Albspirit

Media/News/Publishing

Wildlife: GPS Lejlekëve të zinj të Kamenicës, Kosovë!  

 

Edmond Kaceli

Shënohet kështu i pari rast në Ballkan i vendosjes së sistemit modern GPS në trupin e Lejlekëve të Zinj Të ndalosh kohën! -Një mision i pamundur. Por jo e pamundur të jesh kundër rrjedhës! Të jesh kundër rrjedhës! Të bësh atë që njerëzit e quajnë çmenduri ose thënë ndryshe pasion i çmendur për natyrën e vendit tënd! Emocionuese, unike! -Kështu e kanë quajtur, njëzëri, suksesin e tyre të radhës, aktivistët dhe mbështetësit e organizatës Wildlife Albanian Photographers procesin e vendosjes së sistemit GPS në trupin e Lejlekëve të Zinj që folenizojnë prej disa vitesh në Kosovë! Vetëm pasioni i çmendur mundet me motivu një grup njerëzish idealistë, shqiptarë të Kosovës, të merren me një shpend në rrezik zhdukjeje, dhe mjaft i rrallë jo vetëm në viset shqipfolëse por edhe më gjërë!(Për fatin tonë të mirë idealistë shqiptarë gjinden ende!) Bëhet fjalë për Lejlekun e Zi (Ciconia Nigra) shpend mjaft i veçantë, e i rrallë jo vetëm në trojet shqipfolëse por edhe në Europë! Një çift i Lejlekëve të zinj, prej disa kohësh folenizon dhe shtohet në komunën e Kamenicës, Kosovë! Nisma më e fundit e shoqatës së fotografëve shqiptarë të natyrës së egër ka qenë montimi i sistemit GPS në trupin e lejlekëve të zinj që bujtin në zonën e Kamenicës, si dhe matjet përkatëse morfologjike dhe unazimi, që tregon datën dhe vendin e vendosjes së unazës. Operacioni, për kushtet natyrore të terrenit dhe mangësitë logjistike, ka rezultuar mjaft i vështirë, por ka përfundur me sukses! Ky sukses, sipas Institucionit shkencor prestigjoz gjerman Maks Planck, vendosja e sistemit GPS në rastin konkret, shënohet, si rasti i parë në krejt Ballkanin! Furnizimi i GPS dhe unazave të përshtashme të vendosura në trupin e lejlekëve të zinj është mundësuar nga Instituti gjerman Maks Planc dhe nga Universiteti i Kozencës në Itali. Sipas fotografit dhe dokumentaristit të jetës së egër Arian Mavriqi, ekpi realizues përbëhej nga ekspertët të fushës shkencore prof. Qenan Maxhuni, e dr. Ferat Makolli. Fotografi i natyrës dhe biznesmeni Sefer Susuri, i kudogjendur, edhe financiarisht, në aktivitetet e shoqatës. Të ndihmuar dhe të asisituar, për të shmangur incidentet, nga ekspertët e shoqatës së Kosovës për Shpëtim Milaim Kelmendi, Mentor Maloku dhe Blerton Nuha. Një ndihmë të pakursyer në përmbushjen e këtij misioni dha kompania e mirënjohur Lg Construction Group shpk, me Kujtim Gashin, Leonard Bytyqin, Fatlind Aliaj, e Blend Demiraj. Vendosja e sistemit Gps, një përvojë e njohur në gjithë botën shkencore, shërben për studimin e migracionit të shpendëve, sjelljeve të tyre gjatë migracionit, rrugën që ata ndjekin gjatë procesit, stacionet ku ndalojne, etj duke i ndihmuar shkencëtarët e fushës të arrijnë në konkluzione sa më të sakta shkencore!

Please follow and like us: