Albspirit

Media/News/Publishing

Ambra Hysa: Prapaskenat e shkrimit të një romani

Si lind një roman? Si merr jetë dhe trajtë teksa shtrohet mbi letren e bardhë? Çfarë i frymëzon shkrimtarët?
Pasditet i kaloj aty, në këndin tim të preferuar, ku unë zhytem thellë në botën time, aty ku ndihem “mbi re” , sepse nis të shkruaj… Shkrimi i një romani është një takim i paqtë me një dashuri të madhe, atë që unë jam në të vërtetë.
Nuk ka ndjesi më të bukur se ta jetosh plotësisht veten tënde. Të ndalosh për një çast dhe të dëgjosh veç zërin tënd. Pastaj kur nis të krijosh “lulet” e përsonalitetit të përsonazheve dhe historitë, jeton disa herë…
Isha vetëm dhjetë vjeç, atë pasdite kur u ula me dëshirën për të shkruar tregimin tim të parë. Në fund kur mamaja ime e lexoi më tha se disa detaje nuk përshtateshin me kontekstin ku kishin lindur personazhet. (Ajo u shpreh me fjalë më të thjeshta dhe më të kuptueshme për moshen time) por në thelb…kishte të drejtë! Edhe pse imagjinata ime kryeneçe, refuzonte të përshtatej. Unë doja të krijoja diçka jashtë kornizave, diçka në dukje të pamundur, por të vërtetë, të mundshme.
Zoti më kishte bekuar me ndjeshmëri. Zemra më është thyer aq herë për këtë shkak. Përse duhet të merrja gjithçka kaq afër zemres?
Me vonë do ta kuptoja se kjo “e metë” , në vetvete ishte dhunti, një bekim. Asnjëherë nuk do të bëhesha shkrimtare siç ëndërroja, nëse nuk do ti ndjeja gjërat kaq thellësisht.
Pasditeve, nuk më shoqërojnë vetëm cicërimat e zogjve dhe zhurma e liqenit, por mendimet.
Dhe gjithmonë një libër i ri që po vjen…
Kush jemi ne përpara se shoqëria të përcaktojë atë që duhet të jemi? Sa të butë duhet të jemi me veten, për ta lënë të lirë egërsirën brënda nesh…
Universi jemi ne. Jemi ky kaos i ëmbël mendimesh.
Dhe ja një copëz nga romani që po shkruaj aktualisht, një esencë e asaj qe më zihet në mëndje dhe gatuhet në zemër:
…Tani që ishte në të dyzetat ajo kishte vendosur të mos lodhej më të ishte gruaja perfekte që kishte ëndërruar të bëhej që kur ishte një vajzë e vogël. Nuk kishte hequr dorë, thjesht tani e dinte se “Ajo” nuk ekziston.
Në email-in e saj kishte letra pafund të vajzave që ndanin shqetësimet e tyre si në një ditar përsonal, ku pesha e rëndë më në fund zbarkohej, ndahej me dikë tjetër. Mendimet më të errëta është me e lehtë ti thuhen një të panjohuri sesa dikujt që e duam me gjithë shpirt.
Sa sekrete kishte aty? Të gjitha do të zbuloheshin në gjysmë errësirën e mbrëmjes…
Please follow and like us: