Albspirit

Media/News/Publishing

Mevlan Shanaj: Vaçe Zela, jo, ti nuk ke vdekur!

“V A Ç J A”. “Jo ti nuk ke vdekur”. Kështu quhej kënga që po këndonte në provat e festivalit të 6-të në dhjetor të 1967, në Institutin e Arteve, Vaçe Zela. Kënga i kushtohej Shkurte Vatës, një vajze 15 vjeçe nga Dukagjini, vullnetare që u vra aksidentalisht në ndërtimin e hekurudhës Lushnje-Fier. Aty në sallë e ulur po priste Vaçja të kalonte provën. Ju afrova, më tha ulu më prit sa të mbarojë provën dhe dalim për një cigare! Këto kanë qenë fjalët e para që kam shkëmbyer me të famshmen Vaçe Zela! Vite më pas ne krijuam miqësi shumë të mirë! Deri sa në festivalin e 9-të pas tre vjetësh isha siç thuhej konferencier i festivalit dhe gjatë atyre ditëve po thuaj çdo kafe e pinim bashkë. Ishte koha që siç kishte namin e kthente nga një konjak me kafenë. Një ditë në bisedë e sipër më tregon duart, i shikon si më janë bërë?! Sepse nuk kam lavatriçe dhe laj me dorë lëveret! Dhe qeshi duke vënë dorën para gojës, e kishte zakon kur qeshte vinte dorën! Mbulonte gojën “shpellë floriri” që i nxirte atë zë magjik. Unë nuk di se a mundet të kemi një të dytë në Shqipërinë tonë një talent si Vaçe Zela! Një ditë po ecnim deri afër shtëpisë, filloi një shi, më thotë hajde në shtëpi sa të pushonte shiu! Sa vajtëm nxori dy gota raki dhe pak djathë. Do më falësh të ndez zjarrmin se vjen Pjetri dhe e do zjarrmin e ndezur! (U befasova për herë të dytë pas asaj që lante me dorë dhe kjo që ndizte zjarrin) unë e adhuroja si artiste dhe këto detaje jete më çudisnin. Nuk vonoi shumë erdhi Pjetri dhe ashtu siç dukej indiferent, i tha sa mirë që e paske bërë ngrohtë. Vite më vonë ne krijuam miqësi familjare, Natashës me Pjetrin i shkonte shumë biseda për artin dhe politikën, ndërsa me Irmën e vogël të bukur ishte qershia mbi tortë në çdo takimin tonë. Vaçja kishte dëshirë të theksonte se gjyshja e Irmës i mësonte gjermanishten që e kishte gjuhën e saj. Edhe sot ashtu jemi me Irmën! Dihej nga ne që merreshim me aktivitetet artistike në RTSH, që Vaçja e kishte me shumë naze pjesëmarrjen në festivale deri sa të bindej për këngën e duhur, por shumë herë këngët me “tematik” ja impononin asaj!…
Në dhjetor u shtuan edhe programet e vitit të ri për RTSH. Më mbeti mua si “detyrë” për ta bindur pasi nxirte pengesa. Shkova me një makinë të televizionit në shtëpi, ju luta e binda dhe më në fund erdhi! Përsëri në Institutin e Arteve, u bë një kompromis të këndonte diçka nga repertori, së bashku me Vera Grabockën u vendos që me një kitarë, siç erdhi në skenën shqiptare me kitarë e ulur në karrige duke na kujtuar daljet e para në skenë si “Fëmija i parë”, “Lemza”, “Gjyshes” deri të këngët himne për Shqipërinë. Ajo këngë e kuruar bukur nga Vera, ka mbetur si një video-dëshmi e madhështisë nga Instituti i Arteve, (sipas meje është më e arritura si material arkivi). Para largimit nga Shqipëria Vaçja mori një dhimbje të pa imagjinuar. Në fillim të viteve 90. Ishte me Pjetrin dhe një mik në tavernën “Arbëria” në katin përdhes! Një nga shqiptarët e “fuqishëm” i thotë, çou na këndo se do të paguajë! Sigurisht ishte një sjellje jo normale dhe bashkëshoqëruesi i tyre, i thotë këtij tipit: Mshoje vendin dhe të vij randë me këtë sjellje! Kaq u desh dhe kishin filluar grushtat! Vaçja e tmerruar largohet dhe po priste në hollin sipër, kur shqiptari pas skandalit, përsëri kishte lëshuar gojën e pastër në drejtim të tyre. Kur na ka treguar këtë ngjarje para se të ikte kishte më shumë se dhimbje se çfarë po ndodhte me “lirinë” mes nesh. Vite më vonë ndodhi që mua më kishin ngarkuar festivalin si “drejtor”, sigurisht unë caktova kryetare të jurisë Vaçen! U lidhëm, erdhi nga Bazeli ku kishin vite që ishin vendosur. Na ndodhi një incident me këngën fituese! Të nesërmen pasi ishte mbyllur festa, më thotë juristi i festivalit, se janë llogaritur gabim pikët, po shkruhej proces-verbali dhe nuk korespondonin pikët. I them, të bëhet siç janë dhënë pikët, hiqja çmimin këngës fituese edhe pse ishte mbyllur festivali! Vendimin tim e konsultova me Vaçen, kryetaren e Jurisë, duke u bërë me një mendje: Drejtësi më mirë se sa heshtje. Media le të thotë ç’të dojë. Të dy me Vaçen vendosëm ta anullojmë çmimin e parë të shpallur pas 24 orësh! Mora dhe miratimin e Drejtorit të Përgjithshëm, i cili tha: Vaçja dhe ti i dini më mirë se unë! Dha një intervistë “Mbretëresha e këngës shqiptare për ngatërresën dhe vendosjen e së vërtetës së vlerësimit nga juria”. Kështu është mbyllur zëri im, zëri yt, zëri ynë në TVSH me vendosjen e së drejtës nga ajo që i takon të thuhet! Jo ti nuk ke vdekur! Ti je Vaçja siç ndërtove pavdeksinë artistike!Po ku ka si ti, o Vaçja ime, apo o Shqipëria ime siç na ka mbetur në kujtesë kjo këngë nga Vaçe Zela jonë!
Please follow and like us: