Albspirit

Media/News/Publishing

45 vjet nga pushkatimi i poetëve/Në Bërzeshtë tek Vilsoni dhe Genci…

REXHEP POLISI

Kulla emblematike e Blloshmëve në Bërzeshtë të Librazhdit qëndron hijerëndë. Kjo kullë që ka parë mjaft tragjedi i ka rezistuar stuhive dhe furtunave për vite e vite me radhë. Aty nuk jeton njeri qysh prej vitit 1977 kur djali i kësaj shtëpie, poeti Vilson Blloshmi, u pushkatua nga regjimi komunist bashkë me kushëririn e tij, poetin Genc Leka. Kjo kullë që i rezstoi diktaturës, të dielën ka pritur shkrimtarë, poetë, profesorë, gazetarë, familjarë të dy poetëve, në 45 vjetorin e pushkatimit të tyre.
Sot është një ditë e zezë jo vetëm për familjet dhe Bërzeshtën, por për të gjithë Shqipërinë! 45 vjet më parë, dy poetët Genc Leka dhe Vilson Blloshmi u pushkatuan nga regjimi komunist, pas një gjyqi politik farsë me prova të montuara.
Vilsoni dhe Genci ishin kushërinj dhe lindën të dy në muajin Mars. Ashtu siç kishin lindur në të njëjtin muaj, ata patën edhe vrasjen tragjike në të njëjtën natë, u pushkatuan mesnatën e 17 korrikut të vitit 1977. Jeta e tyre u pre në mes nga plumbat vetëm pse kishin lindur poetë.
Vetëm pas ardhjes së Demokaricsë eshtrat e dy martirëve u gjetën dhe u ç’groposën nga vëllai i Vilsonit, Bedri Blloshmi pas kërkimeve të vazhdueshme.
Në fakt përndjekja e tyre nga Sigurimi i Shtetit kishte nisur qyshse kishin lindur për shkak të prejardhjes familjare. Genc Leka ishte mësues, por për probleme të biografisë e çuan të punojë në ndërtim.
Vilson Blloshmi rridhte nga një familje patriotike. Ai fliste frëngjisht në mënyrë të shkëlqyer. Shkruante poezi, por edhe përkthente poetët më në zë francezë.
Blloshmët ishin fisi më i njohur në të gjithë Shqipërinë për shkak të kontributit në çështjen kombëtare dhe nacionaliste. Shumë emra të familjes Blloshmi kishin mbaruar studimet në SHBA, Austri e Fancë dhe kishin dhënë një kontribut të çmuar për çështjen kombëtare.
Ishte përkushtimi dhe këmbëngulja e paepur e Bedri Blloshmit që bëri të mundur zbulimin e krijimeve poetike që i kishte zënë pluhuri në arkivat e Sigurimit të Shtetit, si dhe botimin e veprave të tyre dhe të disa librave të tjerë të shoqëruar edhe me faksimile dokumentash. Pa kontributin e Bedriut, Vilsoni dhe Genci nuk do të njiheshin kurrë si poetë.
Diktatura komuniste i groposi, por dy poetët shkruan pavdeksinë e tyre me poezitë brilante. Poezia “Saharja” e Vilson Blloshmit dhe “Oxhaku” i Genc Lekës, por edhe mjaft poezi të tjera të tyre, janë poezi me vlera artistike të jashtëzakonshme, por faktkeqësisht këto krijime nuk janë futur në tekstet shkollore. Mesa duket edhe regjimi i sotëm nuk i honeps dot këta poetë.
Gjatë qeverisë demokratike dy poetët u përjetësuan në një memorial në qytetin e Librazhdit, një vepër arti me përmasa botërore punuar nga skulptori i njohur, Sadik Spahija.
Shpresojmë se me qeverinë e ardhshme demokratike shtëpia e Vilsonit dhe Gencit do të ktheht në një muze, pelegrinazh për shkrimtarët edhe poetët.
***
Bedri Blloshmi, vëllai i poetit të pushkatuar teksa hedh vështrimit drejt kullës së lartë, nuk i përmban emocionet, ndërsa nis të rrëfejë kalvarin e vujatjeve të fisit të tij. Nga sytë i rrjein ca pika lot teksa tregon përjetimet e tmerrshme natën e pushkatimit të dy poetëve.
Më çuan në një birucë për të mos dëgjuar për të fundit herë zërin e dy poetëve që do të dërgoheshin para togës së pushkatimit. Më kishte rënë të fikët dhe më pas më kishin futur me forcë një ilaç në gojë dhe jam pëmendur të nesërmen në mëngjes. Te koka po më rrinte kushëriri im, Rustem Dashi. Ai më tregoi: “Atë natë Vilsoni nuk hëngri edhe pse iu luta, pasi i kishte ardhur ushqim nga familja. Kur e nxorën nga biruca duart të lidhura me një litar, Vilsoni bëri një gjysëm hapi, u ndal, u kthye nga unë dhe më tha: Rustem do të lë një amanet, se ti do dalësh më shpejt nga burgu se Bedriu. Ti e pe gjyqin si u bë e, si vajti. Unë s`kam pranuar asgjë pasi nuk bëra asnjë krim. Thuaju në shtëpi se nuk i turpërova”.
Më tje ai tregoi se si kur kishte gjetur dhe çgroposur eshtrat e dy poetëve në një përrua ku gjatë gërmimit me duar kishte gjetur një plumb mesa dy kafkave të dy poetëve.

Për një momnet pllakos heshtja, dëgjohej vetëm zëri i çjerrë i gjinkallave në pemët e gjelbërta rreth kullës. Heshjtja u thye nga zëri i aktores Klea Konomi Rondo me vargjet për “Saharënë” e Vilsonit, më pas “Oxhkun” e Gencit.

Emocione përcolli për të pranishmit e shumtë profesori, Sadik Bejko. Ai tha se, nuk është hera e parë që vjen nën hijen e mureve të kësaj Kulle. 45 vjet ka që në të nuk banon njeri. Dhe muret e saj nuk rrëzohen. Kjo është një kullë emblematike. Kulla e njerëzve që i rezistuan diktaturës. Paguan me gjak, me plumb, me burg dhe internim. Dhe muret e saj nuk u rrëzuan. Kulla e rezistencës ndaj robërimit komunist.
Genc Leka dhe Vilson Blloshmi kanë qenë dy poetë, dy njerëz të talentuar, njerëz me kërshëri intelektuale dhe me kurajë të lartë morale për të përballuar fatin e keq. Për shkak të përndjekjes politike, të përjashtimit nga jeta kulturore, ata u penguan t’i zhvillojnë talentet e tyre.
Krijimtaria e tyre u sekuestrua, u përpunua në zyrat e Sigurimit dhe u përdor si akuzë në gjyq kundra tyre dhe pas pushkatimit ka qenë e varrosur në arkiva deri në ditën që u botua. Në historinë e letërsisë shqipe ky është një rast unikal. Me zbulimin e materialeve nga Sigurimi i shtetit del se ata që nga viti i dytë i shkollës së mesme e deri kur u burgosën, janë përndjekur si të dyshuar për kundërshtarë të regjimit.
Poezia e Genc Lekës kryesisht është e përshkuar nga lirizmi e personalizmi. Ka edhe pak poezi mbi luftën, mbi shkollën. Kryesisht ai është një lirik i natyrës dhe i intimes. Vilson Blloshmi është tragjik dhe dramatik në frymëzimin e tij, Genc Leka është elegjiak dhe i brishtë.
Vilson Blloshmi është poet i temave ekzistenciale, i trishtimit shkallmues, me një gjuhë të ngritur, me tone të ashpra. Genc Leka ka qenë poet i vargut të rregullt e të matur, i toneve të buta. Genc Leka nuk e ka zhvilluar talentin e vet poetik, ai u është përkushtuar më tepër studimeve. Si studiues ka treguar pasion e përkushtim, ka punuar si autodidakt për formimin e vet për të qenë në nivelin e kërkesave të punës shkencore. Puna e tij shkencore është vlerësuar nga drejtuesit e Institutit të Gjuhësisë.

Profesori Bardhosh Gaçe u shpreh se, është një rast i veçantë në botë që të pushkatohen dy poetë për poezitë e tyre. Vilson Blloshmi e Genc Leka u pushkatuan nga regjimi sepse ishin poetë të dashuruar me lirinë. Poezitë e Vilsonit dhe Gencit janë poezi të një niveli të lartë artistik. “Saharaja” është poezi emblematike që sigmatizon diktaturën.
Sot është një ditë homazhi për dy poetët Vilson Blloshmi e Genc Leka. Ne jemi i vetmi vend në botë që ka dëshmorë për gjuhën shqipe. Poezitë e tyre janë emblematike për stilin dhe emblemazimin.
Ai tha se, nuk duhet të harrojmë se Blloshmi rridhte nga një familje nacionalistë ku të parët e tij kishin kontribuar në çështjen Kombëtarte.

Beqir Sina, gazetar në Nju Jork, SHBA tha se, aktivitete të tilla sot janë mëse të nevojshme, sidomos kur bëhet fjalë për dy poetët e pushkatuar, ndërkohë që amenti i tyre ende nuk është përmbushur. Shqipëria është i vetmi vend në botë që ka tre poetë të pushkatuar dhe një të varur në lirat, ndërkohë që me ardhjen në pushtet të presekutorëve kemi të bëjmë me një pushkatim të dytë…

Poeti Izet Duraku u shpreh se, ndërsa shtohet nderimi për poetët e martirizuar strukturat shtetërore mbeten të shurdhëra për 30 vjet para kërkesës për përfshirje të krijimtarisë së tyre në tekstet shkollore.
“45 vjet më parë u ekzekutuan brigjeve të Shkumbinit poetët Genc Leka e Vilson Blloshmi. Si provë krimi regjimi komunist ruajti poezitë e tyre. Kur vijmë në Bërzeshtë, në vendlindjen e tyre, ndjejmë nevojën të kujtojmë, tu biem këmbanave të kujtesës që tirania të mos na mbështillet si lak për qafe, që e ardhmja të jetë më e mirë për të gjithë. Akademikët, profesorët, poetët duhet të shfaqen kokulur përderisa poetët martir të mos jenë futur në librat e leximit nga fillorja deri në universitet. Ndërsa politikanëve u duhet kërkuar arsyeja e mospranise së dëshmorëve të fjalës së lirë në sistemin arsimor”, tha Duraku.

Poeti dhe gazetari Jaho Margjeka ndër të tjera tha se, kjo shtëpi e Blloshmëve është e bukur edhe tani, pasi këtu ka jetuar, ka shkruar poezi dhe ëdërruar Vilsoni, por do të duhej të bëhej edhe më e bukur nëse, shteti e shoqëria të vinin dorë, ta restauronin dhe kështu të shndërrohej në një muze të gjallë dhe vend pelegrinazhi ku brezat të mësonin se sakrificat për lirinë kërkojnë në çdo kohë martirë edhe poetë, si Vilson Blloshmi e Genc Leka.

Shkrimtari Çerçiz Loloçi tha se, Vilson Blloshmi dhe Genc Leka janë personalitete që janë shndërruar sot në simbole të pashmangshme që nderohen brenda dhe jashtë vendit
“Së pari të vjen ndër mend se Blloshmi dhe Leka, këta dy personalitete janë shndërruar sot në simbole të pashmangshme që nderohen në jug e veri, brenda dhe jashtë vendit.
Së dyti, nga krijimtaria e tyre dhe nga librat dokumentarë, përfshi edhe dosjet formulare, të sjellura nga një këmbëngulje e pangjashme e Bedri Blloshmit, ndryshe nga çfarë është thënë për mbi 40 vjet për justifikimin e krimit, kuptohet qartë se ata janë dënuar nga kupola më e lartë e partisë dhe e shtetit, janë poetë të vrarë nga shteti, përfshi edhe segmente të tjera që nga dega e brendshme, hetuesit, ekspertizuesit, denoncuesit e rremë, për fat të keq edhe pjestarë nga këto dy familje.
Si një kontribues modest në sagën e Blloshmëve dhe sidomos në ndriçimin e së vërtetës së dy poetëve të pushkatuar, ndihem i lehtësuar që ata tashmë janë në altarin e përkujtimit të gjithkahshmëm dhe me një apel të përsëritur që pjestarët në këtë krim të llahtarshëm një ditë do të shkojnë para drejtësisë”.

Po ashtu foli edhe kryetari i Shoqatës Antikomuniste të Ish të Përndjekurve Politikë Demokratë, Et’hem Fezollari, historiani Alfred Duka, si dhe famijarë të Vilsonit e Gencit.
***
Kulla e Blloshmëve ndodhet në krye të fashatit Bërzeshtë. Nga veranda e kullës shquhet i gjithë fshati, shtëpitë e ulëta dhe gjelbërimi deri në Shkumbin. Mbi Kullën lart në kodër shihet një gurë më i lartë se të tjerët. Bedriu na thotë se, ky quhet Guri i Gjatë. Këtu vinte Vilsoni herë pas here dhe i binte kitarës. Aty gjente qetësinë dhe lirinë e munguar…
Largohemi nga Bërzeshta me shpresën se një ditë kulla emblematike e Blloshmëve do të kthehet në muze…

45 vjet nga pushkatimi i poetëve/ Në Bërzeshtë tek Vilsoni dhe Genci…

Please follow and like us: