Albspirit

Media/News/Publishing

Natasha Lako: Trokitja e madhe e parë për të hyrë në shtëpinë e përbashkët europiane

Sapo kam marrë lajmin e restaurimit të filmit ‘Tana’, që nuk është vetëm dallendyshja e parë e filmit artistik shqiptar të metrazhit të gjatë. ‘Tana’ si film nënkupton një trokitje të parë në botën e përbashkët ku jetojmë sot, të vajzës që po kërkonte jetën e vet në atë botë ku sot u realizua edhe restaurimi i filmit. Dhe ‘Tana’ është një bashkudhëtare e kësaj bote të përbashkët, pavarësisht se jeta politike komunikon përtej kortinës së hekurt të dy sistemeve të ndryshme. Dhe jeta e vajzës, kërkon sistemin e dashurisë deri në lirinë e trupit, gjë që si asnjëherë më parë trajtohet me forcë në fund të viteve ‘50. Koincidencë apo jo, filmi ‘Tana’, po bën premierën e parë si film i restauruar, kur shqiptarët të kenë marrë edhe lajmin e shumëpritur për t’u nisur në rrugën e mundimshme të një hyrje institucionale brenda komunitetit europian.

Kur Ingrid Bergman xhironte Monikën e famshme, që skandalizonte të gjithë fanatikët e botës në qëndrimin ndaj femrës dhe këtë e bënte në SHBA edhe Billy Wilder, filmi shqipar fatmirësisht dhe ndoshta për rastësi e fillonte rrugën me të njëjtat trajektore kur sapo kishte filluar një rrokullisje gjithnjë e më tepër kërcënuese. Dhe ishte fat i madh që filmi artistik po fillonte me një trajtim pothuajse apolitik, ndryshe me shumë filma që erdhën më pas. Më vjen mirë që Tinka Kurti, po arrin të dëgjojë se ka ardhur momenti të kuptohet më mirë në përpjekjet e saj, si të të gjithë europianëve të sotëm. Sa koincidenca të bukura  kur si ekzotike do të ekzistojë ende edhe fisheku i famshëm i pajës, që ngandonjëherë vezullon edhe sot.

Pranimi në jetën politike shoqërore europiane dhe ligjshmërine e saj, si përpjekje ka filluar e para me artin shqiptar, ku kinematografia i takon e para modernitetit. Dhe me që një personazh si Tana, është krijuar në bazë të modeleve të jetës së vajzave të fshatrave të Korçës, këtyre kryengritëseve të para të lirisë së tyre personale, qoftë të thjeshta dhe të padukshme, nuk uroj të ngremë dolli me raki, por me një gotë birre Korça, për trokitjen e madhe të parë për të hyrë në shtëpinë e përbashkët europiane. Jo vetëm se është verë, por se është prodhimi i parë kapitalist shqiptar, që shoqëroi prodhimet e zemrës, ku e para ka qenë poezia. Gëzuar filmin ‘Tana’ në restaurimin e sotëm me të gjithë restaurimet e tjera, si shenjë e një unisoni që po na çon në Europën e sotme, sigurisht me të gjithë tiparet shqiptare.

Please follow and like us: