Albspirit

Media/News/Publishing

Ambra Hysa: Diell brenda vetes…

Kam vendosur të mos shqetësohem më për vdekjen.
Jeta është shumë e shkurtër për ta mbajtur këtë merak kaq të gjatë. Shqetësohem nëse nuk po jetoj më dhe thjesht po ekzistoj. Lexoj edhe unë si ti, shumë shpesh shprehje të tilla: “Bëhu i guximshëm të shijosh historinë tënde, të krijosh historinë tënde. Kape ditën, rrëmbeje përpara se ajo të të rrëmbejë energjinë ty, dita e mirë, dita plot diell fillon në mendjen tënde”.
Dhe në fakt, kur ulem dhe mendoj… vendet më të bukura që kam vizituar ndonjëherë kanë qenë pikërisht mëndjet e njerëzve. Ju ka ndodhur ndonjëherë të uleni pranë një njeriu të cilin e takoni për herë të parë, por ndjeni se keni një jetë që e njihni? Një jetë që po e prisnit… Shpirti i tyre është mikpritës, një oaz i mrekullueshëm qetësie ku ti prehesh dhe mendon se mbase mund ta kesh shijuar këtë ndjesi edhe në të shkuarën, për sa kohë ajo tingëllon kaq familjare, mbase keni qënë bashkë edhe në një jetë tjetër.
Prania e njerëzve dhe energjia e tyre zbukuron apo jo ekzistencën e secilit. Është mënyra sesi zgjedhin ta shohin jetën çdo mëngjes, si zgjedhin ta jetojnë atë. Ka njerëz që frymojnë art, që të frymëzojnë me mënyrën se sa bukur e jetojnë jeten dhe si zgjedhin të gjejnë paqen në mes të kaosit, të krijojnë edhe aty ku nuk ka asgjë, sepse gjithçka që nuk ekziston, mund të krijohet.
Një mëngjes Nëntori, pikërisht kur po mendoja se asgjë nuk po funksiononte më, hapa grrilat e dritares dhe lashë të hynte brenda, diellin. Të ngrohte edhe zemrën time së bashku me dhomën. Në fillim tufat e dritës më bezdisnin, errësira edhe pse nuk kishte premtuar asgjë, kishte qenë komforte. Por nuk mund të vazhdoja t’i shmangesha më jetës, nuk mund t’i shmangesha vetes, nuk mund të flija më mbi pasionet e mia. U zgjova me dëshirën për të krijuar ëndrra, për të krijuar versionin më të mirë të vetes dhe jeten që gjithmonë kisha ëndërruar. Jam ende ne proces, por më shijon… pjesa më e bukur është rrugëtimi dhe sfidat.
Jeta na sfidon, bëhet e vështirë dhe pikërisht atëherë dua më shumë se kurrë të largohem e të mbyllem në dhomën time. Ka ditë që produktiviteti ynë nuk do të jetë i lartë, kur e vetmja gjë që dëshiron të bësh është të mos ngrihesh nga krevati dhe të shijosh aty një kapuçino të nxehtë… Këto momente dobësie do të jenë aty herë pas here por t’i përjetoji thellësisht, deri në pikën e fundit dhe mos bëj asgjë. Mos e nxirr energjinë negative duke i ulëritur njerëzve në telefon, duke blerë gjithçka të panevojshme dhe duke ngrënë një mal me ushqime të pashëndetshme. Thjesht mos bëj asgjë dhe pastaj ngrihu dhe shkëlqe.
Ngrihu dhe jeto plot ngjyra në një formë inspiruese, magnetike për këdo që të njeh, sepse dielli është brenda teje!
Please follow and like us: