Albspirit

Media/News/Publishing

Fritz Radovani: In memoriam Don Nikoll Laskaj!

 

 

DON NIKOLL LASKAJ, (1898 – 1948)

Ashtusi shumë familje të tjera Shqiptare që nga komunizmi barbar humbën njerzit e tyne ma të shtrenjtë dhe të dashtun, ashtu edhe Familja Mirditore e Laskajve humbi djalin e saj Don Nikoll Laskaj (1898 – 1948). Asht kenë le në Kashnjet dhe erdhi në Shkoder, me perfundue shkollen per Meshtar kur nuk pritej, nga gjendja kautike e vitit 1906 që kishte pushtue Shkodren. Nuk shkoi gjatë dhe gjithshka u mbulue me tymin e zhurmat e topave malazezë, që sulmuene me pushtue qytetin në të kater anët, tue mos harrue gjylet që binin edhe mbi tavanet e Kishave, ku ishte strehue qytetaria e pambrojtun.

Kamngulja e Tij ishte me ia pasë lakmi per qendresen në vendimet jetike.

E mos harroni se as pushtuesi turk nuk kishte vdekë ende plotsisht, mbasi kur ju prekshin interesat i vazhdonte barbarizmat si pesë shekuj perpara.

Nuk ishin të pakta rasat e “ringjalljes”, në qytetin martir të Shkodres sonë!

Dy kolegjet e hapuna nga Jezuitët dhe Fretnit vazhdonin punen rregullisht.

Pranë Kolegjit Saverian vazhdon studimet dhe bije në sy inteligjenca e këtij djali të Mirditës, që miqësohet me të gjithë studentat e atij kolegji. Dergohet nga eprorët e vet per me vazhdue studimet teologjike në Austri, pikrisht në pragun e Luftë së Parë Botnore. Ka perfundue universitetin per teologji dhe filozofi në Insbruck dhe porsa filloi Lufta, vjen me sherbye n’ Atdheun e Tij.

Ishte shumë i pasionuem per me ndihmue njerzit e vuejtun t’ Atdheut vet, dhe nuk kursehet per asnjenin. Edhe pse ishte i porsa ardhun prej jashtë dhe njifte pak njerzë, me veprat e Tija baritore Ai mbeti i paharrueshem.

Ruente virtytet e krahinës Mirditore tue personifikue mendjen e hollë dhe urtësinë, nder ambjentet familjare nder fshatet ku sherbente. Fillimisht ka shkue me detyrë në Ungrej në vitet 1939 – 1942. Ka vazhdue në Blinisht ku, qendron deri në vitin 1944. Vazhdoi veprimin fetar me knaqësi nder ato krahina të vorfna të Mirditës, tue mos u kursye deri ka fundi i vitit 1946.

Dihet shumë pak per jeten dhe veprimtarinë e Këtij Meshtari, që i perket me të gjitha virtytet asaj epoke të lavdishme të Klerit Katolik Shqiptar.

Ishte 50 vjeç kur mbyllet gjithshka në veprimtarinë e Atij Meshtari të urtë.

U akuzue me motivacionin ma aktual e të pavertetuem të komunizmit, ma kriminal e gjakbasë të Sigurimit shtetit, në Shqipninë e masakrueme per ma shumë se 47 vjet rresht si: “Ushtar’ i Krishtit që ka luftuar antinjeriun!”

Gjykata e Shkodres e dënon me dy vjet burg heqje lirije, punë të detyrueme.

Ishte viti 1947 kur të burgosunit dergoheshin në kampe pune të randa. Ishte i njoftun aso kohe në Shqipni kampi i famshem i Bedenit, ose i shfarosjes, ku as sot, nuk dihet e saktë shifra e të vdekunve nga mundi dhe keqtrajtimi.

Aty n’ atë baltë dha Shpirt edhe Don Nikoll Laskaj, i cili u mbulue aty per mos me u ngritë kurrma plot 50 vjeç, kur Atdheu e Feja pritshin prej Tij.

Asht varrosë krejtësisht mësheftas aqsa askush nuk e dinte gropen e Tij. Sot ndoshta, njerzit mendojnë ndryshej nga e verteta e vdekjes dhe e varrimeve të Atyne fatzezëve që zhdukeshin nder Gropat paemen? Ma sakt flet koha, ajo dishmitare e pakundershtueshme që kushedi sa vetë mbuloi në baltën e pameritueme, e jo aq pak, sa me u harrue ndoshta edhe pergjithmonë!

Edhe pse vdekja e Don Nikoll Laskaj ishte e papritun dhe vertetë aq shumë e dhimbëshme per Ata që ishin me Te, Ata u treguen shumë të kujdesëshem dhe mujtne me ruejtë në kujtesen e vet, Gropen paemen që e pat varrosë një grup policësh të kampit shfarosjes së Bedenit, ku njerzit aty zhdukeshin.

Njëditë, pa e kuptue askush shokët e tij besnikë mujten me e nxjerrë prej asaj Gropet paemen dhe me e dergue në fshatin e Tij “atë thes” me Eshtnat e Don Nikoll Laskaj, dhe me i varrosë n’ Atë Tokë të Bekueme, per të cilen Ai sakrifikoi jeten e vet. E ndoshta asht në të paktit që nuk pat rrezik humbjen e perjetshme, gja që nder burgjet e kampet komuniste ishte e perditëshme.

Trajtimi i keq i të burgosunve dhe ushqimi minimal i perditshem vinin dhe ndikonin vazhdimisht në të burgosunit që kishin humbë qendresen e tyne.

Po, edhe pse vujtjet e tyne shtoheshin per çdo minut dhe orë, nuk i mungon brumosja me rrezistue ndaj së keqes së Sigurimit shtetit, që vetem punonte me zhdukë intelektualët, klerikët dhe njerzit e nderuem n’ atë skëterrë. Ata vuejtës ishin koshient që Gropat paemen thithin njerzit ma të mirë perditë, prandej edhe Atyne të burgosunve që kishin shndetin ju duhej me mbajtë në çdo minut mendjen e kjartë, dhe me kontrollue veprimet e policisë burgut.

E po mos t’ ishte edhe ky kujdes i perditshem, kushedi sa viktima zhdukej!

Sa shumë vlerë ka per t’ afermit e Viktimës ruejtja e Atij thesi me Eshtna!

E, sot nuk janë pak Ata, që perjetsisht ngushllohen tek Ai grumbull kocka, tue kujtue t’ afermit e dashtun që, në Rininë e Tyne ua thane Lulet e jetës.

E një prej Atyne Zamakve të Flamurit Gjergj Kastriotit – Skenderbeut, që nuk u hap asnjëherë, i mbuluem me baltë ishte edhe Don Nikoll Laskaj!

Melbourne, 25 Korrik 2022.

 

Please follow and like us: