Albspirit

Media/News/Publishing

Hashim Thaçi njeriu që e luftoi Vendimin e GJND-së, më shumë se vet Serbia!/Takime sekrete me Vuçiqin dhe ftesa për Putinin

 Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) 12 vjet më parë, i dha goditjen fatale Serbisë dhe Rusisë, spekulimeve të tyre se kinse Shpallja e Pavarësisë së Kosovës u bë në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.
Vendimi i GJND-së, u bë njëri nga vendimet historike më të përzemërta për Kosovën dhe shqiptarët.

Por, një pjesë e madhe e opinionit shkurtpamës, nuk e kuptuan kurrë se pse Hashim Thaçi dhe akterë të tjerë politik, sikurse orvatet edhe sot Edi Rama në Shqipëri, që ta bëjnë të pavlefshëm atë dokument fundamental botëror.

Ai dokument është aq i rëndësishëm, sa që edhe spekulimet e diktatorit Putin, pas invadimit të Ukrainës, që ta krahasonte rastin e Kosovës, me krahinat nën pushtimin rus, duke tentuar ndarjen e tyre në emër të shumicës ruse, kanë marrë përgjigje të fortë nga diplomacia botërore dhe ekspertët e të drejtës ndërkombëtare.

Pa atë vendim të GJND-së, mendoj unë, në rrethanat e krijuara nga pushtimi rus i Ukrainës, rasti i Kosovës do të ishte abuzuar rëndë nga Rusia, por edhe nga vende si Kina dhe shtete tjera mike të serbëve.

Por, Vendimi i GJND-së, e ka mbyllur njëherë e përgjithmonë debatin, për të drejtën e shqiptarëve të Kosovës për shtet. Rastet tjera, do të shqyrtohen në të ardhmen nga diplomacia ndërkombëtare.

Kosova ishte e kërcënuar

Atë që po dështonin ta bënin Rusia dhe Serbia, fatkeqësisht jemi dëshmitar se për disa vite rresht nga viti 2016 e deri në shpalljen e aktakuzës ndaj Hashim Thaçit nga gjykata speciale në vitin 2020, jo vetëm Vendimi i GJND-së, por edhe tërë Kosova ishte e kërcënuar.

Kurrë më afër zhbërjes së Kosovës si shtet, dhe humbjes edhe të një pjese të territorit, nuk kemi qenë.

Këtë dramë, po mundohen ta zhvillojë Edi Rama, në saje të pagesave multimilionëshe, e mbase me qindra, nga krimi i organizuar që e udhëhiqte Thaçi dhe Veseli, nga vetë ata dhe ish-strukturat e SHIK-ut,

Hashim Thaçi, veçmas në detyrën e Presidentit të Kosovës, çuditërisht u bë njeriu që e luftoi më së shumti Vendimin e GJND-së, veçanërisht me qasjen e tij për ‘korrigjim kufijsh’!

Por, para kësaj, Hashim Thaçi në detyrën e kryeministrit të Kosovës, kishte pranuar një Projektrezolutë, e cila më pas, me 10 shtator të vitit 2010, u miratua si Rezolutë e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, në të cilën, pranohej të bisedohej për “çështje jetike të serbëve”. Kjo frazë e papërcaktuar, paraqet substratin e të gjitha ideve radikale, që rrezikojnë subjektivitetin shtetëror të Kosovës.

Pavarësisht që edhe Rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme, e njihte Vendimin e GJND-së, ajo nuk ka karakter të njohjes së detyrueshme, aq sa shtetet kundër Kosovës, si Rusia, Kina, Brazili etj, aty për aty e shprehen kundërshtimin e tyre, edhe për Shpalljen e Pavarësisë së Kosovës.

Kur, të gjitha këto përpjekje të tij nuk mjaftuan, Hashim Thaçi &co duke shpresuar në arritjen e pafajësisë, me shkatërrimin ligjërisht të gjykatës speciale, ai iu kthye një dialogu sekret në partneritet apo i mbështetur në relacionin Moskë-Beograd, duke e vënë krejtësisht në rrezik ekzistencën e shtetit të Kosovës.

Kjo mbështetet në deklarimet e tij edhe në takimin me autokratin Putin, dhe takime të pareshtura me presidentin serb Vuçiq, disa prej tyre sekrete, në qendra europiane si në Romë dhe të tjera.

Për të arritur pafajësinë, madje përtej çdo dyshimi, për t’ia garantuar në tavolinë, ai shkoi edhe më tej: Ndërtoi projektin e faljes së një pjese të territorit të Kosovës Serbisë, e cila e vetëdijshme se ka gabuar me Millosheviçin, i cili e humbi përfundimisht tërë Kosovën, i qe rikthyer para vitit 2010 idesë për marrjen e një pjese të territorit të Kosovës.

Thaçi pat dalur publikisht me tezën e rrejshme se Leposaviçi është dhuratë e Rankoviçit, për të ‘argumentuar’ kështu tezën serbe se veriu është i Serbisë, dhe që sipas mbështetësve të pseudohistorianëve serb, ai kurrë s’ka qenë i Kosovës.

Thaçi madje pat shkuar aq larg, sa në një takim në Paris me 12 nëntor të vitit 2018, i pat kërkuar autokratit Putin, miratimin e tij, për marrëveshjen që ai e pretendonte me Serbinë, përkundër kundërshtimit tonë të fuqishëm, që të mos copëtohet Kosova!

Thaçi madje e kishte ftuar Putinin që ta vizitonte Kosovën!

Këto qëndrime të Thaçit, dhe mbështetjen që ia jepte Shqipëria, jo vetëm se e bllokuan procesin e njohjeve të Kosovës, por bën që disa vende nën ndikimin e fuqishëm të diplomacisë dhe lobimit serb e rus, të ndryshojnë qëndrim për Kosovën.

Që atëherë nga viti 2018 Kosova vetëm një njohje e ka marrë nga Izraeli, që ishte shkak i marrëveshjes së Uashingtonit, ndërsa e parafundit ka ndodhur me 15 shkurt 2018 nga Barbadosi, dhe dy të tjera në vitin 2017 nga Singapori e Bangladeshi. Sipas faqes zyrtare të Ministrisë së Jashtme figurojnë 117 njohje.

Qasje të gabueshme kishin edhe të drejtues të tjerë të shtetit, përfshirë Ramush Haradinajn, i cili në një moment të caktuar propozoi që të mbahej një konferencë ndërkombëtare, të cilën e kundërshtuam fuqishëm.

Një konferencë e re nënkuptonte rrezikun për hapje të diskutimeve për statusin e Kosovës, në kohën që tashmë Kosova kishte vite që i kishte përfunduar disa procese thelbësore si:

a. Bisedimet në Vjenë, që rezultuan me pakon Ahtisari,

b. Vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND)!

c. Bisedimet në Bruksel (nga 2010-ta), nën udhëheqjen e Bashkimit Europian, ku institucionet e Kosovës i kanë bërë të gjitha lëshimet e mundshme në favor të Serbisë!

Çfarë konference mund të kishte aq autoritet sa t’i tejkalojë vlerat e Vendimit të GJND-së dhe të bisedimeve të udhëhequra nga Bashkimi Europian?
Në një valle të tillë po luan tash Edi Rama, duke marrë arbitrarisht ‘kompetenca’, pra në kundërshtim me autoritetet më të larta të Kosovës, dhe me vullnetin tonë! Gjithnjë duke mos e fshehur asnjëherë vullnetin e tij, për t’i shërbyer Serbisë!

Të gjitha këto kanë një kuptim origjinar si përpjekje, të një tabori antishqiptar!

Vendimi i GJND-së

Vendimi i GJND-së, është i përbërë nga pesë pjesë, që argumenton të drejtën e kësaj gjykate për ta vendosur çështjen.

Pjesa e dytë është miratim i të drejtës së parashtruesit të pyetjes, në këtë rast, megjithëse parashtrimi i kërkesës ishte bërë nga Serbia, ajo u bë nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, duke vlerësuar po ashtu qartësinë e pyetjes, “nëse shpallja e Pavarësisë së Kosovës nga një IPVQ-të ishte në përputhje me ligjin ndërkombëtar”.

Pjesa e tretë shqyrtonte procesin e rrugëtimit historik dhe juridik të Kosovës, në mënyrë të veçantë nga viti 1974, kur Kosova ishte vend autonom, brenda sistemit federativ të ish-Jugosllavisë, abrogimit të dhunshëm të autonomisë nga Serbia, krijimit të shtetit paralel, luftës, ndërhyrjes ushtarake të NATO-s, vënien e Kosovës nën kontrollin ndërkombëtar të OKB-së, civil dhe ushtarak, funksionimin e tyre sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit, si dhe Rregulloreve të shpallura nga Shefi i UNMIK-ut.

 Në pjesën e katërt GJND-ja, konkludon se nuk kishte kufizime, nga autoritete të UNMIK-ut, Rezoluta 1244 apo nga Korniza Kushtetuese, që do të mund ta pengonin Shpalljen e Pavarësisë së Kosovës me 17 shkurt 2008.

Pjesa e fundit, e pesta përmbyllet me mendimin e GJND-së se me miratimin e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, nuk është shkelur e drejta e përgjithshme apo ligji ndërkombëtar.

Presidenti i Gjykatës Owada Hisashi në një dëgjim publik brenda në Pallatin e Paqes në Hagë.Vendimi u mor me 10 vota për dhe 4 kundër, si dhe një abstenim.

https://www.botasot.info/aktuale-lajme/1844599/hashim-thaci-njeriu-qe-e-luftoi-vendimin-e-gjnd-se-me-shume-se-vet-serbia-takime-sekrete-me-vuciqin-dhe-ftesa-per-putinin/?fbclid=IwAR17zBaLMklgF9859dYeUltzNInDITfVOIw2x_B2_gp649ae5nfUhCr-xHM

 

Please follow and like us: