Pse u nda më dysh 45 vjetori i ekzekutimit të dy poetëve?
Nga REXHEP POLISI
Si asnjë herë tjetër në 45 vjetorin e ekzekutimit nga regjimi komunist i dy poetëve Genc Leka dhe Vilson Blloshmi u bënë dy aktivitete në të njëjtën ditë dhe në të njëjtën orë në Bërzeshtë të dielën e 17 korrikut 2022. “Kujto.al” në bashkëpunim me Bedri Blloshmin organizoi një aktivitet tek shtëpia e Vilsonit ku ndodheshin familjarë, profesorë, shkrimtarë, poetë e gazetarë, të cilën folën për jetën dhe veprën e dy poetëve martirë.
Rreth 200 metra më poshtë Kullës së Blloshmëve, tek rrapi dhe lapidari me Yllin komunist ku është krijuar Batalioni partizan i Bërzeshtës, u mbajt një simpozium i quajtur mbarëkombëtar për veprën e dy poetëve, organizuar nga Universiteti “Alekasndër Xhuvani”, Elbasan dhe profesor Bardhyl Musai.
Ndonëse të dy aktivitetet kishin të njëjtin qëllim, simbolet ishin krejt të ndryshme. Tek Kulla e Blloshmëve u ndez një qiri në përkujtim të dy poetëve martirë, ndërsa tek rrapi u festua me Yllin partizan. Dy ditë më pas u publikua një shkrim ku që në titull shkruhej me gërma të mëdha: “Simpoziumi u kthye në festë”! Po a mund të kthehet në festë dita më e zezë për familjen dhe Bërzeshtën?!
Pse ky simpozium u bë nën kujdesin e kryetarit të Bashkisë së Librazhdit, Kastriot Gurra kur dihet se Bërzeshta është në varësi të Bashkisë Prrenjas. Thuhet se për këtë problem ka patur një debat të ashpër mes kryetarit të Bashkisë Prrenjas, Nuri Belba dhe atij të Librazhdit, Kastriot Gurra.
Në këtë simpozium u lexua edhe një referat i profesor Sadik Bejkos, i cili ishte marrë pa lejen e tij nga interneti, ndërkohë që Bejko po fliste për veprën e Gencit dhe Vilsonit në aktivitetin tek Kulla e Blloshmëve.
Kur e pyeta një mikun tim gazetar pse shkoi te rrapi në Bërzeshtë, ai më tha se, e kishin gënjyer për pjesmarrësit. “Kur shkova atje, më tha ai, pashë vetëm komunistë e sigurimsa, kishte tek tuk edhe ndonjë të djathtë”.
Por lind pyetja, pse e majta u kujtua sot për të bërë simpozium për dy poetët e pushkatuar, ndërkohë që Bedri Blloshmi ka bërë çdo vit aktivitete për ta. Bedriu thotë se, pasardhësit e atyre që i vranë duan t’i përvetësojnë për qëllimet e tyre politike! Gjithashtu, sipas Bedriut, po synohet të realizohet ëndrra e Bardhyl Musait për të ngritur një muze për partizanët duke futur në të edhe dy poetët.
(Një javë pas simpoziumit për dy poetët, të majtët organizuan dje festën e tyre te rrapi i Bërzeshtës në përkujtim të krijimit të Batalionit partizan).
Është për të ardhur keq se edhe kjo ditë tragjike për familjen Blloshmi dhe Bërzeshtën u nda më dysh. Por lind pyetja, pse duhet të bëheshin dy përkujtime për të njëtjin qëllim në të njëjtën ditë dhe në të njëjtën orë në Bërzeshtë? Bedriu thotë se, kjo ndodhi për shkak të mosmarrveshjeve mes Bardhyl Musait dhe meje.
Bedri Blloshmi ka reaguar me disa shkrime në faqen e tij sociale se, fillimisht kishte patur një marrëveshje me Bardhyl Musanë për simpoziumin, por ai të bëhej tek shtëpia e Vilsonit, jo tek rrapi. Gjthashtu, sipas Bedriut, ata kishin rënë dakord që edhe ftesat do t’i bënin bashkarisht, por kjo marrëveshje u prish nga Musai. Sipas Bedriut, Bardhyli pasi i kishte marrë të gjitha librat dhe materialet për dy poetët i kishte thënë se, “vendin dhe të ftuarit i caktoj unë, ti je i ftuar, po deshe eja po deshe mos eja”! Pas kësaj të dy palët veprun më vete duke bërë dy aktivitete për të njejtin qëllim.
Po a mund të shmangej një gjë e tillë? Sigurisht që po, duke u gjetur rruga më e drejtë!
Bedriu shkruante se kishte takuar rektorin e Universitetit “Alekasndër Xhuvani” Elbasan, Skënder Topi bashkë me zv/rektorin i kishte thënë Bedriut se, “këtë vit ne nuk organizojmë simpozium për dy poetët, po na ftoi Bardhyl Musai do të shkojmë”. Ai i kishte dërguar tre ditë rresht mesazhe rektorit për ta takuar, por ai nuk i ka kthyer përgjigje. Përse rektori Topi mbajti këtë qëndrim dhe përse nuk bëri përpjekje me Bedri Blloshmin që të arrinin në mirëkuptim që të bëhej vetëm një simpozium (?!).
Pse rektori Skënder Topi dhe Bardhyl Musai zgjodhën që ta bënin simpoziumin tek rrapi ku është krijuar Batalioni partizan, një çetë që ka goditur nacionalistët e fisit Blloshmi? Si mund të bëhet një aktivitet kaq i rëndësishëm në një vend ku brenda gardhit të rrapit ndodhej lapidari me Yllin partizan? Kjo situatë ka krijuar një konflikt social ku prej ditësh njerëz të dy kaheve u përplasën me sharje e fyrje në rrjetet sociale.
Organizimi i simpoziumit në një vend ku ndodheshin simbolet e komunizmit, dhe kthimi i tij në festë, bëri të mundur që mediat të mos e pasqyronin këtë aktivitet. Televizionet shfaqën kronika dhe speciale nga aktiviteti që u bë tek Kulla e Blloshmëve. Për këtë, drejtuesit e simpoziumit kanë fajësuar një gazetar korrespodent në Librazhd se, ka ndikuar për mospublikimin e simpoziumit nga televizionet dhe e kanë kërcënuar atë se do t’i thyejnë kameran dhe do ta pushojnë nga puna.
Tani, edhe dy fjalë për sulmet bastarde dhe akuzat falso ndaj Bedri Blloshmit. U arrit deri aty sa individë të ndryshëm të simpoziumit një ditë më pas të “kryqëzonin” Bedri Blloshmin, duke sajuar lloj-lloj akuzash si në kohën e regjimit komunist, të cilin me akuza fallco e çuan 15 vjet në burgjet e ferrit komunist.
Bedri Blloshmi ka mëse 30 vjet që kontribuon për evidentimin e veprave të dy poetëve të ekzekutuar, ka publikuar disa libra me dosjet formulare të sigurimit për dy poetët, dhe libra me dokumenta e dëshmi të gjalla nga burgjet e ferrit komunist.
Sigurimsa dhe komunistë të cilëve Bedriu u ka publikuar me dokumenta dëshmitë kundër dy poetëve dhe kundër tij në gjyq dhe në burg, thurin lloj-lloj intrigash se, gjoja “Bedri Blloshmi është me dosje dhe do ta fusim në burg”.
Bedri Blloshmi është një hero i gjallë dhe ka luftuar me sigurimsat dhe oficerët e sigurimit në të tre burgjet e Ferrit, në Spaç, Qafë-Bari dhe në atë të Burrelit. Është meritë e padiskutueshme e Bedri Blloshmit zbulimi i krijimeve letrare në sirtarët e Sigurimit të Shtetit të dy poetëve të ekzkutuar, si dhe botimi i tyre në një libër nga profesori Sadik Bejko me parathënie të Kadaresë.
Nëse keni dosje pse nuk e publikoni, kur prej 9 vjetësh në pushtet janë pasardhësit e komunistëve dhe kontrollojnë të gjitha institucionet. Nxirreni pra dhe publikojeni “dosjen” e Bedri Blloshmit!
Please follow and like us: