Albspirit

Media/News/Publishing

Luan Rama: Një shishe vere dhe një kuti llamarine në Skiathos

«Më duhet një shishe vere për t’i pastruar kockat», – i kishte thënë greku i funeralit të varrezave të Athinës. – Me të kockat pastrohen shumë mirë…”
Miku im i dha paratë e verës. Pastaj i dha dhe 40 euro për t’i futur në një kuti dhe t’i ruanin aty deri sa të vinin t’i merrnin : një kuti 30x40x20cm. Xhako, me atë trup të vogël por kockë i fortë, e kishte mbaruar udhëtimin e tij në këtë botë, një natë dimri, në vetmi, me përkujdesjen e vetme të Elenit, një përmetare që përkujdesej për të. Odisea e tij kishte qenë e dhimbëshme : 27 vjet burgje dhe i fundit në Spaç. I “handakosuri” Xhako, nuk pranoi kurrë të përrulej. Atje në burgje, të rinjtë e quanin «profesor», sepse Xhako kishte përvojë nga burgjet, edhe pse familja e tij kishte qenë e lidhur me luftën partizane. Ishte njeri i besës dhe i kurajos, i gjendshëm kur doje diçka të të lehtësonte plagët apo shpirtin. Fjala e Xhakos ishte melhem dhe kurajo, ishte fjala e njeriut që kishte parë fundin e botës…
«Nëse do ta mbani dhe vitin tjetër këtu, duhen paguar dhe 40 euro të tjera», – i kishte thënë greku i funeralit. Por miku im kishte mohuar me kokë dhe kishte lenë atë ndërtesë të vogël e të trishtë, pasi e kishte parë aty, për here të fundit Xhakon e mirë në raftet prej druri ku e vendosi ai, midis dhjetra kutive të tjera prej llamarine. «Me siguri kuti emigrantësh që janë harruar aty», – kishte menduar ai. Një lushnjar, që ishte ndihmës i grekut dhe që e kishte bërë varrmihësin profesion të tij, e shoqëroi deri tek dera e varrezave dhe u përshëndetën si dy bashkëpatriotë të takuar rastësisht në një ditë zie, me pak fjalë. Xhako vdiste për së dyti…
Xhako duhej çuar në Tiranë, por kur ? – mendonte miku im… Sidoqoftë, duhej çuar sa më shpejt. Por Xhakon nga Shqipëria askush nuk e priste. Edhe ata pak njerëz të familjes ishin shpërndarë si zogjtë e qyqes. Të tjerë, ishin mjaftuar të merrnin paratë e Xhakos në Arkën e Kursimeve dhe nuk bëheshin më të gjallë. Se Xhako kishte venë aty paratë e « burgut » për një ditë të zezë… Eh Xhako ! – pëshpëriste miku im, aty, buzë detit, në Skiathos ndërsa dielli perëndonte. Kthente gotën e uzaqes dhe mbyste dhimbjen në dehje. Xhako kishte vdekur pa një lek në xhep. I mjerë, i varfër, si në kohë burgu.
Xhako ishte bërë njeri i afërt i famimjes së tij, sepse Xhako ishte njeri pa fjalë. I papërtuar gjithnjë. Sy të mirë, shpirt flori. Ishte mësuar Xhako me hallet e kësaj bote. E dinte mirë se ç’ishte të rrije pa ngrënë, të ishe i pagjumë. Shumë kishte parë e provuar në këtë jetë. Por plagët më të mëdha, Xhako i kishte në shpirt. I mbante aty të fshehura. Vdekjet e prindërve të tij, të vëllezërve… vdekjet e shokëve të burgut, që tani as varri nuk u dihej më. Zemra e Xhakos ishte një oqean i madh, gjithë dallgë.
Miku im ktheu gotën e uzos dhe mbeti nje çast pa folur, në fund të atij tregimi për Xhakon. Mendonte se kush do të kujdesej për të në Tiranë. Kush do të merrej me kutinë e Xhakos, sepse ca nga pinjollët e Xhakos në burg, të cilët atëherë e thërrisnin « profesor », tani as që bëheshin më të gjallë… E kishin harruar edhe pse u njoftuan që të bënin diçka për të sjellë trupin e tij në Shqipëri. Ishin bërë ministra, figura të TV-së, «Vip»-a, siç i thonë në Shqipëri, por Xhakon e kishin harruar dhe as që kishin ngenë të merreshin me atë kuti llamarine me një emër të shkruar shpejt sipër saj.
Ajo kuti mikut tim i dukej e rëndë, si të ishte prej plumbi. Po, sepse kishte aty trishtin e helmin e një jete, të një bote… I dukej se Shqipëria kishte vdekur atë ditë dhe ishte mbledhur brenda asaj kutie. Sa mosmirrënjohje kjo botë!
Nata binte e trishtë në gjirin e Skiathos.
Please follow and like us: