Albspirit

Media/News/Publishing

Luan Rama: Marlene Dietrich dhe divani i “Engjëllit blu”

Pikërisht atë ditë, në kthim, do të risillja në mendje Engjëllin blu, Morocco (Zemrat e djegura) e Josef von Sternberg, apo Shanghai Express, filma që i shikoja në fillimin e viteve ‘80 në vitet e kulmit të diktaturës, në atë sallë të vogël dhe të errët të arkivit të filmit në Kinostudio, ku me Abaz Hoxhën, drejtorin e arkivit, pasioni për historinë e filmit na bashkonte shumë. Aty shikonim Metropolis të Fritz Lang, filmat e Sternberg, krijimet e amerikanit David Grifith, filmat e George Pabst, Lubitch, Murnau, Iluzionin e Madh të Renoir, ekspresionistët apo filmin Extase, një poemë erotike kinematografike amerikane në bazë të poemës të Viçeslav Nezval, aq të dashur për mikun tim Gëzim Erebara. Të duket e paimagjinueshme që pikërisht në një kohë të tillë dhe në një “zonë të ndaluar” ne shikonim Engjëllin blu dhe ata filma “kapitalistë, “imperialistë”, të papajtueshëm për artin e realizmit socialist. Engjëlli blu me Marlene Dietrich ishte filmi im i parapëlqyer. Më pas kisha shkruar një shkrim në revistën Skena dhe Ekrani, por unë nuk e dija se në një farë mënyre, aktoren mitike Marlene Dietrich do ta takoja sërish. Jo pse thjesht poeti francez dhe miku i afërt i Kadaresë, Alain Bosquet, më dhuroi librin që sapo kishte botuar për të Dietrich, un amour par téléphone (Dietrich, një dashuri përmes telefonit), një libër – dialog e me kujtime, një bashkëbisedim i gjatë mes tyre për artin e kinemasë, për lojën e aktorit, personazhin, mitin dhe lavdinë, si dhe me konfidenca mbi dashurinë, jetën dhe vdekjen, një libër pra i mbushur me copëza bisedash gjatë pesëmbëdhjetë vjetëve të fundit të jetës së saj. Në maj të vitit 1992, siç e shkruan edhe në librin e tij, Bosquet kishte botuar për të një poezi të titulluar Requem pour Marlene Dietrich, ku ai kishte shkruar:
Zonjë
Ti je fisnikja e padukshme e dëshirës
Zonjë, në sajë tuaj, midis vdekjes e legjendës
Koha nuk ka kohë të bëhet vetë koha! …
Ajo që më kishte bërë përshtypje në jetën e saj parisiane, ishte dhe një objekt personal i saj, një divan ku ajo kaloi një dhjetëvjeçar mbi të dhe pjesën e fundit të jetës: divani i sallonit të saj. Dhe shkas për këtë ishte Norma Bosquet, gruaja e poetit dhe kritikut Alain Bosquet, të cilët për herë të parë i kisha takuar në një ekspozitë të piktorit impresionist Toulouse-Lautrec në Grand Palais të Parisit. Ishte Kadareja që më prezantoi. Dhe një miqësi e bukur lindi mes meje dhe Normës, çka do të më kujtonte mes të tjerash dhe Marlen Ditrish.
Më kujtohet mirë ajo ditë kur ne e përcollëm në varrezat e Montmartre mikun tonë Alain Bosquet, i cili vdiq gjashtë vjet më vonë se Marlene. Ndiqnim Normën, gruan e tij amerikane, që ai e kishte njohur në Berlin, kur punonin në zyrat ushtarake të NATO-s dhe të ushtrisë amerikane në Berlinin perëndimor. Më pas ata kishin ardhur në Francë. Pas vdekjes së Alain, në një nga takimet tona në shtëpinë e saj, kur ra fjala për librin e Marlenës, ajo më tregoi se pothuaj dy dhjetëvjeçarë ajo kishte jetuar bashkë me aktoren Ditrish, si një sekretare e guvernante në apartamentin e saj, pikërisht në Avenue Montaigne, atje ku më parë vinte dhe e takonte i dashuri i saj francez, aktori i famshëm Jean Gabin. Norma kishte qenë shumë e afërt me të dhe dinte gjithçka të saj që nga viti 1977 kur ajo u angazhua pranë saj si sekretare. Pa dyshim që kjo lidhje e saj më entuziazmoi, por kur ajo më tha një ditë se divani ku isha ulur kishte qenë divani ku pothuaj një pjesë të madhe të kohës rrinte Marlen Ditrish, kjo padyshim më tërhoqi shumë. Po, atje ishte shtrirë Engjëlli blu. Ajo ia kishte dhuruar atë Normës para se të vdiste, para se të helmonte veten (me ilaçe, dy ditë pas hemorragjisë cerebrale) siç do ta zbulonte këtë fakt të panjohur Norma në librin e saj me kujtime për Marlen Marlen Ditrish – sekretet e fundit. Atje, mbi atë divan, e mrekullueshmja Marlen kishte qëndruar me orë të tëra, me ditë, muaj dhe vite, me atë trishtim që i rëndonin gjithnjë e më shumë qepallat, sytë, e tërhequr nga bota, nga njerëzit … “Ah, sytë e saj, – më tregonte Norma, – duart e bukura të saj me atë lëkurë të bardhë e transparente. Ajo ishte gjithnjë e bukur, me ato këmbë të gjata për një grua tepër të shkurtër si ajo …” Ndërsa në librin me kujtime për të, Norma shkruante: “Në vitin 1977, kur e takova për herë të parë Marlen Ditrish, më kapi një emocion që nuk m’u shqit asnjëherë, edhe pse unë isha e pranishme në rënien e saj fizike deri në vdekjen e saj. A nuk ishte ajo hyjnia më tërheqëse me të cilën ishim mësuar në sallat e kinemasë dhe të music-holl? E megjithatë, ajo ende kishte një sharm prekës me ato sytë e saj blu, me transparencën e lëkurës dhe atë zë aq të pastër dhe tronditës për të gjithë, zë i cili e kishte kthyer atë gjithashtu në një idol. Sapo ajo fliste, ti dëgjoje Engjëllin blu, dëgjoje Ich eine Kunstlerin! (Unë jam artiste!) … Ishte habi e madhe të zbuloja atëherë atë grua me një trup të vogël, pak më të lartë se Piaf e që më vinte deri te supet. Por kur e shikoje në skenë, dimensioni fizik ishte në lartësinë e gjenisë së saj. Në moshën 76-vjeçare kur e njoha atë, zonjusha Marlen Ditrish mund të na zbulonte këmbët më të bukura të planetit … Në vite, nuk di pse ajo, me atë karakter të vështirë të saj, më thoshte gjithnjë: ‘Si mund të jetoj pa ty, Norma?!’”.
Sa herë shkoja te Norma, e shikoja me nostalgji atë divan dhe në mendje risillja imazhet e roleve të saj. Po, aty ishte shkatërruar ngadalë ai trup i bukur dhe shumë sensual që isha mësuar të shikoja në sallën e errët të Kinostudios, aty ishin tretur ngadalë ata gjinj të dehur e të puthur aq shumë, ajo gojë e ëmbël që qeshte pareshtur si të donte të qeshte me jetën, pasi ndoshta jeta i dukej si një lojë adoleshence, si një moment xhirimi, si një skenë teatri … thjesht një krijim. Po, shikoja kolltukun dhe përpiqesha të imagjinoja Marlenën e shtrirë dhe bukurinë që venitej, duke parë botën nga ballkoni i saj në katin e katërt të asaj banese “hausmaniane”. Dhe ajo këtë e ndiente, e kishte ndier që në vitet ‘60 e më pas, aq sa më vonë, ajo kishte vendosur të zhdukej nga sytë e publikut, që regjisorët të mos e filmonin më, fotografët të mos e fotografonin imazhin e saj të fashitur dhe të mos pranonte më intervistat e gazetarëve … Madje, edhe kur miku i saj i afërt Maximilian Schell do të xhironte filmin mbi jetën e saj, ajo nuk pranoi ta filmonte … mjaftonte zëri i saj, zëri dramatik, zëri që këndonte aq bukur këngët si Lily Marlene! … Po, ajo donte që njerëzit të ruanin imazhin e dikurshëm të saj, dhe që rrjedhimisht dhe unë, si miliona spektatorë të tjerë të botës, të ruaja gjithnjë në sytë e mi atë imazh të Lolës në Engjëlli blu … kështu, njerëzit do të shikonin veç Marlenën e rinisë. Ai divan dukej se kishte ende aromën e Marlenës, aromën e atij trupi gjithë sharm, që u shfaqej dikur në fillimin e vitit 1945 ushtarëve amerikanë që shkonin drejt Berlinit. Po, atje ishte dremitur Engjëlli blu, me kofshët e vajzës së kabaresë, ku profesori plak, i interpretuar nga i famshmi Emil Janings, do të përgjërohej e do të binte nën sharmin e asaj çapkëneje …
Në vitin 1979, duke shkruar librin biografik të saj dhe duke kujtuar vitet që kalonte në apartamentin parisian, e fshehur nga bota, Marlene pohonte: “Tani jetoj në Paris … Drita e tij mjafton të zbusë dhe zemrat më të ashpra. Drita e Parisit është blu. Dhe me këtë nuk dua të them se qielli këtu është blu. Jo, nuk është. Por drita është blu. Magjia që ushtron Parisi është e vështirë të shpjegohet, ashtu si dashuria e një burri dhe e një gruaje. Mund të çlodhesh në Paris dhe ta lësh jetën të rrjedhë në kursin e vet të shfrenuar. Por është dhe vetmia. Dhe ajo nuk është komode. Disa ditë apo net mund të thuash se s’ka më mirë sesa vetmia. Por ka ditë e net që vetmia është e padurueshme. Për një periudhë mësohesh, por kjo s’do të thotë se jemi paqtuar me të. Nga këto vite vetmie unë kam qenë e cenuar nga ajo. Jam tmerrësisht e plagosur. Ah, sa do të doja të shërohesha, të shpresoja kundër çdo shprese, që plagët të më dhembnin më pak! …”.
S’ka pak vite që dhe Norma Bosquet vdiq. E gjetën në vaskën e apartamentit të saj, ashtu të vetmuar. Më dhëmbi shumë ajo grua e mirë dhe ndërkohë risolla në mendje divanin e Engjëllit blu. Kushedi ku gjendet tani ai divan mendova … kushedi … Dhe në fakt çdo gjë materiale shuhet në këtë botë, por veç ajo çka krijohet në art, ajo gjithnjë mbetet … Arti dhe kujtimi i artistit!
Please follow and like us: