kangë popullore gegnishte”. Përktheu gjithashtu vepra nga Dante, Ëisseman, Slenklevicz, etj.

Në 1947, Vinçenc Prenushi u dënua me 20 vjet burg, nga të cilat kreu dy vjet, pasi vdiq më 19 mars 1949. Regjimet totalitare përdorin çdo formë për të mbajtur njeriun të shtypur dhe nën guackën e injorancës, pavarëisht se njeriu ka të drejtë të besojë në çdo gjë që e bën të ndihet mirë. Kulti i individit nuk duhet të lejohet kurrsesi të praktikohet në kohët moderne, pasi marrja e shumë kompetencave, e bën liderin të ndihet i superfuqishëm, ndërsa pasojat do të jenë sërish të rënda dhe të pariparueshme, ashtu siç Shqipëria e pati fatin gjatë 45 viteve të errëta të regjimit komunist.

 

 

 

Please follow and like us: