Majlinda Bregu: Nuk mund të këtë integrim europian, pa bashkëpunim rajonal
Intervistë me Sekretaren e Përgjithëshme të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, Majlinda Bregu
“E duam Shqipërinë si gjithë Europa,” është mbase i vetmi program politik në botë me gjashtë fjalë, por me gjenialitet politik, po aq sa “jak o dit’ e uruar që lint nga perëndon” e Rilindasve. Madje “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, është i vetmi mendim i qartë i kompromisit politik në Shqipëri gjatë këtyre 30 e kusur viteve. E pranojnë të gjithë dhe nuk shahet nga asnjë
-Znj. Bregu, ndryshe nga tërësia e mesazheve të mbushura me përgëzime, shpresa e falënderime, një postim juaji i gjatë në Twitter, ka përmbledhur rrugëtimin pothuaj të mundimshëm të Shqipërisë, drejt një momenti historik, siç është hapja e negociatave me Bashkimin Evropian. Sa ka qenë e “merituar” pritja tri-dekadëshe, për një popull që kur dilte nga një diktaturë mizore dhe varfëri ekstreme, thërriste “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”?
–Shqipëria si gjithë Evropa është ende një projekt i papërfunduar. Dhe që të biem dakord që në fillim: “E duam Shqipërinë si gjithë Europa,” është mbase i vetmi program politik në botë me gjashtë fjalë, por me gjenialitet politik, po aq sa “jak o dit’ e uruar që lint nga perëndon” e Rilindasve. Madje “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, është i vetmi mendim i qartë i kompromisit politik në Shqipëri gjatë këtyre 30 e kusur viteve. E pranojnë të gjithë dhe nuk shahet nga asnjë.
Por siç thotë fjala e urtë: nga e thëna në të bërë është në mes një det i tërë. Ne jemi rasti tipik i marrjes me lehtësi të momentit të duhur. E kemi humbur kohën me pengesat absurde që i kemi ngritur vetes, me shpresë se po dëmtonim politikisht kundërshtarin pa u trembur se ndërkohë bota, Evropa po jetonte kohë të reja me kriza të njëpasnjëshme dhe me shfaqjen e një brezi të ri politikanësh që garancinë e standarteve të proçesit të anëtarësimit e shihnin te matricat e metodologjitë e proçesit. Megjithatë është ndër të paktat lajme pozitive që kemi marrëqë nga 2014 në lidhje me rrugëtimin tonë në BE, ndaj përsëri them: më mirë vonë se kurrë.
-Nëse ju do të kthenit kokën pas, dhe do të kërkonit “imtësisht” mes “arritjeve, zhgënjimeve, përpjekjeve, kokëfortësirave dhe paragjykimeve”, siç me të drejtë i rendisni, a do të mundeshit të gjenit një moment në historinë e 30 viteve të fundit, kur Shqipëria ka qenë vetëm pak milimetra larg një momenti si ky i sotmi? Një shans që nëse do të ishte rrokur në ajër, sot ndoshta do të festonim mbërritjen në një tjetër lloj destinacioni?
Disa. Po të mos kishtë ndodhur 1997 e keqfamshme për shqiptarët, sot do të ishim vend anëtar si Kroacia.
Po të mos kishim humbur kohë në 2011-2012 me estradë politike të opozitës së aso kohe, për të votuar 3 ligje, më saktë 2 ligje dhe rregullore të parlamentit, me zgjedhjen e Kryetarit të Qarkut të Fierit, në 2012 do t’i kishim çelur negociatat bashkë me Malin e Zi. Shqipëria vetëm në atë periudhë humbi tri here shansin e marrjes së vendit kandidat. Dakord, ju thoni edhe Mali i Zi ka kaq vite që negocion, por nuk është më pranë anëtarësimit.
Edhe kjo është e vërtetë. Sepse proçesi i zgjerimit të BE-së ndaj Ballkanit Perendimor, nuk është më i njëjtë me ç’ka qenë pas rënies së perdes së Lindjes.
Krizat ekonomike globale të njëpasnjëshme (që nga ajo e 2007-2008) kanë ndikuar në mungesën e “dëshirës” për zgjerim nga qytetarët e BE-së. Sondazhi i para ca ditëve në Austri, në lidhje mbështetjen qytetare ndaj zgjerimit të BE,është tregues tipik i faktit që sa herë BE bën një hap drejt zgjerimit, rriten tonet negative dhe bie mbështetja e qytetarëve, sidomos në disa vende anëtare skeptike.
Shkurt, kemi humbur kohën tonë, duke i dhënë më shumë kohë skeptikëve e teknikëve që të vendosnin një temp të ri për zgjerimin, pa u shqetësuar për kohën tonë të humbur.
-A mendoni se në Bashkimi Evropian ka qenë më pak “zevzek” në fazat e mëparshme të zgjerimit që ndodhën pas viteve nëntëdhjetë, gjatë të cilave u bënë pjesë e familjes së madhe evropiane shumë shtete me të kaluara të ngjashme me atë të Shqipërisë? A ka qenë shtimi domethënës i atyre që ju i quani pengesa në këtë proces, më shumë pasojë e qëndrimeve historiko-politike të lidhura me vetë Unionin, apo ka ardhur prej prodhimtarisë së pasur të krizave politike, e cila Shqipërisë nuk i ka munguar kurrë në këto tre dekada.
Ne e thashe, nuk jemi pa “gjynahe” këtë mes. Mbajtja peng e normalitetit politik të vendit se mos fiton pikë kundërshtari duke preferuar më mirë të humbasim kohë, pikërisht se në kohën e tjetrit nuk jemi dot heronj, është gati ciklike në Shqipëri.
Por çdo shkëputje nga e vjetra kërkon një projekt të ri. Në Ballkan ende qëndron i ngritur çarku i nacionalizmit. Dhe sa herë nacionalizmi, si ekzagjerim i patriotizmit kthehet e ringjallet, aq më në rrezik për të qenë vetëndëshkues jemi.
Tashmë që prej 19 vitesh, Ballkani Perendimor, po rreket ndërmjet pengesave të ndryshme që të bëhet pjesë e BE, dhe që prej asaj kohe veç Kroacia mundi t’ia dilte të anëtarësohej.
Bashkimi Europian lindi si një proçes politik, dhe për fatin e keq vitet e fundit vetëm kjo nuk ndodhi. Ideja e themeluesve të BE ishte një ide gjigande e afrimit, paqes, sigurisë, stabilitetit dhe e krijimit të një tregu të përbashkët në kontinent, për të provuar bashkimin si fuqi të transformimit. Gradualisht vendimet politike ju ikën nga duart politikanëve, dhe u copëzuan nga burokratët, duke e futur në shumë raste proçesin në kornizën e detyrimeve. Nuk dua të nënvlerësoj një proçes të gjatë harmonizimi me BE-në, por përmbushja e kërkesave teknike nuk mundësoi liberalizimin e vizave për Kosovën, as përshpejtoi fillimin e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Të gjithë po jetojmë mes një ndryshimi të madh në arkitekturën gjeopolitike. Përgjigjja pozitive e BE ndaj Ukrainës dhe Moldavisë për anëtarësimin në BE, rizgjoi edhe njëherë ato neurone/ndjesi politike duke na rikujtuar se anëtarësimi në BE nuk është thjesht një proçes metodologjik i përafrimit legjislativ, por një akt politik. Dhe aktet politike nuk zgjasin një jetë.
Perspektiva evropiane po humbi fuqinë e ndryshimit e transformimit të vendeve tona, ka humbur misionin. Dhe misioni kryesor sot është ruajtja e sigurisë dhe stabilitetit.
– “Nëse Evropa është një ide, mund ta bëjmë realitet në cilëndo qoshe të botës, edhe në zemër të kontinentit evropian, në Ballkanin Perëndimor”. Këto janë fjalët tuaja. Si e shihni rolin e bashkëpunimit rajonal në të ardhmen, si katalizator në këtë proces pa kthim që nisi me hapjen e negociatave?
Nuk mund të këtë integrim europian pa bashkëpunim rajonal, por nga ana tjetër bashkëpunimi rajonal merr kuptim pasi qëllimi i përbashkët është integrimi europian. Koncepti i bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Per;ndimor ka ndryshuar rrënjësisht që nga viti 2014, kur nisi edhe Proçesi i Berlinit. Bashkëpunimi ekonomik rajonal është mantra e Ballkanit Perëndimor dhe mbështetet nga 76% e qytetarëve.
Ashtu sikurse BE, 65 vite më parë u përfshi në një projekt politiko-ekonomik, edhe vendet e Ballkanit Perendimor kanë nisur krijimin e një Tregu të Përbashkët për të shembur pengesa e barriera të ndryshme ndërmjet tyre, duke rritur bashkëpunimin ekonomik/
Vizioni i përgjithshëm për një bashkëpunim të integruar ndërmjet vedi dhe më pas me BE-së është pa dyshim një vizion i përbashkët. Kjo është njëra anë e medaljes. Ndërkohë që rajoni përafron gjithnjë e më shumë standartet me BE, ka ardhur koha që BE të përfshijë më shumë rajonin në politikat, programet dhe tregun e BE-së si pjesë e proçesit të anëtarësimit.
-Një shumicë dërrmuese e shqiptarëve vazhdojnë të jenë mbështetës të palëkundur të anëtarësimit në BE. Disa e shohin si një “shkop” magjik që do u japë fund të gjitha problemeve të këtij vendi, ndërkohë që nuk është njësoj i fortë vetëdijësimi mbi detyrimet që burojnë nga ky proces. Cili është mesazhi apo këshilla juaj për shqiptarët, si një prej politikaneve me më shumë përvojë në çështjet e integrimit, në kuptimin e menaxhimit të pritshmërive dhe ndërgjegjësimit për atë që i pret në këtë pjesë të fundit të rrugëtimit?
Ka një poezi shumë të bukur poeti grek Konstandin Kavafis, “Itaka”
“Në mendjen tënde e paç gjithnjë Itakën
Për ty qenka e shkruar të mbërrish atje
Në e gjetsh të varfër, Itaka s’të ka mashtruar
Me kaq përvojë, i mençur si je bërë,
do ta kesh kuptuar tashmë ç’kuptim paskan Itakat”.
Për çdo ditë që e bëjmë Shqipërinë, mundi ia vlen.
Kjo intervistë është pjesë e serisë së shkrimeve dhe intervistave “Media dhe Integrimi Europian”, të Institutit Shqiptar të Medias, në kuadrin e Programit të Promovimit të Tranzicionit të Republikës Çeke.