Prof. Lutfi ALIA: POETJA ARBËRORE LUÇIA ALBANI (1534 – 1568)
Kapedani arbëror Mikel Laçi, në vitin 1468 emigroi në Urbino, ku u prit nga familja e kontit Federiku III i Montefeltro (1422 – 1482). (Stefano Andretta, Clemente XI, in Dizionario biografico degli italiani, XXVI, Roma, Istituto dell Enciclopedia Italiana, 1982). Dy djemtë e Mikel Laçit, Gjergji dhe Filipi ishin në shërbim të Françesko Della Rovere, duka i Urbino, që mori drejtimin e dukatit pas vdekjes të Guidobaldo Montefeltro (1472 – 1508), i cili nuk la trashëgimtar. Në vitin 1508, duka Françesko Della Rovere ua ndryshoi mbiemrin nga Laçi në Albani, për të theksuar origjinën e tyre albaneze. (Pompeo Litta, Della Rovere di Savona, in Famiglie celebri italiane, vol. 12, Milano, 1834). (Gianluca Montinaro. Fra Urbino e Firenze. Politica e diplomazia nel tramonto dei Della Rovere 1574-1631, Edizione Leo S. Olschki, Firenze 2009).
Me fëmijët, nipat dhe mbesat e Gjergjit dhe të Filipit, dinastia Albani vazhdoi të përfaqësohet me figura të shquara në historinë e Italisë, ndër të cilët Papa Klementi XI; tetë kardinalë në vitet 1570 – 1801, poetja Luçia Albani (1534 – 1568); një senator i periudhës monokratike (1624) dhe me 4 princa Albani në vitet 1721 – 1852.
Luçia Albani (Vepër e e vitit 1558, e piktorit Giovan Battista Moroni. Në pronësi të Klaudio Albani).
Gjergj Mikel Albani kishte dy djem, Altobelli dhe Hanibali. Altobelli kishte një djalë Gian Girolamo Albani (1508 – 1591); ndërsa Hanibali (1530 – 1581) kishte dy djem Karlin dhe Oracio (1576 – 1653). Karl Albani (1623 – 1684) i martuar me markezen Elena Moska, kishte djal Giovanni Françesko Albani – Papa Klementit XI. Oracio kishte një vajzë Xhiulia dhe dy djemë, i madh Hanibali ishte kardinal dhe Prefekti i Bibliotekës së Vatikanit (Pompeo Litta Bumi, Della Rovere di Savona, in Famiglie celebri italiane, vol. 12, Milano, 1834).
Djali i Altobellit, Gian Girolamo Albani, politikan, jurist dhe kardinal, u vendos në Bergamo. Ai u martua me finsiken veneciane Laura Longhi dhe lindën shtatë fëmijë, katër djem dhe tre vajza. Në vitin 1534 lindi Luçia Albani, të cilës i dhanë emrin e gjyshes nga nëna. Në vitin 1540 vdiq nëna Laura, që vuante nga tuberkulozi. Gian Girolamo Albani u detyrua t’i dergoi fëmijët në Venecia te gjyshat nga nëna, ku ata ndoqën shkollën e Giambattista Ramnusio, ku jipte mësime breshiani Giovita Rapicio, latinist dhe gramatik italian.
Luçia Albani në përfundim të arsimimit në Venecia, në moshën 15 vjeçe iu dedikua krijimeve të para poetike, me poezi të thurura në dialektin venecian dhe në latinisht.
Në moshën 16 vjeç, Luçia, pjestare e familjes fisnike Albani, kjo vajzë e bukur dhe e shquar për dhuntitë intelektuale, poetesha e suksesshme e me famë, ishte bërë më e njohur se poetesha tjetër bergamaske, fisnikja bashkëkohore Isotta Brembati (1530 – 1586).
Lucia Albani në vitin 1550, u martua me kontin Faustino Avogadro (1529 – 1564) dhe pas martesës u vendosën në Breshia e nga kjo kohë mori dhe mbiemrin Avogadro. (Bortolo Belotti, Storia di Bergamo e dei bergamaschi, 6 vol. Bergamo, Banca Popolare di Bergamo-Poligrafiche Bolis 1959) (Giovanni Cremaschi, Albani Giovanni Gerolamo, in Dizionario biografico degli Italiani, I, Roma, Istituto della Enciclopedia italiana 1960).
Krijimtaria poetike e Luòia Albani u njoh dhe u vlerësua në mjediset breshiane. Sonetet e saj recitoheshin në sallonet e fisnikërisë breshiane, madje e pranuan antare në “Accademia degli occulti” të Breshias, ku me dinjitet dhe personalitet shprehu formimin e saj si poete dhe me diskutime në fushën e filozofisë, si e kanë theksuar biografët dhe kritikët e shumtë letrar, që kanë analizuar krijimtarinë e saj poetike dhe shoqërore.
Poezitë e Luçia Albani janë lirika që shprehin ndjeshmëri dhe frymëzim neoplatonik, të përqëndruara në meditime mbi dashurinë, si mjet i shprehjes të ndjenjave me vargje të rimuara, sidomos në sonetat, që ishin krijimet kryesore të saj. Krijimet poetike të Luçia Albani u vlerësuan nga poeti Girolamo Ruscelli, i cili përshiu dy nga sonetat e saj, në “Antologjia e poetëve breshianë” e botuar në vitin 1553. Luçia e bukur, fisnike, e mençur dhe plot dinamizëm dhe entusiazëm rinor, në moshën 16 vjeçe u shqua si poete me krijime të shumta sidomos me sonetat. Në vitin 1553, Luçia zgjodhi 31 soneta dhe i bototi në veprën e parë poetike me titull “Rime”.
Kopertina e librit “Rime di Lucia Albani”, e botuar në Bergamo në vitin 1903 nga Arnaldo Foresti.
Krahas vlerësimeve nga Girolamo Ruscelli dhe poeti, shkrimtari, dramaturgu dhe filozofi Turkuato Tasso shprehu vlerësime për krijimtarinë poetike të Luçia Albani, madje në vitin 1568 i dedikoi një sonetë të bukur.
Vepra e parë “Rime” është ribotuar disa herë, e shoqëruar me analiza dhe me komente nga kritikët letrar si nga Arnaldo Foresti me parathënien e botimit në vitin 1903 të veprës “Rime di Lucia Albani”; ku thekson se këto poezi janë thurur kur Luçia ishte 15 – 16 vjeçare. Krijimtaria poetike e Luçia Albani është analizuar dhe prezantuar në studime të shumta si nga L. Gavarini, me tezën e laurës: “Luçia Albani poetesha bergamaska”, prezantuar në Universitetin Shtetëror të Milanos në vitin 1966 – 1967; nga Elisa Plebani Faga në vitin 1993 me studimin “Lucia Albani, poetia bergamaska e viteve pesëqind”, nga Elena Kominelli në studimin e vitit 2001 “Përmbledhje lirikash të Lucia Albani Avogadro”, nga Monica Bianko në studimin e vitit 2004 “Lucia Albani Avogadro, në një mijë vite letërsi breshiane” etj. etj.
Poezitë e Luçia Albani përshkohen nga një fill filozofik, i shprehur në vargjet e sonetave për dashurinë, me tema neoplatonike të transfigurimit mistik të dashurisë, një formë shprehje filozofike me vargje me rimë, që në ato vite ishin të modës në trevat e Italisë veriore, me të cilat Luçia ishte njohur dhe në “Accademia degli occulti” të Breshias. Girolamo Ruscelli, e renditi Luçia Albanin ndërmjet poetëve të shkëlqyer, andaj zgjodhi dy soneta për antologjinë me krijime nga poetët breshianë, vepër që u botua në Venecia në vitet 1553 dhe 1554. (Girolamo Ruscelli. Rime di diversi eccellenti autori bresciani:le ragioni di un'antologia Venezia: per Plinio Pietrasanta, 1554. Pagine 56 – 57).
Një fragment nga soneta e Luçia Albani, botuar në “Antologjia e Poetëve Breshianë”, të G. Ruscelli.
……………………………………………………………………..
Në se ti fat mizor ende nuk je nginjur,
duke i ndrydhur çdo orë dëshirat e mia,
të mbushura me dhimbje dhe therore,
përsëri kundër meje i ke mbledhur forcat,
por nuk ma fshive kurrë dashurinë nga mendja ime,
që më parë qante dhe psherëtinte,
ndërsa tani do të ngrihet në qiell,
aty do të lëvizin yjet dhe do të ndrisë dielli,
se dashurinë e kam zgjidhur nga zinxhirët,
me të cilët ti ma kishe marrë
e ma kishe lidhur zemrën …
……………………………………….
Në një letër të 1 qershorit 1560, Giovanni Matteo Bembo (nipi i Pietro Bembo) shkruan: “Luçia ishte e bija e kavalierit Albano, e martuar me kavalierin Faustino Avogadro, ishte vajzë e re, e bukur, e sjellshme, shpirtmirë dhe fisnike, ishte me plot virtyte, e dashuruar me poezitë në italishte vulgare, në latinishte dhe në shkrimet historike. Unë i kam lexuar me shumë kënaqësi vargjet e saj të thurura me ëmbëlsi dhe mençuri. I jam mirënjohës, që pata kënaqësinë ta takoj në martesën e bukur”. (Giovanni Matteo Bembo. Delle lettere di principi. 1 giugno 1560).
Poeti, shkrimtari, dramaturgu dhe filozofi Turkuato Tasso, në vitin 1568 i dedikoi Luçia Albani një sonetë ku shprehet me figura letrare dhe me metafora të bukura, duke përdorur mjeshtërisht shkurtimin e mbiemërit Albani, në Alba – agu, duke e cilësuar Luçien si bukuria e agut, si aurora dhe si agimi i ndritshëm i ditës të Romës së shenjtë.
Soneta e Torkuato Tasso, dedikuar Luçia Albani:
O dritë me rreze qielli kaltërosh,
me shpirtin e dlirtë dhe dy sy të bukur shkëlqimtarë,
mes trëndafilave ngjyre të kuqe gjaku dhe luleve,
shoh në fytyrën tënde majin e lumtur,
dritën e ëmbël, që nuk pranon poshtrim,
shoh kohën dorështërnguar, të kthyer në shkëlqim,
në titujt shoh madhështinë dhe stolitë shkëlqimtare,
ti ke shigjetuar në qiellin sublim udhëtimin në lartësi,
serioz o Brembo për ty jo vetëm ndrit,
por në se kohët e vjetra i vështron,
më duket se Roma shkreptinë në Alba
aq shumë më dhëmb, rëndohet dhe vonohet
të lavdëroj, të këndoj o drita ime e kthjellët,
je me të vërtetë dielli, aurora dhe Alba.
Jetesa e lumtur e Luçies me Agostino Avogadro, në vitin 1563 u trondit nga një ngjarje dramatike, ku u implikuan i ati Gian Girolamo Albani, vëllezerit (Giovan Domeniko, Giovan Francesko dhe Giovan Battista Albani), në bashkëpunim me Agostino Avogadro dhe Manfredo Landi. Gjatë meshës në kishën e Shen Maria në Bergamo, ata vranë Akile Brembati. Pas kësaj ngjarje, Giovan Domeniko dhe Manfredo Landi u arratisën, ndërsa i ati, dy vëllezërit dhe Agostino Avogadro i internuan në Ferrara. Luçia Albani shkoi në Ferrara pranë bashkëshortit, por dhe aty e ndoqi një fatkeqësi, që e lëndoi rëndë shpirtërisht. Në vitin 1564, bashkëshorti i saj Agostino Avogadro, vdiq pasi u rrëzua aksidentalish nga ballkoni i shtëpisë. E mbushur me dhimbje dhe me lot dëshprimi Luçia u kthye në Breshia, ku vdiq në vitin 1568, nga ftizi, e njëjta sëmundje, që kishte vuajtur dhe nëna e saj. Luçia Albani, poetja e shquar arbërore, u nda nga jeta në moshën 34 vjeçe, në kulmet e krijimtarisë poetike.
Nuk kishte fëmijë, por ka lënë trashigim veprën e saj poetike, që vlerësohet dhe nderohe dhe në ditët e sotme.