Albspirit

Media/News/Publishing

Miho Gjini: BARBA NIKO LEKA

Kështu si e mbaj në medje, të freskët e me plotë dashuri, Barba Niko Lekën, elektrixhiun e fshatit, ai ishte rondokop, një burrë i rëndë, po edhe fort i këndshëm, që dinte të bënte edhe humor kur e “mbysnin” hallet, nga ata njerëz që edhe fjalën e kishte të shtruar e të ëmbël. Dhe qe i vetmi që mund të hynte shtëpi më shtëpi, nga vet zanati i mrekullueshëm e fort i domosdoshm për atë kohë, kur ishim mësuar “ta shtynim jetën” në terr, me një kandile vaji në krye të oxhakut, kur rrallë e tek, kishte dhe ndonjë llampë me vajguri e me qelq rreth e rrotull, që e bënte më të mirë flakën. Dhe ishte pikërisht ky njeri që solli për herë të parë në fshatin tonë dritën, dritën elektrike, që vinte tashmë nga Buneci poshtë, ku u ndërtua një hidrocentral i vogël e jo më nga përtej detit, nga Korfuzi, që llamburisnin pa ndërprerje, qysh kur kishte “lerë bota” e ne të vegjëlit mahniteshim duke i parë nga bregu ynë tepër i varfër. Pra, këtë njeri e quanin Niko Leka, kudhësiot me rrënjë, që e kishte mësuar zanatin e elektrixhiut në Greqi, qysh para luftës së dytë, ku edhe jetonte me vëllezërit e të motrën, pasi kishin ikur nga Tirana, ku edhe vajtën fillimisht, për një jetë më të mirë. Mirëpo, sikundër e thonë “njeriun se mbanë dheu” e, pa plasur lufta akoma, qe kthyer të shihte edhe një herë vatanin, pas ikjes së trishtuar të prindërve nga kjo BOTË. Kur “retë e zeza të luftës” po afronin me shpejtësi… Dhe që, papritur, lufta plasi e rrugët e kthimit për në Greqi u mbyllën, jo vetëm për Barba Nikon, po edhe për gjithe hallexhinjtë e kësaj bote mizore!
I varfëri njeri, kishte mbetur edhe i pamartuar, si i themi ne këndej “prej mukajetit”! Po sa binte dita nuk binte moti. Pak vite më vonë, merr vesh se, në fshatin afër, në Piqeras, do të ngrihej një hidroçentral i vogël dhe elektrixhiu i dikurshëm atë priste. Erdhi këtu që të “disiplinonte ujrat” e Bunecit që derdheshin në det… Për dreq, edhe unë do të bëhesha elektiçist me shkollë, disa vite më vonë, po jo aq i zoti sa ai, që dinte të ngrinte buzë lumit një hidroçentral, ta vinte në punë dhe të hypte nëpër shtylla, të shtrinte e ndante linjat shtëpi më shtëpi, si edhe të bënte instalimet e brendshme paralele, të një fshati të tërë. I vetëm, i papërtuar, zemërmirë e me një humor të hollë e të gjerë, sa deti… E na dukej se ishte ky njeri i mirë dhe fort i thjeshtë, “Dritësjllësi” që mbushi me gëzim e fekse gjithë fshanë e që u dëgjua për herë të parë edhe muzika, nga ca radio që edhe ato punonin tani me rrymën elektrike që e kishte sjellur Barba Niko Leka nga Kudhësi, burri rondokop i hallës sime të bukur. Se, këtë do të bënte, mbas dritave që solli në fshat. Pasi “i vuri syrin” hallës sime të bukur, Ngjelos së Gjine, kushërirës së parë të babait tim, duke u martuar me të dhe zënë edhe shtëpi pranë asaj tonës, në “Rimin e Dedazve” mëtëposhtë sokakut..
Unë tani kisha edhe një dipllomë, nga Shkolla e Fulcit, si Teknik Elektrik, po asnjëherë nuk dija sa ai, kur me emëruan të kujdesesha për aparatet elektromjekësore te Gjirokstrës, Delvinës e të Sarandës në vitet ’50 të shekullit të kaluar, duke e patur qendrën në Spitalin e dy Vasilëve (i vogëli e i madhi). Doktorë të dëgjuar e me famë,-sikundër edhe quheshin aty, në Gjirokastrën e asaj kohe. I madhi, Vasil Kalivopulli, kirurgu duarartë, që më pas do ta rrasnin në Burgun e Kalasë si “agjent grek” dhe i dyti, Vasil Jorgji, një pediatër e njeri i mrekullueshm, që e donte i madh e i vogël për fjalën e ëmbël që e kishte vetiu… Kur unë do të mpleksesha edhe me një vajzë nga jugu e do të shpallja veten të martuar, pa i pyetur fare prindërit, gjersa do të shikoja tek dera e Spitalit Barba Niko Lekën, që erdhi aty, jo se ishte sëmurur, po direkt për “kokëshkrepjen” time, që pata injoruar në këtë mesele prindërit që më “bënë kokën”, që më kishin rritur “me të keq” e dërguar në shkollë për të mësuar e jo të “vetvija kurorë” menjëherë, bile pa e “çarë kokën” për të varfërit prindër! E qenë pikërisht ata që ma dërguan Barba Nikon që “të hiqja dorë nga kjo proçkë”, siç e tha ai, elektrixhiu i fshatit, burri i hallës sime të bukur. Dhe që unë do t’i thoshja me guximin e një të riu “që i kishte marrë koka erë” se nuk kisha bërë “më tepër se sa ai”, me hallën time të bukur! Bile i thashë se qe “kollovar” tek ne! Sa të pasjellshëm që e rrëfeva veten! Po, do kalonin vite e vite, do mbaroja edhe një shkollë të lartë, do lozja teatër në skenë, do të shkruaja edhe ca libra, do të bija edhe në “burg politik”, -sikundër thonin “për liberalizmin perëndimor” e vetëm kur do delja nga ajo derë e tmerrshme, do të vija edhe në fjalët e Barba Niko Lekës, se qënkisha nxituar në “kokëshkrepjen” time , që “hopa edhe menjëherë në martesë”, jo si ai që pa një herë jetën e botën e pastaj do të “ngulej në martesë”, me hallën time të bukur, që pretendonte shumë e paskëtaj do përfundonte me këtë njeri të mirë, që do na vine edhe dritat shtëpi më shtëpi, në Piqerasin tonë, që ndodhet aq afër Korfuzit, nga bregu përballë. Kur edhe ne u bëmë me drita. Me dritat që Barba Niko Leka na i solli. Por edhe me një dritësim më shumë nga ç’pandehja atëhere, kur ai erdhi në Gjirokastër të më “tërhiqte veshin”, që të mos rrëmbehesha kaq herët..
“Po kur të vijnë mënt si hanë as qentë!”,-i thonë një fjale. Se kur do kthehesha në fshat, për pushime, gjatë viteve ’60 e ca, Barba Nikua qe një nga fiigurat me nderuara për bashkëfshatarët e mi, të cilët nuk e “krrenin nga goja”, jo më për dritat që i solli fshatit e “na shpëtoi nga skotadha”, siç i thonin atëhere errësirës, por edhe dy gjëra të tjera me rëndësi të madhe për jetën e fshatit, që në të kaluarën zbrisnin gjer në Bunec, ngarkuar me thesin mbi shpinë, për të bluar tek mullinjtë me ujë. Ai bëri mullirin elektrik, si edhe kinemanë! Ditën,-ky njeri bluante drithin në mullirin që e shpiku vetë dhe në mbrëmje jepte filma për kooperativistët, me nje aparat kinematografik të dhuruar prej kinezëve, sa i ishte vënë emëri fshatit “Miqësia Shqiptaro-Kineze”… Gjë e rrallë, jo shaka! Dhe sa herë që nuk kishte ndonjë film për të shfaqur, ai ftonte estradën e Sarandës në sallën e përgatitur për këtë punë, pikërisht aty ku bëra unë shkollën fillore… Qe krijuar kështu edhe koha e mundësia tjetër që një Niko tjetër, pra adashi i tij Niko Nino, të përgatiste edhe ndonjë shfaqje estrade me kooperativistët, sikundët e mbanë mënd edhe ime shoqe, Arëza…
Tanimë e ndjeja veten të turpëruar para Barba Niko Lekës, që ishtie kaq i zoti, për gjithçka që i zinte dora e mendja!… Sepse duheshin kaluar edhe 25 vite të tjera për të “provuar”zhgënjimin e habitshëm, se si edhe “shoku i jetës” mund të atrofizohej nga ideologjizma dhe të politizohej jashtë natyrësisë së gjërave reale, kur edhe njeriun normal e të pafajshëm, mund ta bëjë edhe të “fajshëm”, mandej edhe ta quaje “armik”, bile më përtej akuzave absurde, politike, të kohës, duke kërkuar që, bashkëshorti nuk mund të hynte as në shtëpinë e tij, pa një shkresë nga Partia e Qeveria! Dhe po të ishte ende gjallë Barba Nikua, do të kishte qeshur hidhur e do mi bënte “llastikë” veshët…! Jetonim dhe nuk jetonim në atë kohë, kur edhe frika “na mbiu në zemër”!
Po ky njeri qe tepër i saktë, tejpamës, dashamirës, i drejtë, si edhe i pakorigjueshëm ndër vite e dekada. I “miqësuar” edhe me rrymën e tensionin elektrik, po aq sa edhe me njerëzit! Ato tani, instalimet që bëri Barba Nikua, me gjithë rrjetin e shpërndarjes, kanë 72 vite të tejkonsumuara, ndërkohe që dhe fshati është trefishuar e telat mbetën po ato që vuri ai dhe që pastaj iku nga pleqëria, po edhe nga një brengë e madhe. Kjo brengë vinte nga nuk “i priste mendja” atij: nga ai m… televizori që i kishine dërguar nga Greqia të dy vëllezërit me të motrën, që mbetën në “bregun tjetër” dhe që u bë “sebep” ta thërrisnin me urgjencë në Degën e Brendshme të Sarandës, për ta hetuar në ishte, apo jo, i lidhur me “Asfalinë Greke”! Gjeti kështu edhe “belanë e mëpastajme”, sepse nisën ta survejonin si të tillë. Ngaqë edhe, kur i ndërronte stacionet, për të gjetur Tiranën, i delnin edhe stacionet greke e ato italiane e kaq duhej që “gurguleja” të zmadhohej e të bëhej sa një mal. A thua se Barba Niko elekrixhiu nuk qe gjë tjetër, veçse një spiun i dërguar prej “Asfalisë Greke”! Njëfarë “pandehme” që i ishte shtuar asaj “historisë me diversantë”, kur në fshat shkeli këmba “e mallëkuar ” e Golit të Prifte dhe Sigurimi i hodhi hekurat të kunatit, Arsen Priftit, që u arestua dhe u burgos, kur i vëllai i tij, kishte hyrë nga ana e Kasiopit të Korfuzit, natën e errët, pa e marrë vesh askush dhe, pasi mori me vete edhe familjen e tij, ishte sosur në Amerikën e largët. Dhe Arseni i shkretë qe rrahur e torturuar si mos më keq, pa parë e ditur gjë fare, kalbur afo 20 vite burgjeve! Po ç’faj kishte Barba Nikua që rastisi të martohej me të kunatën e këtij njeriu “të rrezikshëm”, që survejohej natën e ditën, se mos kishte edhe ai “gisht në këtë diversion” të mistershëm, si filogrek që ishte?! Ai shihte njerëz të njohur e të panjohur që e përgjonin dhe e ndiqnin, bile që edhe i pyesnin gjithë ata që hynin e delnin nga shtëpia e tij se “ç’farë i tha ai filogreku e ç’farë nuk i tha”?!
Një dava e gjatë kjo që e mërziti shumë këtë njeri babaxhan që shihte vetëm punën e tij, që të fekste fshati nga dritat e të mos ndërpriteshin asnjëherë,-gjë që s’kishte asnjë dyshim që do t’i vinin edhe damkën e “sabotatorit”, për t’i rrëzuar edhe atë vepër që e kishte realizuar me djersën e ballit, jo vetëm si projektues e teknik i atij hidroçentrali të vogël, mandej dhe i atij mulliri me korent, pa përmendur kinemanë e ëndërrur, po edhe si puntor e njeri i palodhur. Ndërkohe që boll e kishte edhe brengën e mbetjes pa fëmije, i ziu njeri, në atë moshë madhore, kur erdhi e u martua me halln time të mirë e shumë të bukur që ne e donim aq shumë. E që prej saj e donim shumë dhe Barba Nikon që na solli po këto drita që kemi dhe sot, që “umur të ketë emri i tij”, edhe atje ku ka vajtur, në “Parajsën e Perëndishme”, ku janë të sigurta edhe nga dy metro vend për të gjithë ne që zihemi me njëri-tjetrin tërë jetën… Qe viti 1988 e “kështjella e gënjeshtrës” po vajisej të binte kur zemra e këtij njeriu të shkëlqyer nuk rrihte më!… Për ta përcjellur “drejt qiellit” do të vinte edhe një “ZOG QIELLOR”, kushëriu i tij i parë Thanas Gjiknuri, piloti i famshëm e njeriu i vetëm që i kishte mbetur Barba Nikos, para se të nisej edhe ai “drejtë qiellit” e pasi e kishte bërë me drita Piqerasin tim e të tijën, pa e trashëguar dot as hallën time të bukur, që e donte me shpirt këtë NJERI TË MREKULLUESHM…
Piqeras, më 19 korrik 2022.
Please follow and like us: