Alexander Motyl: Çfarë do të ndodhë pas rrëzimit të Putinit?
A mund të jetë dikush më i keq sesa Putin në krye të Rusisë? Kjo pyetje nuk është vetëm teorike. Ndërsa politikë-bërësit dhe analistët në Rusi, Evropë dhe Shtetet e Bashkuara mendojnë për skenarë të mundshëm të largimit të Vladimir Putin nga detyra, lind natyrshëm çështja e pasuesit të tij.
Do të ishte absurde të pretendojmë të parashikojmë më saktësi se kush mund të jetë pasardhësi i Putinit. Por gjithsesi, ne mund të imagjinojmë se çfarë lloj politikash mund të ndjekin pasardhësit e tij të mundshëm, dhe të përpiqemi të përcaktojmë se kush – një imperialist radikal rus, një klon i Putinit apo një lideri pothuajse demokrat – do të kishte pak a shumë gjasa t’i bënte gjërat më mirë ose më keq për Rusinë, dhe në marrëdhëniet e saj me Ukrainën dhe Perëndimin.
Është e sigurt se një udhëheqës i tillë nuk do të gëzojë mbështetjen e rrethit më të afërt të Putinit. Por ai duhet të jetë në gjendje të ketë mbështetjen e shtresave të arsimuara, profesionale, urbane të Rusisë si dhe të rinjve. Ne nuk e dimë nëse kjo do të mjaftojë për të prodhuar një regjim të qëndrueshëm.
Ndoshta jo. Por nga ana tjetër duhet të mjaftojë për t’i dhënë mundësi të shfaqen në skenë gati-demokratët, për t’i dhënë fund, qoftë edhe përkohësisht, teprimeve më të këqija të sundimit të Putinit. Në këtë pikë, sigurisht që do të ndodhë një reagim kundër-revolucionar.
Ndërkohë një klon i Putinit do të ishte më pak i preferueshëm se sa një pothuajse demokrat. Gjithsesi, të paktën ai do të ofronte perspektivën e një vazhdimësie të statuskuosë. Ashtu si sot, disa rusë do të jenë entuziastë, të tjerë do të jenë të shqetësuar, ndërsa elitat me siguri do të lehtësohen që ndryshime të mëdha nuk janë në prag.
E megjithatë, një klon i Putinit do të vuajë nga një defekt thelbësor, i cili do të minojë sundimin e tij: ai nuk do të jetë Putin. Në fund të fundit, Putini ka kaluar më shumë se dy dekada duke ndërtuar një regjim hiper-centralizuar me veten në qendër.
Putini, mishërimi hiper-mashkullor i një Rusie të fuqishme, është thelbësor për stabilitetin dhe legjitimitetin e regjimit. Rrëzoni Putinin dhe zëvendësojeni atë me një klon, dhe kështu do të zbehni aftësinë e klonit për të vazhduar me politikat e Putinit.
Kështu, është e sigurt se një klon i Putinit, do të jetë më i dobët dhe më pak legjitim se sa Putini aktualisht. Dhe kjo dobësi mund të shkaktojë destabilitet, një luftë të egër për pushtet, kaos dhe trazira civile, kur kloni ose do të arrijë të stabilizojë sundimin e tij, ose do të zëvendësohet nga një lider gati-demokrat ose një imperialist radikal rus.
A do të ishte një imperialist radikal rus, le të themi një figurë si Igor Strelkov, krimineli i luftës që nisi luftën në Donbas në vitin 2014, më i keq se sa Vladimir Putini? Është e vështirë të thuhet. Si fillim, është e rëndësishme të mos harroni se Putin është një vrasës masiv, një luftënxitës, dhe një imperialist që e shkatërroi demokracinë ruse, e zëvendësoi atë me fashizmin, dhe që e filloi gjenocidin në Ukrainë.
Deri tani janë vrarë dhjetëra mijëra civilë të pafajshëm ukrainas. Qytetet e Ukrainës janë rrafshuar. Dhjetëra kundërshtarë të tij politikë janë vrarë; qindra rusë u vranë në bombardimet e apartamenteve në vitin 1999, vetëm që të shërbenin si një pretekst për një sulm të ri ndaj republikës rebele të Çeçenisë.
Ndaj çfarë saktësisht do të duhej të bëjë një pasardhës i Putinit, për të qenë më i keq se ai? Të përdorë armët bërthamore? Por thuajse të gjithë analistët, janë në një mendje se Putini mund t’u drejtohet lehtësisht atyre nëse në një moment do të jetë shumë i dëshpëruar.
Xhejms Falon, profesor i Psikiatrisë dhe Sjelljes Njerëzore në Universitetin e Kalifornisë, e ka quajtur Vladimir Putinin një psikopat, dhe e ka krahasuar atë me Adolf Hitlerin. Ky krahasim shtron një pyetje të ngjashme:A mund të ketë qenë dikush më keq sesa Hitleri?
A do të kishin pushtuar më shumë vende Heinrich Himmler, Joseph Goebbels apo Reinhard Heydrich? A do të vrisnin ata më shumë polakë, ukrainas dhe bjellorusë? Të shfarosnin më shumë hebrenj? A do të kishte qenë edhe më radikal versioni i tyre i librit “Mein Kampf”, manifestit ideologjik i Hitlerit?
Pra a mund ta zëvendësojë vërtet Putinin dikush që nuk është Putini? Kushdo qoftë pasardhësi radikal i Putinit, ai si një kloni i këtij të fundit, do të ketë një të metë fatale: nuk do të jetë Vladimir Putin. Rrjedhimisht, do t’i mungojë popullariteti dhe legjitimiteti që ka Putin tek rusët.
Po ashtu, atij do t’i mungojë aftësia e Putinit për të ruajtur balancat midis radikalëve dhe të moderuarve brenda elitës politike ruse. Prandaj, një udhëheqës radikal do të jetë më i dobët se Putini, shumë më pak i aftë për të zbatuar politikat e tij, dhe ka më shumë gjasa të jetë viktimë e betejave për pushtet, intrigave në Kremlin, dhe një opozite të gjerë.
Dhe kjo na sjell tek një përfundim shumë interesant. Një lider gati-demokrat mund të jetë më i mirë për Rusinë, ndërsa një klon dhe radikal do të paralajmëronte një vazhdimësi të punëve si zakonisht. Por që të 3 llojet e udhëheqësve, do të sillnin një periudhë të konflikteve thelbësore të elitës, dhe të një paqëndrueshmërie sistematike.
Kështu, largimi i Vladimir Putinit nga pushteti, do të ishte një lajm i mirë për rusët, ukrainasit dhe Perëndimin. Një Rusi më pak e qëndrueshme, më e pasigurt dhe më kaotike, nuk do të jetë në gjendje të zhvillojë një luftë të madhe tokësore, të shtypë disidencën dhe demokracinë brenda vendit, apo të ndjekë një axhendë imperialiste. Ndoshta vetëm në një periudhë afatshkurtër, por duke pasur parasysh tmerret e regjimit të Putinit, edhe një pauzë e shkurtër do të ishte diçka për të cilën duhet të jemi mirënjohës.
Shënim: Dr. Alexander Motyl, është profesor i shkencave politike në Rutgers-Newark University.